SHKRUAN: Ilda Lumani 22-07-2011 10:47

Vizita e saj dy ditore në Tiranë është e mbushur me takime me mikesha dhe miq. Edhe ne e gjejmë ndërsa drekon tek “Colis”, lokali i mikeshës së saj Ema, e rrethuar nga të tjera gra (personazhe të jetës aktive në Shqipëri) që shtohen herë pas here. Ndonjë ikën e ndonjë tjetër vjen për t’u çmallur me të. E njëjta gjë ndodh edhe gjatë bisedës sonë me të. Atë, shpesh e ndërpresin të njohur që sapo e shohin e përqafojnë, duke i bërë komplimente për flokët e prerë shkurt dhe mjaft ekstravagante, për ngjyrën e plazhit që ka marrë, për formën e mirë fizike, - edhe pse vetë Monika thotë se është shëndoshur pak… Në fakt, kilogramët gjithmonë kanë luajtur me të. Megjithatë, këtë herë nuk janë aq shqetësuese. Monika Kryemadhi, një nga gratë politikane më të njohura në Shqipëri, bashkëshorte e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vjen sot në gazetën “Mapo” për të ndarë me ne jetën e saj në shtëpinë në Gjirin e Lalëzit, marrëdhëniet me fëmijët e saj, kapriçot e tyre, dëshirën për të shtuar familjen edhe me një djalë… por nuk mungon as këndvështrimi i saj për zgjedhjet e fundit elektorale, apo edhe për mënyrën sesi ajo dhe bashkëshorti i saj, Iliri, kanë përjetuar procesin gjyqësor ndaj tij! Por le t’i zbulojmë të gjitha këto përmes kësaj interviste të këndshme!


Monika, je “zhdukur” nga kryeqyteti këto kohë. Largimi ka të bëjë me periudhën e verës vetëm?


Është një miku im që thotë “në kohë lufte Monika lulëzon, në kohë paqeje Monika vdes”. Mbas zgjedhjeve të 8 majit, sigurisht që angazhimi im maksimal përfundoi, kështu që dhe iu përkushtova këtyre muajve të verës fëmijëve. Besoj që në shtator do të ketë një rikthim prap. Në fakt, njerëzit janë mësuar që gjithmonë Monikën ta shohin nëpër televizione, protagoniste, etj, por mesa duket të gjitha gjërat vijnë me moshë, me kohë. Në këtë fushatë zgjedhore, procesi im nuk ka qenë i dukshëm, por i nëndukshëm, dhe konsistonte në pjesën organizative, në pjesën e padukshme të fushatës elektorale. Atë që njerëzit nuk e shikojnë dhe kjo i ka bërë njerëzit ndoshta edhe pak dyshues, dhe të thonë ku është Monika?


Përsa i përket fushatës, kandidatja e LSI-së, Erisa Xhixho, të cilën ju e keni mbështetur mjaft, nuk fitoi në minibashkinë ku kandidonte. Ka një lloj zhgënjimi në këtë mes, për investimin tuaj në këtë rast?


Politika është si ashensori. Hipën dhe zbret sipas kateve që ti shtyp herë pas here. Ndodh që ndonjëherë ti shtyp padashje bodrumin dhe zbret në bodrum. Ndonjëherë shtyp katin e 11 dhe ngjitesh lart, etj. Sigurisht që kjo ka haluçinacionet e saj. Pavarësisht pozicioneve të kandidatëve për minibashkitë, ku 2 u fituan dhe 2 nuk u fituan, ne ishim në kushtet e koalicionit, i cili ishte një koalicion i ri. Pra nëse në 2007-ën ne ishim në koalicion me Partinë Socialiste, në këto zgjedhje ne ishim në koalicion me Partinë Demokratike, ku vinim me kushte të tjera, me elektorat të ri dhe me një lloj strategjie tjetër. Pavarësisht nga kjo, sigurisht që ne kemi bërë analizat tona dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë, për të nxjerrë defektet dhe gabimet, pasi ne nuk mund të themi se jemi të pagabueshëm. Por e rëndësishme është se në total, LSI mori më shumë vota si parti se të gjitha zgjedhjet e tjera, gjë kjo që tregoi se është bërë një punë e madhe, duke pasur parasysh edhe kushtet në të cilat ne ishim.


Por nëse i referohemi Erisës, ajo ishte një personazh mjaft i promovuar dhe pritshmëritë tuaja (si LSI) kanë qenë për më tepër…?


Unë do ta quaja fitore atë të Erisës, pasi Erisa vërtet nuk mori post, por ajo fitoi politikisht. Dhe të mos harrojmë se ajo është vetëm 25 vjeç. Ne fituam një njeri, një figurë politike, e cila është tashmë prezente në media jo vetëm si kryetare e forumit rinor, por si një vajzë që merr përpara sfida dhe u bën sfidë sfidave shumë të forta, që ndoshta shumë politikanë nuk do të guxonin ta merrnin përsipër një iniciativë të tillë. Të gjithë që mendonin për të kandiduar në njësinë bashkiake nr. 5 do ta kishin të vështirë. Gjithsesi, aty diferenca ka qenë me 7 mijë vota, dhe Erisa doli me 4 mijë e ca vota diferencë. Gjë, që në një farë mënyre ngushtoi diferencën në radhë të parë. Por të mos harrojmë se Erisa solli edhe një frymë të re, solli imazhin e një vajze të re, duke treguar se gjërat nuk janë monopol të një apo tjetri politikan, por janë edhe një pjesë e një brezi të ri që ajo përfaqësonte. Po ta shikoni vetë, fushata e Erisës ishte një risi në politikën shqiptare, një fushatë e paqtë, gjë të cilën ne jemi mësuar ta kemi. Gjithmonë shohim negativitet dhe agresivitet në fushatat tona elektorale. Ishte një fushatë pa fyerje, pa sharje, pa sulme, pavarësisht se nga palët kundërshtare u tentua që të bëhej agresive dhe e dhunshme, po pavarësisht kësaj Erisa tregoi që ishte vajzë e zgjuar, i shmangu këto gjëra dhe shkoi aty ku duhej. Pavarësisht se nuk kemi një fitore të minibashkisë, Erisa është pedagoge në Fakultetin Juridik, Erisa është aktive në politikë, është nënkryetare e LSI, pra posti në të cilin ajo kandidonte kishte më shumë të bënte me imazhin e saj politik dhe me krijimin e një figure të re politike, sidomos të një gruaje a vajze të re, gjë që ne rëndom po shikojmë sado që mundohemi sjellim imazhe, ndonjëherë edhe të stisura, të copëtuara politikisht.


Ka shumë gra të tilla, të stisura në politikën shqiptare sot?


Po, ka se nuk është e kollajshme sot të merresh me politik. Dhe të merresh me politikë, duhet ta fillosh që në moshë të re, siç e ka filluar Erisa që në moshën 14-vjeçare.


Edhe ju vetë…!


Po, edhe unë. Po njeriu duhet të dijë të bëj dallimin kur duhet të shfaqet, kur duhet të largohet pak, pasi njeriu gjithmonë ka nevojë të riformatohet vetë, pasi politika vetvetiu është konsum. Njerëzit mendojnë se politika është fitimprurëse dhe vërtetë mund të ketë gjëra që sjellin gjëra të reja, por në fund të fund njeriu konsumohet sepse nuk mund të kesh vetëm miq. Në politikë ke miq dhe armiq. Armiqtë gjithmonë mundohen të të dëmtojnë. Ashtu sikurse edhe miqtë, gjithmonë mundohen të të rikuperojnë. Kështu që për një grua, është akoma edhe më e vështirë. Pasi një grua e ka të vështirë të përballet me konflikte nga më të ndryshme. .....Dhe politika ne themi që është “e pistë”! Por, që sigurisht ka ato të mirat e veta, të cilat kur ke një sukses, ti merr një sadisfaksion të madh dhe kur je pjesë e saj nuk largohesh dot. Prandaj del dhe ajo fjala “jep një lek për të hyrë në valle dhe pastaj jep 100 dhe nuk del dot”.


Për bashkëshortin tuaj, Ilir Meta, nuk ka qenë një periudhë e mirë kjo, le të themi përsa i përket procesit gjyqësor ndaj tij. Ju vetë Monika, cila ka qenë gjëja që ju ka rënduar më shumë gjatë kësaj kohe?


Unë nuk do ta shikoja kështu; dua të them se Iliri është një njeri që gjithmonë luftës i ka qëndruar në ballë, nuk ka bërë devijime dhe ndoshta në politikën shqiptare ne jemi mësuar që gjithmonë shpifim, shpifim për politikanët e ndodh që asnjëherë nuk i shkojnë deri në fund këtyre çështjeve. Dhe unë mendoj që taktika që zgjodhi Iliri për ta çuar çështjen deri në fund, është shumë pozitive dhe për të ardhmen. Ne duhet të kuptojmë një gjë, që ose duhet të paguajë ai që shpif, ose duhet të paguajë ai që ka bërë veprën. Dhe për mua kjo është pozitive, duke pasur parasysh që Ilir është një njeri luftarak ai do t’i shkojë deri në fund. Jam e bindur në pafajësinë e tij!


Po inkurajimi më i madh në këtë kohë?


Por nuk është se Ilir Meta ka pasur nevojë për ndonjë inkurajim sepse në të gjithë jetën e tij politike, Ilir Meta luftëra ka pasur dhe madje është bërë ‘serfist’ i paparë. Në karrierën e tij Ilir Meta gjithmonë ka rrugëtuar përmes dallgëve. Karriera politike e Ilirit gjithmonë ka qenë një luftë e vazhdueshme. Thonë se e ka vetëm Ilir Meta këtë gjë. Por Ilir Meta, siç ka emrin është edhe vetë, është i lirë. Nuk pranon të jetë peng i askujt dhe kjo është një ndër arsyet që me Ilir Metën nuk mund të bësh dot çfarë të duash, nuk e kushtëzon dot, nuk e mban dot peng, nuk i bën dot shantazh, se ky është edhe morali i tij. Se po të ishte, do ishte bërë si shumë politikanë të tjerë, që ne i shohim sesi kanë përfunduar sot.


Monika, le të rikthehemi tek ju. Mungesa juaj në Tiranë është shoqëruar me thashetheme që kanë të bëjnë me shëndetin tuaj. Si jeni realisht me shëndet?


Gëzoj shëndet të plotë dhe sigurisht që kjo ka qenë përsëri në kuadrin e fushatës elektorale. Me thënë të drejtën, fillimisht më bëri përshtypje se nuk mendoja se mund të ishin kaq të ulët për të thënë gjëra kaq ordinere. Madje, dëgjoja që mamaja ime ua kishte thënë llojin e sëmundjes, apo vetë doktoresha ime kishte thënë, etj. Gjëra nga më të ndryshmet. Por ajo që është më qesharakja, është se informacioni që mora ka dalë nga kampet kundërshtare. Kështu që le të jenë të gjithë të qetë, gëzoj shëndet të mirë në të gjitha drejtimet, nuk kam asnjë dhëmballë të sëmurë, gjithë gjërat i kam mirë. Nuk kam qenë asnjëherë e sëmurë! Fakti që gjithmonë janë mësuar të më shikojnë shpesh në televizione, u ka dhënë edhe më shumë krah këtyre thashethemeve. Dhe faktikisht fjalët dhe pyetjet që janë bërë, janë bërë nga njerëz që gjithmonë janë dashakeqës ndaj meje. Kështu, që kjo është mesa duket pjesë e fushatës së tyre elektorale, gjë që kjo tregon edhe nivelin e ulët, pasi konkurrencën politike nuk mund ta bësh duke sajuar gjëra të tilla, që kanë të bëjnë me shëndetin tim. Po ja edhe sikur të isha unë sëmurë, çfarë do të fitonin?! Kemi dëgjuar shumë gjëra, thashetheme pafund, por mesa duket ashtu si në gjithë botën edhe Shqipëria nuk mund të shpëtojë sajesave apo edhe gjërave nga më të pështirat. Megjithatë, njeriu bën thashethem për një fustan, por jo për shëndetin e dikujt! Për më tepër, kur është kollaj e kuptueshme. Mua nuk më bën më përshtypje, pasi nuk është hera e parë kjo që më ndodh. Mbaj mend që edhe në vitin 2002, kur dha dorëheqjen nga kryeministër Iliri, nxorën një histori të ngjashme që unë isha sëmurë, që po vdisja, etj. Gjithmonë sa herë që jep dorëheqje Iliri, në fakt nxjerrin nga një histori të tillë. Është kjo lloj strategjie, e mesa duket është i njëjti sistem njerëzish që përhapin thashetheme, me të cilat duan të ndikojnë sadopak në ambientin tonë familjar për të krijuar situata të pakëndshme. Por kjo gjë për mua dhe Ilirin nuk është bërë asnjëherë problem. Jemi mësuar, jemi regjur në këtë drejtim.


Përsa u përket pushimeve, do të vijojnë në shtëpinë tuaj, në Gjirin e Lalëzit, apo keni bërë plane për të lëvizur nëpër Shqipëri apo edhe jashtë saj?


Kemi disa ide. Duam të shkojmë rreth 4 ditë nga jugu i Shqipërisë, duam të ikim në mal ndërkohë, nja dy-tre ditë duam të ikim në Tomorr, pra janë disa plane që ende nuk janë stabilizuar, derisa edhe të mbyllet procesi parlamentar për këtë sezon. Nuk është vendosur ende konkretisht, pasi ne historikisht nuk bëjmë plane të mirëmenduara, ne vendosim minutën e fundit dhe nisemi. Por, në përgjithësi pushime aktive kemi pasur gjithmonë, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, sepse edhe fëmijët tani janë rritur, kanë mosha të ndryshme dhe kërkesa të ndryshme. Ndryshe do Bora, ndryshe Besari, ndryshe Era.


I miratoni gjithë kërkesat e tyre?


I miratojmë me dhimbje të madhe sepse për mua dhe Ilirin nuk janë më pushime dhe kjo është një lojë. Unë them se për gratë sidomos, pushime nuk ka. Përsa i përket shtëpisë në plazh, unë gjithmonë them se është shfrytëzimi i njeriut ndaj njeriut. Dhe nëse doni të shihni si shfrytëzohet një njeri, çoni një grua në plazh me familjen e saj për ta parë se ç’ndodh.


Si është një ditë juaja në shtëpinë në plazh?


Gatuaj. Presim e përcjellim njerëz, bëjmë plazh sigurisht, luajmë, notojmë. Është ditë mjaft e ngarkuar sepse kemi shumë miq dhe shokë apo komshinjtë që na vijnë, por edhe fëmijët, sidomos vajza e vogël, na kushtëzon jashtëzakonisht shumë për të lëvizur.


E ka mësuar notin tashmë?


Aty në të mësuar është. Por që do akoma përkushtim. Jeta atje gjithsesi ka intensitet. Luajmë volejboll, sidomos Bora, vajza e madhe luan volejboll. Jam e lumtur se ka një avantazh që të tre fëmijët kanë rrethin e tyre shoqëror atje dhe kjo e bën pozitive, të pasurit të shoqërisë së tyre. Fëmijët dalin në mëngjes e kthehen në darkë, në kuptimin e aktiviteteve. Kjo është shumë domethënëse dhe thelbësore, sepse nëse fëmijët nuk i ke rehat, asnjëherë nuk quhesh rehat ti vetë. Janë të paadministrueshëm në këtë drejtim.


Verën e sheh më shumë të lodhshme në këtë pjesë?


Ka një gjë në fakt, ndoshta edhe mosha në të cilën unë jam të krijon atë dyzimin mes pushimeve me fëmijët apo pushime vetëm me Ilirin. Kur je më e re, ke prindërit që të ndihmojnë me fëmijët, por tani që edhe ata janë rritur nuk mund t’i lësh me prindërit. Kështu që fëmijët i ke posesiv ndaj teje, je i kushtëzuar për të ndenjur me ta. Tani edhe kur shkoj tek parukieria për të lyer flokët, duhet të marr mendimin e fëmijëve. Edhe tani që i preva flokët e shkurtra me këtë model, paksa ekstravagant, më duhet të merrja mendimin e tyre, Bora ishte e dyzuar, filloja dhe unë të ndikohesha. Derisa i lashë flokët në duart e Gazit, parukierit tim. Duke i thënë bëj çfarë të duash. Pas kësaj Era, e vogla, tha dua ti pres dhe unë, pak më vonë u bë pishman e më thoshte zgjati flokët, pra je gjithmonë skllav i fëmijëve të tu. Dhe mezi pres që të filloj shkolla, që të fillojë liria me kushte e jona në këtë drejtim, pasi ikin në mëngjes dhe vijnë në orën 3.30. Këtë vit do ta kemi pak më të vështirë, pasi fillon dhe Era klasën e parë, kështu që jemi pak në tension dhe ne me të.


I keni filluar përgatitjet për të?


Po, uniformën e kemi blerë. Por duhet të blejmë çantën, lapsat, fletoret etj. Edhe pse e di që kemi për t’i blerë dy-tri herë. Por që kemi kohë.


Monika, po fëmija i katërt është ende në plan?


Po! E diskutuam madje. Po nuk po biem dakord me vajzën e vogël. Diskutonim me Ilirin një ditë për këtë gjë, pasi unë kam dëshirë të kemi edhe një djalë, se mendoj që vëllai duhet ta ketë një vëlla e motra një motër. Mua për veten time më ka munguar motra, sikurse edhe vëllait tim, vëllai. Dhe i thamë Erës që do bëjmë një vëlla të vogël. Reagimi i saj ishte ”në asnjë mënyrë, po erdhi edhe një fëmijë tjetër në këtë botë, mua ju do të më harroni fare, nuk do të kujdeseni më për mua, unë do ndihem shumë keq, do ndihem e braktisur” dhe filloi të qante me lot. Dhe unë u preka, dhe i thashë që nuk do bëj jo vëlla. Menjëherë Era, tha “ok, shumë mirë ika unë tani”. Një aktore e vërtetë, e paparë. Është shumë interesante, në fakt është energjike dhe goxha aktive si fëmijë. Ndryshe nga dy fëmijët e tjerë që janë më të qetë. Kanë qenë më të urtë. Problem i asaj është se duke qenë pjesë e një ambienti të madh, i është dashur shumë të kërkojë vëmendje. Kur lindi Bora, vëmendja e gjithë ishte tek ajo, tek Besari, prapë ai ishte djalë e prapë u kthye një vëmendje ndaj tij, ndërsa kjo nuk ishte risi në familje. Por Era, ta merr me zor vëmendjen. Për shembull asnjë nga dy fëmijët e tjerë nuk e ka pritur Ilirin deri në orën 1 të natës. Ajo e prêt tek dera, sa ai vjen e puth dhe ikën e fle. Ose ka momente të përgjërohet për ca gjëra që ti thua ku i gjen këto shprehje dhe të bën për vete.


Mosrënia dakord e Erës, po ju lëkund planet atëherë?


Jo, aspak. Kjo është në dorë të zotit nuk diskutohet, por edhe në dorën tonë. Por çdo gjë ka edhe kohën e vet dhe unë e Iliri ende të rinj jemi kemi kohë (qesh)!