Kush ka kaluar këto kohë në rrugën këmbësore që të çon në Akademinë e Shkencave, e ka parë se vendi ku më parë ishte monumenti i Fan Nolit ka qenë bosh. Pas një sërë shpërnguljesh, së fundmi kishte përfunduar në një rrëzë të ngushtë pas rrënojave të zbuluara nga kalaja e vjetër e Tiranës. Në fakt ka qenë një shpërngulje e monumentit nga skulptori Thoma Thomai, i cili është edhe autori i tij. Para dy ditësh monumenti u vu sërish, këtë radhë më në krah të Akademisë së Shkencave, në një shesh të dukshëm, mbi një piedestal shumë të hollë. Monumenti është sjellë në këtë shesh pasi ka kaluar një periudhë më shumë se dy mujore në një fonderi private ku është restauruar dhe pastruar. I punuar në bronz, nga zhvendosjet e njëpasnjëshme, në rastin e rregullimit të rrugës këmbësore, vepra kishte pësuar një të çarë në gjoks, e cila është riparuar. E bërë si një iniciativë private, autori ka dashur ti japë këtij monumenti vendin e merituar. Ndonëse nuk dëshiron të flasë as mbi fatin e kësaj vepre dhe as të japë detaje mbi procesin, Thoma Thomai edhe më parë, duke iu referuar statujës së Nënë Terezës, e cila është vendosur në një cep të Korpusit, është shprehur se 100-vjetori i Pavarësisë nuk duhet ta gjejë Tiranën me një sjellje të tillë ndaj monumenteve. Monumenti i Fan Nolit, i realizuar nga Thoma Thomai, nuk është një paraqitje realiste e Fan Nolit, por një figurë monumentale e dalë nga një konkurs kombëtar. Pikërisht për këtë trajtim që i është bërë kësaj figure të njohur, shpesh ka pasur edhe kritika në drejtim të autorit. Tashmë monumenti i Fan Nolit është në kontakt më të drejtpërdrejtë me publikun, pas disa zhvendosjesh, madje edhe zhytjesh prej disa centimetrash në beton, që e kishin dëmtuar.


Monumenti Shpërngulet Fan Noli burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip