Monika Qosja do të jetë deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse e renditur e shtata në Qarkun e Beratit për Partinë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, ajo pritet të marrë mandatin e ligjvënëses brenda 30 ditëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.


Qosja do të zëvendësojë kështu Eduard Halimin e dorëhequr këtë të premte.


Në listën e Beratit, Eduard Halimi ndiqej nga Astrit Veliaj, Lefter Maliqi, Bujar Hoxhaj, Myslim Haxhin, Juvina Jani.


Për shkak të kuotave gjinore, mandati i ish-ministrit të Drejtësisë i kalonte direkt Juvina Janit. Por kjo e fundit, e kontaktuar nga Top Channel ka deklaruar se do të refuzojë ftesën për tu bërë anëtare e Parlamentit shqiptar për arsye familjare.


Automatikisht mandati i kalon Monika Qosjes.


Eduard Halimi dorëzoi mandatin e deputetit këtë të premte. Siç bën të ditur edhe vetë në postimin e tij në Facebook, arsyeja se përse ish-ministri i Drejtësisë ka marrë këtë vendim është sepse do ti përkushtohet një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një rrjet ballkanik.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)