Nga Prof.asc Eliona Demaliaj*


Dje në Spitalet e Tiranës janë shpëtuar shumë jetë, kështu ka ndodhur dhe në spitalet e tjera  rajonale në Shqipëri.


Kjo gjë nuk bën lajm sigurisht , sepse ne kemi bërë punën tonë, por duhet treguar se mjekët, në shumicën e rasteve, ndihen mirë me përkushtimin dhe me çdo jetë të shpëtuar nga duart e tyre.


Mjekësia nuk është shkencë ekzakte dhe fatkeqësisht ka humbje njerëzish përgjatë rrugës sonë profesionale.


Mjekët, shpeshherë të pafaj për komplikacionet e ndodhura, anatemohen në mediat apo rrjetet sociale dhe portretizohen si kriminelë apo të paaftë.


Komentuesit harrojnë që mjeku është njëri prej nesh, ka fëmijë, familje,rreth shoqëror, dashuron dhe vuan si gjithë Humanët, por me një ndryshim nga të tjerët;


I ka parë më pak ata, u ka kushtuar më pak vëmendje, kohë apo kujdes sepse i është dashur të punojë me tre turne, të studiojë me tre turne dhe pse jo,të vuajë për rastet e humbjeve në punë apo komplikacioneve të ndodhura.


Rasti i Dr. Tefik Zhurdës është për tu vlerësuar për empatinë e paraqitur dhe ndërgjegjen profesionale dhe zemrën humane.


Dr . Tefik Zhurda është një baba i mirë, la jetën e vet peng,  në këmbim të jetës së Blertës që humbi në një fatkeqësi pa faj me zemrën e bardhë të profesionistit të zotë.


Kjo vuajtje është hyjnore. Dëshmon humanizëm dhe profesionalizëm që i mungojnë kësaj shoqërie. Ky sakrifikim është abrahamian, është ushqyes për të gjithë ne.


Dr. Tefik Zhurda ka shpëtuar me qindra jetë gjatë punës së vet profesionale në Spitalin e Traumës. Ka shërbyer me devotshmëri dhe ndershmëri, ndërkohë puna dhe mundi, nuk iu pasqyruan ndonjëherë në media, nuk e bënë me çmime e vlerësime, madje nuk e bënë as të pasur.


Por fitoi vlerësimin e kolegëve të vet që e dinin, se ai u gjendej në krahë dhe shërbente me ndershmëri.


Fitoi vlerësimin e klasës së mjekëve që sot po e mbështesin të bindur që ai ka bërë punën e tij me profesionalizëm dhe të trishtuar për rrjedhën që morën ngjarjet.


A ka probleme mjekësia? Sigurisht që ka, por ato nuk zgjidhen me sharje e varje mjekësh.


Mjekët janë hallka e fundit e problemeve dhe duhen nxitur, jo nxirë, duhen vlerësuar, jo poshtëruar.


Mjeket janë njerëz , kanë familje, kanë dashuria dhe fatkeqësira. Kanë humbur edhe ata familjarë dhe të dashur, e kuptojnë dhe pranojnë që mjekësia ka limite.


Rasti i Dr. Tefik Zhurdës të na kthejë sytë nga mjekët, ata mjekë që përdorin në ndihmë të shoqërisë punën, librin por edhe zemrën.


Mjekë si Dr. Tefiku të rritur e edukuar me librat e Arcibald Kronin po pakësohen, sepse është shoqëria që po i zhduk.


Mjekësia është e kushtueshme në aparatura , ambiente e medikamente, por në radhë të parë është e kushtueshme në njerëz. Profesionistët si Dr. Tefiku, as   krijohen në një ditë, as zëvendësohen në një vit.


Mos i vrisni mjekët, ndihmojini dhe kuptojani vështirësitë!