Në kuadër të takimit të nëntë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka zhvilluar një takim kokë më kokë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.


Në konferencën e përbashkët për shtyp, Mogherini ka vlerësuar hapat e hedhur deri tani nga Shqipëria dhe reformat e ndërmarra për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa ka theksuar rëndësinë e reforms në drejtësi.


Kjo reformë është një çelës shumë i rëndësishëm i integrimit të Shqipërisë. Është një proces transformues dhe që shërben për shumë sektorë si biznesi, etj. Këtu ka shumë vend për përmirësim për të arritur potencialin e plotë, prandaj i kemi dhënë rëndësi kësaj reforme, ka thënë Mogherini.


Ajo ka përgëzuar institucionet shqiptare që kanë nisur këtë reformë dhe ka garantuar për vijimin e mbështetjes nga KE për implementimin e saj.


Diskutuam edhe për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Duhet vazhduar në këtë drejtim, ka vijuar Mogherini.


Teksa ka vlerësuar rolin e luajtur nga Shqipëria në Ballkan, shefja e diplomacisë amerikane ka nënvizuar se, viti i ardhshëm mund të jetë një shans për vendet e rajonit.


Jemi dakord që viti 2018 do të jetë një mundësi unike për rajonin në tërësi dhe Shqipërinë, që të përparojë në rrugën e integrimit. Jam e sigurt se presidenca bullgare e BE-së do të punojë ngushtë me rajonin. Jam e bindur se Shqipëria mundet dhe do ti përdorë 6 muajt e ardhshëm për të bërë hapa kyçe, ka shtuar Mogherini.


Ndërkohë  e pyetur lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri pas zbardhjes së hetimeve të prokurorisë italiane që implikojnë ish ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri Mogherini është shprehur se nuk dëshiron të bëjë komente mbi një hetim që vazhdon ndërsa theksoi se BE në mënyrë kategorike nuk ndërhyn në sistemin e drejtësisë së asnjë vendi.


15 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)