Një oficer i lartë policie në Izrael është pezulluar pasi në media u shfaqën pamje të momentit kur ai godet një protestues pro- palestinez në fytyrë me armë.


Shalom Eisner godet në fytyrë me armën e tij M-16 një qytetar danez, i cili po merrte pjesë në një protestë paqësore me biçikletë në West Bank.


Pamjet video kanë nisur të qarkullojnë në internet dhe tregojnë se si Andrea Ias rrëzohet përtokë dhe merret nga aktivistët e tjerë.


Ai u trajtua në një spital palestinez. Ne po ecnim ngadalë drejt ushtarëve dhe po këndonim këngë që bëjnë thirrje për çlirimin e Palestinës. Nuk besoj se ishte një provokim, tha ai.


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka dënuar veprimet e oficerit. Megjithatë një zëdhënës ushtarak tha se videoja e postuar online nuk reflekton komplet historinë. Ai tha se nga anarkistët ka pasur dhunë.