Policia Kufitare e doganës së Morinit në Kukës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, ku në pranga ka rënë një 44-vjeçar nga Kosova.


Shërbimet  e Policisë Kufitare Morinë, në zbatim të planit të masave për  parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, si dhe vënie para përgjegjësisë ligjore të autorëve, arrestuan në flagrancë shtetasin kosovar; -Hamdi Mavriqi, 44 vjeç, banues në  Prishtinë, Kosovë.


Policia ka sekuestruar 3 armë zjarri Pistoletë, tip “Glock” si dhe 25 fishekë luftarakë.


Ky shtetas u paraqit në sportelin në hyrje të P.K.K.Morinë, i cili udhëtonte me mjetin e tij tip Seat, dhe u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare,  për kontroll më të detajuar në vijën e dytë.


Gjatë kontrollit fizik, poshtë xhupit ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 armë zjarri Pistoletë, tip “Glock”, 25 fishekë.


Armët e zjarrit, municioni luftarak si dhe automjeti   u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.


Vijon puna për identifikimin e autorëve të tjerë të implikuar.


Materialet në ngarkim të shtetasit Hamdi Mavriqi, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.


15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)