01/03/2005  Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, dekoroi dje Seksionin Shqip të Shërbimit Botëror të BBC-së me medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”. Në fjalën e tij, Presidenti Moisiu tha se programet e Radio BBC-së kanë tërhequr vëmendjen e tij që në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ishte e pushtuar. Vetëm me anë të kësaj radio, tha kreu i shtetit, ne kuptonim se çfarë po ndodhte në të vërtetë në ato vite, kur gazetat e tjera shkruanin vetëm për fitoret e nazi-fashizmit. Presidenti theksoi se kontributi i BBC-së në Shqip ka qenë i vazhdueshëm, veçanërisht në vitet e demokracisë. Moisiu tha se BBC, me emisione shumë kuptimplotë, jep informacione për zhvillimet në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë informon publikun shqiptar për ngjarjet në vend. “Dekorimi i sotëm është jo vetëm një detyrim ynë i prejkohshëm, por dhe shprehje e mirënjohjes për kontributin tuaj të madh që jeni duke dhënë në vazhdimësi”, tha Presidenti Moisiu, duke theksuar se ai vetë është një dëgjues i rregullt i emisionit të mëngjesit të BBC-së në shqip. Motivacioni i medaljes vlerëson “kontributin historik, që nga Lufta e Dytë Botërore e në vazhdim, për informimin e ndërgjegjësimin e publikut shqiptar për ngjarjet e vendit dhe ato ndërkombëtare” si dhe “rolin aktiv në zhvillimet kombëtare e transformimet demokratike në Shqipëri, si dhe për ndihmesën e dhënë në forcimin e miqësisë e të lidhjeve midis Britanisë e Shqipërisë”. Dekoratën në emër të BBC-së e mori drejtuesja e Departamentit të Evropës Juglindore, Zdenka Krinsman. Në ceremoninë e rastit në Presidencë merrnin pjesë edhe ambasadori britanik në Tiranë, Riçard Xhons, kryetari i Komisionit parlamentar për Mediat, Musa Ulqini, punonjës të Seksionit Shqip të Shërbimit Botëror të BBC-së, përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, bashkëpunëtorë të BBC-s ndër vite etj.