Në vitin 2010, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte njëri prej udhëheqësve më të adhuruar në mesin e arabëve. Profili i tij u forcua edhe më shumë gjatë Pranverës Arabe. Në shtetet, në të cilat të rinjtë u ngritën kundër tiranive të vjetra, shumë njerëz kanë theksuar se do të dëshironin një kryesues të llojit të Erdoganit.

Tepihët e kuq, rojet e nderit, janë gjëra, të cilat janë të rezervuara për politikanë dhe mbretër: për Recep Tayyip Erdoganin, Kajro organizoi një pritje, e cila zakonisht është e rezervuar për yjet e rokut. Kryeministri i Turqisë u prit nga mijëra njerëz në aeroport.

Regjimet totalitare zakonisht orkestrojnë pritjet masive për burrështetasit e huaj, por administrata e përkohshme në Kajro nuk kishte nevojë që ta bëjë një gjë të tillë për Erdoganin: kryeministri i Turqisë është i popullarizuar në pothuajse gjithë botën arabe, Në vitin 2010, ai ishte njëri prej udhëheqësve më të adhuruar në mesin e arabëve. Profili i tij u forcua edhe më shumë gjatë Pranverës Arabe. Në shtetet, në të cilat të rinjtë u ngritën kundër tiranive të vjetra, shumë njerëz kanë theksuar se do të dëshironin një kryesues të llojit të Erdoganit.

Një politikan i mirë e di se si të shfrytëzojë momente të këtilla: vizita në Kajro, nga mesi i shtatorit, ishte stacioni i parë i Erdoganit në shtetet e sapo çliruara të Afrikës së Veriut. Edhe në Tunizi dhe Tripoli ai u prit si hero. Më pas, erdhi momenti që Erdogani të ketë paraqitjen e tij edhe në skenën e madhe. Udhëtimi i tij arriti kulminacionin me vizitën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku presidenti amerikan, Barack Obama, duke injoruar kritikat e Erdoganit për politikën e tij në Lindjen e Mesme dhe grindjen diplomatike të Ankarasë me Izraelin, e lavdëroi Erdoganin për shkak se “ka treguar kryesim të jashtëzakonshëm në rajon”.

Nuk ndodhë shpesh qëc një president amerikan dhe rrugët arabe janë të një mendje. Por sikurse edhe njerëzit në Egjipt, Tunizi dhe Libi, edhe Obama po shpreson se qeveritë e reja, të cilat do të dalin në sipërfaqe nga hiri i diktaturave të vjetra, do t’i ngjasojnë asaj, që Erdogan e ka ndërtuar gjatë tetë viteve të fundit. Erdogani ka forcuar reputacionin ndërkombëtarë të Turqisë, e ka vënë nën kontroll ushtrinë e tij dikur tejet të fuqishme, ka ndjekur politikat ekonomike, të cilat kanë trefishuar të ardhurat për kokë banori dhe në pjesën më të madhe e ka ruajtur qëndrimin pro-perëndimor.

Është e vërtetë se nganjëherë ka pasur edhe qëndrime autokratike, duke dërguar armiqtë e tij në burg dhe duke frikësuar mediet. Shumë analistë politikë, si në Turqi, ashtu edhe në Perëndim, janë të mendimit se ai synon ta ndryshojë kushtetutën, për të siguruar më shumë kompetenca politike. Por për adhuruesit e tij, këto gjëra nuk janë asgjë, në krahasim me sukseset e tij.

Por ndoshta virtyti i tij më i madh është se modeli turk është skicuar nga një islamist: Erdogan dhe partia e tij AKP, zakonisht është mbështetur nga klasa konservatore dhe religjioze dhe janë vëzhguar me skepticizëm nga sekularistët. Për islamistët arabë, suksesi i Turqisë dëshmon se ata mund të modernizojnë shtetet e tyre, pa u shmangur nga besimet religjioze. Adhuruesit e Erdoganit në Perëndim e shikojnë nga një këndvështrim tjetër: si dëshmi se islami politik nuk është e thënë të jetë armik i modernitetit. Dhe nëse nevojitet një dëshmi për suksesin e Erdoganit, atëherë duhet të thuhet se partia e tij ka fituar zgjedhjet tri herë radhazi dhe atë bindshëm.

Por e mund të drejtojë rruga e Erdoganit Egjiptin, Tunizinë dhe Libinë drejtë stabilitetit politik dhe fuqisë ekonomike, të cilat gjëra i gëzon sot Turqia? “Nëse dëshirojnë ndihmën tonë, ne do t’iu ofrojmë çdo asistencë e cila ju nevojitet. Ne nuk e kemi mentalitetin e eksportimit të sistemit tonë”, deklaroi Erdogan gjatë vizitës së tij në New York.

Porosia e tij dërguar arabëve: duhet të jeni myslimanë të mirë, por sigurohuni që kushtetuta e juaj, si ajo e Turqisë, të jetë sekulare. “Mos ju frikësoni sekularizmit, ngase sekularizmi nuk nënkupton të jesh armik i religjionit. Shpresoj se regjimi i ri i Egjiptit do të jetë sekular”, tha Erdogan, në intervistën dhënë televizionit të Egjiptit.

Ishte ky njëlloj shoku për disa në radhët e Vëllazërisë Myslimane, të cilët theksuan se nuk kanë nevojë për leksionet e turqve.

Sidoqoftë, shumë politikanë në shtetet e Pranverës Arabe po modelojnë vetën, duke e marrë si shembull Erdoganin.

“Erdogani vesh kostum biznesi, por ai falet në xhami. Është kjo një gjë, me të cilën mund të identifikohemi”, deklaroi këtë verë në Kajro njëri nga udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane, Essam Erian.

Edhe përkundër prirjeve islamiste, qeveria e AKP-së ja ka shtrirë dorën Izraelit dhe regjimit sekular të Sirisë, të kryesuar nga Bashar Al Assad. Qeveritë e kaluara turke në rastin më të mirë kanë pasur marrëdhënie të ftohta me Damaskun.

Politika zero probleme me fqinjët gjithashtu i ka shërbyer edhe ambicieve ekonomike të Turqisë. Kompanitë turke me shpejtësi përhapën bizneset e tyre në fqinjësi dhe edhe më larg, para se gjithash në Afrikë.

Doktrina e re e Erdoganit në politikën e jashtme, e cila synon të shtojë ndikimin politik dhe ekonomik të Turqisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, është cilësuar si “neo-osmanizëm”. Por gara për ndikim në Lindjen e re të Mesme, e cila ka dalë në sipërfaqe pas Pranverës Arabe, do të jetë mjaft e ashpër. Irani, Egjipti dhe Arabia Saudite janë fuqi tradicionale të rajonit; në “ëmbëlsirë” gishtat i kanë përzier edhe amerikanët dhe evropianët.

Në fushën e politikës së brendshme, rishkrimi i kushtetutës do të jetë sfida e radhës e Erdoganit. Frika se ai do të devijojë nga rregulli sekular tani është zëvendësuar nga frika se ai do të koncentrojë më shumë kompetenca ekzekutive në zyrën e presidentit, për të kandiduar më pas vetë për këtë funksion.

Tani ekspertët nuk frikësohen më se Erdogani do ta shndërrojë Turqinë në një Iran të ri. Ata tani frikësohen se do ta shndërrojë Turqinë në një Rusi të re. (Time)