Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu deklaroi se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i ka tejkaluar kompetencat e saj duke bërë thirrje për lirimin e udhëheqësit kurd, Selahattin Demirtas.


“Ajo i tejkaloi kufijtë e saj pak”, tha Cavusoglu të premten për CNN-in turk, një ditë pasi Mogherini shfaqi shpresën se Demirtas, i cili është burgosur në Turqi prej dy vitesh nën akuzat për terrorizëm, do të lirohet së shpejti.


Mogherini i bëri komentet të enjten në një konferencë të përbashkët për media me Cavusoglun në Ankara. Demirtas 45 vjeç, njëri nga bashkudhëheqësit e Partisë Popullore Demokratike është arrestuar në nëntor të 2016-s për lidhje të dyshuara me militantët kurdë.


Të martën, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg, i bëri thirrje Ankarasë të lirojë Demirtasin. Ai i mohon të gjitha akuzat dhe thotë se rasti i tij është i motivuar politikisht.


23 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)