—— Ska pak kohë që është hapur në Orangerie ekspozita e paneleve të Claude Monet me nenyfaret e famshme të tij, të cilat i realizoi gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas. Piktori avangardë André Masson në vitet 50 i kishte quajtur me të drejtë sikstina e impresionizmit» për madhështinë që kishin. Në fakt, Monet donte ti firmoste dy panelet e tij në ditën e Fitores, pra Ditën e Amnistisë më 1918, për tia bërë dhuratë Francës dhe për këtë i shkruan mikut të tij të ngushtë Clemanceau, por miku i tij e bindi që të bënte dhe panele të tjera dhe plaku Monet vazhdoi, edhe pse gati i verbuar, të krijonte panelet e tjera me nenyfarë. Ato mbetën në atelierin e tij deri ditën që vdiq në vitin 1926 dhe pastaj ato i mori shteti francez. —–


Një shkrim për monenë në librin tim Përballë tablosë


—–


«Monet është për mua një Michelangelo i kohës sonë»


Chagall


—-


Kur Monet pikturonte «nenyfarë»


Sapo isha ndarë me mikun tim piktor Valdet Hamidi apo Valdet Kuçi në Honfleur, (ai është nga Kosova, por i ati i tij ishte nga Kuçi i jugut shqiptar) dhe mora rrugën drejt Giverny, në Normandinë e poshtme, ndalesë që më është bërë e zakonshme, pasi pikëtakimi me piktorin impresionist Monet, të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, është gjithnjë i këndshëm, është një prehje estetike, një shkulmë entusiazmi mes ngjyrave dhe impresioneve të thella. Valdet Hamidi ka interpretuar në një film artistik të televizionit japonez figurën e vetë Claude Monet, duke mishëruar artistin dhe dramën e tij, jetën me pasionin e tmerrshëm për artin dhe dramën e tij, pasi ngjashmëritë e tyre janë të mëdha: Valdeti është piktor, mban një kapele të madhe po ashtu si Monet, ka mjekër dhe është i bëshëm si Monet, me një fjalë, kur e shikon te punon para kavaletit të tij, menjëherë të ngjan se ke përpara të famshmin Monet.


Giverny është ballë qytetit të vjetër Vernon, që ende e ka një nga torat e larta mesjetare të tij. Duhet të kapërcesh urën mbi Seine, të marrësh djathtas mes një gjelbërimi të pafund dhe të ndalesh në fshatin e parë, përballë një dege të Seine-s, në shtëpinë ku ka jetuar dhe vdekur piktori i madh Claude Monet (1840-1926). Një vend i përmbytur gjithnjë nga njerëzit, turistët që vijnë nga njëri cep i Atlantikut, të bregut amerikan dhe nga cepi tjetër i Japonisë së largët, pasi japonezët habiten të zbulojnë pasionin e madh të piktorit francez për stampat japoneze, të cilat kanë mbushur faqet e mureve të shtëpisë së tij. Ai është nga të parët që bëri të njohur Hokusain japonez dhe gjeninë e vizatimit të artit japonez.


Shtëpia e Monet është po ajo shtëpi normande dykatëshe me çati. Atelieri i vjetër është kthyer në një dyqan gjigand, modern ku çdo gjë i referohet krijimtarisë së Monet, tablove me peizazhet dhe portretet e tij (Ah, ato gra me çadra janë gjithnjë shumë poetike dhe ajrore!), me copëza të historisë së tij, pasi Monet ishte një piktor prolifik. Një jetë duke krijuar. E megjithatë, tablotë e vërteta të Monet nuk janë aty. Kopjet nuk e joshin një amator apo njohës të artit, por kur viziton dhomën e piktorit, sallonin ku kalonte orët e shumta të tij, vendin ku vendoste kavaletin e pikturonte, paletat e tij, fotografitë, kuzhinën apo kur nga dritarja shikon atë krevat, shezlong, atë kopësht që lulëzon nga irisët dhe trëndafilët e shumtë, shpejt fillon ta ndjesh të afërt artistin edhe pse ai ka vdekur pothuaj një shekull më parë. Ti ndjen hijen, frymën e tij


Një ditë, tek i tregoja një mikes time nga Torino për Monet, ajo menjëherë lëshoi një pasthirmë: «Ah, nenyfarët e Monet!» Si duket, kjo ishte sinteza e Monet për të. Dhe nuk e kishte gabim, pasi nenyfarët e tij bënë epokë dhe mbetën të tilla në pikturën franceze të kapërcyellit të shekullit XIX, por dhe në traditën pikturale botërore. Madje njëzet vitet e fundit të jetës së tij, Monet u muar shumë me ato, dhe magjia e tij u shfaq në ngjyrë, në stil, në elokuencën e formave, një realitet që përcillej ashtu siç e shikonte artisti, shpirti i tij.


Padyshim, Monet ishte pikënisja e shkollës artistike të impresionizmit dhe kjo histori nisi me tablonë e tij të titulluar «Impresione, dielli në ag» (Impression, soleil levant), e cila u ekspozua në një ekspozitë të datës 15 prill 1874, të një grup artistësh «jo të denjë» sipas kritikëve zyrtarë, të prezantonin veprat e tyre në sallonet e artit parisian. Dhe ekspozita e tyre u hap nën siglën e «Shoqërisë Anonime të Artistëve të Bashkuar», ekspozitë kjo që ngjalli reaksione të ndryshme, duke kritikuar impresionizmin e Monet. Duke iu referuar tablosë së tij, një kritik i asaj kohe shkruante: «Eshtë efekti i një impresioni që të ndjek gjatë gjithë tablosë, duke ua lënë kërkimin e ekspresionit të pasionuarve të linjës». Një tjetër shkrim mbante si titull «Ekspozita e impresionistëve». Kështu lindi rryma e impresionizmit që gjithnjë e më shumë do të mblidhte rreth vetes piktorë që sollën një frymë moderne në pikturën franceze e botërore të fundit të shekullit XIX, të pasuar më pas me post-impresionistët. Pikërisht në këtë kohë ishin dhe kontaktet e Van Gogh me impresionistët përmes vëllait të tij, Théo, i cili si agjent tregëtar arti për një galeri të madhe, hapi dhe një ekspozitë të Monet në një bodrum të bulevardit Montmartre-s në vitin 1888. Në një letër që i dërgonte vëllait të tij, Van Gogh i shkruante: «Ti do të shohësh gjëra shumë të bukura nga Monet». Bëhej fjalë për një seri peizazhesh që Monet kishte pikturuar në brigjet e Antibes, në Côte dAzur, dhe ku para tablove, në prani të Maupassant, poeti i famshëm Mallarmé ishte shprehur: «Ky Monet është një piktor gjenial!»


Ndryshe nga piktorët e tjerë, Monet nuk nisej nga ndonjë vizatim apo «croquis», por drejtpërdrejtë ai hidhte ngjyrat mbi telajon e tij, sipas ngjyrave që shikonte syri i tij në peizazhin përpara: të tilla janë peizazhet e krijuara p.sh. në Trouville apo Etretat, me dallgët, shkëmbenjtë e thepisjeve buzë detit. Ai punonte madje me disa telajo paralel, hidhte ngjyrat, i linte pak kohë, rikthehej te telajo tjetër dhe kështu me rradhë, duke ndjekur dritën diellore që binte mbi peizazhin përpara dhe duke plotësuar kështu diçka më tepër në atë lojë drite, duke kërkuar gjithnjë efektet e ndryshme në njolla ngjyrash të copëzuara (nëse afrohesh do të shohësh njollën në telajo), çka i jepte pikturës një dinamizëm të veçantë. Këtë dinamizëm dhe energji lëvizëse (të impresioneve «instantanés»), të ngjyrave të fraksionuara, të copëzuara, e ndjen dhe kur shikon serinë e peizazheve të krijuara gjatë vizitës së tij në Venecie në vitin 1908, si në tablotë «Palazzo da Mula», «Palais ducal», «Le Gran Canal» apo «Saint Georges Majeur au crepuscule», ku impresionizmi është në kulminacionin e vet.


Zbres shkallët dhe marr shtegun e oborrit. Kaloj një portë dhe ja tek hyj në hapësirën e një kopshti të madh që më shumë i ngjan një pylli të vogël në miniaturë me pellgjet, nenyfarët, hijet e përjetshme të drurëve të lartë të mbjellë nga vetë dora e piktorit, atëherë kur i i gëzohej aq shumë natyrës, baseneve, urave «japoneze» prej druri, siç i shohim në shumë nga tablotë e tij, kanalet e ujit dhe veçanërisht nenyfarët që shtoheshin dhe që bënin të gëzohej vetë natyra, e sigurisht të shfaqeshin pastaj në telajot e tij. Monet ishte dhe kopshtari, dhe piktori, ai blente farërat, mbillte lule të kuqe, blu, të verdha, gjithfarë ngjyrash. Dhe këto imazhe vinin në tablotë e tij ku ishte vetë natyra në perfeksion edhe pse në një gjendje statike, por ku ndihej dinamizmi, çka ishte krijuar nga dora e mjeshtrit dhe peneli i tij. Duke parë nenyfarët e atij kopështi, ne menjëherë kalojmë nga këto imazhe në ato të tablove, ku është ajo lëvizje që vetëm një artist i madh e krijon. A nuk ishte i tillë dhe bashkëkohësi i Monet, Van Gogh, i cili tek pikturonte peizazhet e Auvers-sur-Oise, arat me grurë dhe korbat në qiell, lulet e diellit, vreshtat, lulëkuqet, apo dhe vetë kishën e atij fshati, gjithçka e jepte në lëvizje. Gjithçka vibronte


Variacione mbi temën


Përafërsisht kështu kishte ndodhur edhe pak vite më parë kur ai pikturoi një seri tablosh me katedralen e Rouen. Pikërisht atëherë kishin filluar ti lodheshin sytë. E megjithatë, në atë flu të madhërishme, të kërkuar me aq mjeshtëri nga peneli i tij, në tone rozë, gri, blu apo okër, imazhi i katedrales të shfaqej përmes një fluje të bukur dhe tepër sugjestionuese. Kush vallë i kishte pikturuar më parë imazhe të tilla? Piktorët e Renesancës nuk mund ti pikturonin kështu, pasi atëherë piktura kishte kode të tjera, kërkesa të tjera. Por seria e katedraleve të Rouen-it është paraprirë dhe nga një seri tjetër tablosh të pikturuara, kur Monet vizitoi Londrën më 1870 dhe kur në kthim, një vit më vonë, ai iu vu punës për tablotë londoneze të tij. Ishte po ajo mjegull që kishte ndeshur në tablotë e famshme të një Tourner apo Whistler, po ajo mjegull mbi parlamentin anglez, urat e Londrës, katedralja e famshme, etj, të cilat hidheshin tashmë mbi telajot e tij. Seria e tij mbi stacionin e trenave të Saint-Lazare në Paris, ku dikur kishte banuar për një kohë me gruan e tij Camille, i krijoi ngasjen të pikturonte në një mënyrë krejt të re: trenat në nisje, lokomotivat që shfrynin, stacioni brenda i mbytur nga avujt e trenave, transportuesit e qymyrit të lokomotivave, etj, gjithçka e përzierë në ato imazhe flu, avujsh, që i jepnin tablove të tij një dinamizëm të jashtëzakonshëm, impresione të një pranie direkte, ku jeta ishte në lëvizje, realiteti i kapur fluturimthi dhe që padyshim, do të kontrastonin më pas me paqen që sugjerojnë tablotë e nenyfareve të tij. Madje gjithnjë ai kërkonte të ishte një lloj novatori kur luante me efektin e «contre-jour» (kundër-drita), apo kur përdorte si telajo formatin e «hublot», që nënkuptonte formatin rrumbullak që kapte vizioni i syrit.


Kur vështron tablotë e mëdha të Claude Monet në Louvre apo në Musée dOrsay ku janë mbledhur një pjesë e madhe e veprave të impresionistëve, e veçanërisht në Muzeun Marmottan, ku gjendet një koleksion i rëndësishëm i pikturave të Monet, vizitori i zakonshëm nuk di hollësisht se jeta e piktorit ka qenë e vështirë, e dhembshme, në kontrast me peizazhet plot ngjyra apo figurat e vajzave me çadra, etj se shpesh herë atë e ka mbytur dhembja e madhe, trishti dhe lufta për të mbijetuar, për tu shpëtuar huadhënësve, siç kishte ndodhur dhe me letrarët e epokës së vet, Balzac apo Alexandre Dumas, e shumë të tjerë, pa përmendur këtu Van Gogh që veç një pikturë arriti të shesë gjatë ekzistencës së tij. Vizitori artëdashës nuk e di se një vit, kur Monet arriti të shesë 16 tablo, të gjithë paratë ia morën menjëherë huadhënësit. Një herë tjetër, kur gjykatësit i morën tablotë, meqë nuk kishte kthyer paratë, ai shkoi të vriste veten. Vetvrasje! Siç kishte ndodhur pak kohë më parë me Van Gogh Por Van Gogh mjerisht u vetvra! Sa e sa herë artisti shkonte kështu buzë greminës e pastaj në çastin e fundit, ishte arti që e ndalte, ishte tabloja e pambaruar që e thërriste. Duhej jetuar për artin, me artin Por nuk ishte vetëm varfëria, dëshpërimi, humbja e shpresës për një jetë më të mirë. Kështu, pas vdekjes së gruas së tij Camille, vdekje kjo që e goditi rëndë, ai arriti të shesë 17 tablo dhe përsëri të gjitha paratë duheshin për pagesën e qerasë së shtëpisë, pasi ndryshe do të duhej të dilte në të katër rrugët. Veç kësaj, ishin dhe piktorët akademikë, kritikët e ndryshëm, të cilët nuk e pëlqenin këtë art novator dhe që filluan ta bojkotojnë dhe ta kritikojnë ashpër artin e tij. Madje, një rast, disa kritikë njoftuan në gazetë se Claude Monet kishte vdekur dhe se të nesërmen në orën 11.00 do të mbahej një meshë në kishë. Kjo histori e zemëroi shumë. E megjithatë, Monet mbahej fort pas artit të tij, pikturës, pasionit të madh, edhe pse plagët i mbeteshin gjithnjë të hapura.


Në vitin 1884, kur u vendos në Giverny me dy fëmijët e tij dhe Alice, gruan e galeristit të tij (me të cilën do të jetonte, bashkë me gjashtë fëmijët e saj), një ditë i trokiti në atelier shkrimtari Guy de Maupassant, i cili atë kohë ishte një personazh simpatik dhe shkruante dhe për artet nëpër gazeta e revistat parisiane. Nga tablotë e mjeshtrit, sytë e shkrimtarit mbetën pas një tabloje që Monet e quante Efekti i shiut. Disa ditë më pas, në Gil Glas, i ngacmuar nga kjo tablo, Maupassant do të shkruante: «Monet i ka mbushur duart me një rrebesh detar, të cilin ai e mori dhe e hodhi mbi telajo. Ishte pikërisht shiu që kishte pikturuar, shiu që mbulonte dallgët, shkëmbenjtë dhe qiellin që mezi dukej në atë stuhi Vitin e kaluar unë e ndoqa piktorin Claude Monet në kërkim të impresioneve të tij. Nuk ishte thjesht një piktor, por një lloj gjahtari, pasi ai gjuante rrezen e diellit që binte mbi peizazhet, e kapte menjëherë dhe e hidhte mbi telajo


Monet do të jetonte gjatë dhe do të punonte shumë, gjer në fund të jetës së tij. Në vitet e para të shekullit XX, peshën e moshës ai e ndjente gjithnjë e më shumë. Po luftoj me natyrën, – u thoshte piktori miqve të tij, – ndjehem i lodhur dhe i ngathët, e megjithatë, me një dëshirë të flaktë për të pikturuar. Dhe të nesërmen ai i rivihej punës sërrish, atje në sallonin e tij, në kavaletin e tij të vjetër, me ngjyrat mbi paletë. Një botë ngjizej në ngjyra të gjelbërta, blu, të kuqe, të verdha dhe për tu shlodhur, artisti ecte krah nenyfarëve të tij të dashur, ndalonte mbi lulet, kujdesej për to, mbillte lule të tjera, që kopshti i tij, pellgjet që kishte ndërtuar me duart e tij, të ishin gjithnjë të lulëzuara. Gazetarëve që vinin për intervista në shtëpinë e tij ai thjesht u përgjigjej: Çtu them për veten time? Çtu them për një njeri që i kushtohet veçse pikturës së tij, kopshtit dhe luleve të tij?


E megjithatë, kritikët e kishin cilësuar Paganini i ngjyrave një muzikë ngjyrash, padyshim!


Në kërkim të dritës


Atë ditë në Giverny po lija nenyfarët dhe mu kujtuan dy vitet e fundit të jetës së piktorit aty buzë Seine-s, shqetësimi i tij për dritën, shqetësimi i tmerrshëm për të mbaruar tablotë e mëdha që do të vendoseshin në sallonet e «Jeu de la Paume», në «Place de la Concorde». I mjeri artist. Nga katarakti i syv të tij, në xhamat speciale «Zeiss» të ardhura nga Gjermania e më pas operacioni i syve, dhembja e padurimi për rifillimin e punës ishte e madhe dhe pastaj veç imazhe të turbullta, drita e zbehtë, ngjyra të thata, pa shkëlqime. Çndodhte vallë me sytë e tij. Por Monet donte të punonte. Akti i pikturimit ishte funksion i vetë jetës, ishte si uji dhe ajri, pa të cilat nuk mund të jetonte. Duhej të punonte, dhe në mjegull.  Dhe ai vendosej sërrish para kavaletit, me ngulmin e tij të përhershëm duke pikturuar në flu, tashmë me ngjyra të pastra, të papërzjera. Ai e dinte se ngjyrat që hidhte nuk ishin ato që shikonte syri i tij, por ato që kishte parë dikur, një jetë të tërë; po kështu dhe format, linjat, kompozimet ishte si të pikturonte në një mjedis të zymtë, flu (visions mentales), në mjegullën e një shpirti që me penelin e tij kërkonte dritën. Dhe ai e kërkonte me ngulm atë.


Tek ecja në shtigjet e atij kopshti në Giverny, më dukej sikur po shkoja pas hapave të vetë piktorit, mbi 80 vjeçar, pas atyre hapave që ndalonin hera-herës si për tu ngopur me ajrin e kopështit dhe ngazëllyer nga ngjyrat, ato ngjyra irisësh, nenyfarësh, zambakësh apo trëndafilësh, ashtu siç i kishte pikturuar ai. Monet e dinte se ishin po ato ngjyra që kishte ngjizur dikur në telajo. Ndërkohë kthehej në atelier dhe vazhdonte të hidhte ngjyrat për dekoracionet e mëdha mbi stinët. Tashmë po pikturonte Vjeshtën. Por shpejt tërhiqej duke pëshpëritur: Ah, sjam më i zoti për asgjë! Mu kujtua gjithashtu një pasazh nga jeta e piktorit kur pikërisht një vit para se të vdiste, miku i tij i ngushtë Georges Clemanceau, ish presidenti i Republikës dhe heroi i Luftës së Parë Botërore, i kishte dërguar një letër, ku patetik siç ishte «Plaku i Francës», Clemanceau i shkruante me shaka: Jam i lumtur të mësoj se përbindëshi jeton akoma dhe vazhdon betejat e tij Në një letër të mëvonshme, po Clemanceau i shkruante: Miku im i dashur, mendoj për ty dhe ndërkohë ju shoh në një Niagarë prej ylberi duke u grindur me diellin!…


Po, Monet ishte gjithnjë në kërkim të dritës, me sytë e tij të verbuar.


E zeza nuk është një ngjyrë


Muaj do të kalonin dhe shirat do të afroheshin sërrish. Viti 1926. I shqetësuar për shëndetin e mikut të tij, Clemanceau kishte shkuar përsëri në shtratin e Monet dhe i dëshpëruar, i kishte marrë dorën në duart e tij, duke i thënë: A po vuan? – Jo! – ishte përgjigjur Monet, por pak minuta më vonë kishte vdekur para tij, duke lëshuar një grahmë të lehtë.


E madhe ishte dhembja e Georges Clemanceau. Të nesërmen që Monet do të varrosej, Clemanceau u shfaq sërrish edhe pse ai po i afrohej të 90-ave. Kur pa që qivurin e kishin mbuluar me lule, ai i kishte hequr ato. - Nuk duhen as lule e as kurora! Dhe duke vështruar pastaj cohën e zezë sipër qivurit, ai e kishte hequr menjëherë: Jo ngjyrë të zezë për Monet! E zeza nuk është një ngjyrë Dhe Plaku i Francës, ashtu si të tjerët, kishte ndjekur karrocën që shkonte drejt varrezave. Madje ai qëndroi në cep të varrit gjersa varrmihësit e ulën poshtë, nga ku u dëgjua zhurma e mbytur e shembjes


Monet shkonte në botën tjetër duke lënë pas, një botë ngjyrash në pikturat e tij. Atë ditë njerëzit shikonin ende tablotë e mëdha të nenyfareve apo nymphes, ato që i shohim sot në muzeumet e mëdha të botës. Dhe duke parë ato, secili entusiazmohej dhe ndjen shpirtin ti ngrihet lart. Dhe sot, ne mund të pyesim: Zonjë, zotëri, doni të preheni, doni të deheni, siç porosiste i madhi Baudelaire? Qëndroni para një tabloje të Monet dhe vështroni, mundësisht nenyfarë. Aty është mbretëria e ngjyrave; është bota e paqtë, hijeshia, përsosmëria, prehuni, se njeriu i lodhur nga kjo jetë plot andralla dhe keqkuptime ka nevojë të dehet me natyrën dhe brenda një salle muzeu, dhe para një tabloje


—–


Luan Rama


7 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)