Nga Mero Baze


 


Nuk hyj tek ata që duhet ti kërkoj PD-së dhe Berishës të urojë policinë për kapjen e hajdutëve të bankave. Njeriu nuk mund të urojë me zor, për tu dukur sikur është gëzuar. Sidomos kjo nuk vlen për PD-në dhe veçanërisht Berishën, që pas tre grabitjeve, i kanë caktuar vetë grabitësit. Për grabitjen tek Stacionit i Trenit akuzuan Safet Gjicin, për grabitjen në Kashar dhe Rinas, Saimir Tahirin. Fati i ndihmoi skenarit të tyre, që banda të bënte tre grabitje radhazi, dhe tani nuk ia vlen të kërkojnë ndjesë apo të lavdërojnë policinë.


Por ajo që nuk kuptoj dot, është pse opozita nxin. Portalet e Zenit kanë shpërndarë një version gjysëm qesharak, duke e trajtuar lexuesin e tyre si idiot, që këta të arrestuarit janë aktorë të Kinostudios, që duan të dekurajojnë opozitën për protestën e 18 shkurtit. Nuk është puna se është qesharake shpikja e aktorëve, por qëllimi i aktorëve.


Përse duhet të dekurajohet opozita, se janë kapur hajdutët e bankave?


Askush nga qeveria apo vetë Saimir Tahiri, nuk kanë thënë që hajdutët kanë financuar me paratë e tyre protestën e 18 shkurtit dhe meqë u kapën, do ngelen dhe protestuesit pa lekë. Askush nga qeveria nuk e ka keqpërdorur detyrën të lidhë opozitën me bandën e grabitjeve, edhe pse mund të ketë individë afër tyre. Banda ka pasur axhendën e vet, që nuk ka lidhje me axhendën e opozitës. Por e keqja është se ngaqë opozita nuk ka axhendën e vet, kishte marrë axhendën e bandës dhe po e përdorte politikisht.


Tani që banda e grabitësve u kap, duke se opozita ka ngelur pa axhendë dhe nxin e tëra, sikur të kenë kapur në sportel të bankës Lulzim Bashën dhe jo pesë hajdutë.


Vendosmëria e tyre për tu bërë edhe qesharakë, mjafton që të mos pranojnë se banda është kapur nga Policia e Shtetit, nuk tregon se banda është e tyre, por se ata kanë dorëzuar fatin e tyre, tek fati i bandës. Mërzitja që lexohet në fytyrën e vrerosur të Berishës, në sytë e hutuar prej bufi të Lulzim Bashës dhe natyrisht në lajmet aluçinante të ushtrive të Zenit në portale e rrjete sociale, tregon më së shumti se sa shumë e ka ëndërruar lidershipi i opozitës një histori si kjo e vjedhjes së bankave.


Tani që as Safet Gjici nuk i paska vjedhur lekët për fushatën e Kamzës, as Saimir Tahiri nuk i paska vjedhur bankat për zgjedhjet e ardhshme,.tani që të arrestuarit janë para drejtësisë dhe po pranojnë grabitjen, opozita mendon se ky është një atentat ndaj 18 shkurtit, kur ata do të dalin në protestë. A thua se sponsorët kryesorë të 18 shkurtit ishin banda e hajdutëve të bankave.


Aq shumë e reflektojnë mërzitjen drejtuesit e opozitës dhe ushtarët e Zenit për këtë që ka ndodhur, sa duket sikur kanë arrestuar shtabin e protestës dhe jo pesë hajdutë ordinerë. Në këto kushte është torturuese tu kërkosh të lavdërojnë policinë, apo të përgëzojnë atë, për profesionalizëm. Edhe më e tepëruar ngjan tu kërkosh falje për akuzat. Këto zor se u shkojnë në mend ti bëjnë ndonjëherë, se nuk e kanë as traditë. Por diçka mund ta bëjnë, po të shtrëngojnë pak dhëmbët. Të mos duken të mërzitur dhe të vrerosur, se duket sikur u kanë ik lekët nga duart.