JORGO GORO


Reagimi im merr shkas nga një shkrim që u botua dje te gazeta Panorama. Pasi e lexova me vëmendje, e pashë të arsyeshme të jap disa përgjigje për shumë fakte, të cilat nuk janë sqaruar mirë, si dhe disa argumente të cilat nuk do të doja kurrsesi të keqkuptoheshin. Si parantezë dua të them se sqarimet më së shumti do ti vlejnë lexuesit johimarjot, meqë gazeta është kombëtare dhe lexohet masivisht, sepse me bashkëqytetarët e mi unë jam çdo ditë e çdo orë, dhe tashmë ata i kanë të qarta të gjitha projektet e mia për Himarën e nuk mund të ndikohen qoftë edhe nga një shkrim, të cilat jo rrallë herë bëjnë që të krijohet një opinion i caktuar sepse gazeta e ka këtë fuqi.

Ju jeni impresionuar nga disa postera të mitë, të cilët janë të shkruar edhe në gjuhën greke, duke bërë menjëherë paralelizmin mes meje dhe kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës deri më 8 maj, Vasil Bollano. Pa dyshim që një paralelizëm i tillë është totalisht i papranueshëm dhe ofendues për mua, ndërkohë që dua të sqaroj arsyet për të cilat unë kam përdorur dy gjuhë në materialet e mia të fushatës. Në Himarë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, hapja e kufijve në vitin 1991 shënon dhe emigrimin masiv të bashkëqytetarëve të mi. Brezi i ri, i cili tashmë ka mbushur 18 vjeç dhe ka të drejtën e votës, ka ikur nga ky vend foshnje, ose edhe mund të kenë lindur jashtë Shqipërisë. Dhe kur flasim për emigrim, ju e dini mirë se himarjotët kanë emigruar më së shumti në Greqi. Disa syresh kanë njohuri jo shumë të mira të gjuhës shqipe (dhe kjo shpesh jo për fajin e tyre) dhe më të mira të gjuhës së vendit ku janë rritur dhe shkolluar. Një kandidat për kryetar bashkie e ka për detyrë që në materialet e tij propagandistike të jetë i kuptueshëm nga të gjithë zgjedhësit e tij potencialë, dhe greqishtja në këtë rast vjen në ndihmë të atyre që e kuptojnë më mirë këtë gjuhë. Besoj se nuk është mëkat ta përdorësh këtë gjuhë të dytë, sepse në dijeninë time unë nuk di që në republikën tonë të ndalohet përdorimi i gjuhës greke me ligj. Ajo që më vret dhe nuk mund ta pranoj kurrsesi është kur bëhet krahasimi im me Bollanon. Nuk duhet harruar se ky individ, tërësisht i diskredituar në Himarë dhe më gjerë, bëri shkelje të mëdha ligjore sepse hoqi nga tabelat sinjalistike të rrugëve kombëtare gjuhën shqipe dhe i vendosi ato në gjuhën greke, ai përdori greqishten në zyrat e shtetit, bëri thirrje të pastra nxitëse dhe provokuese antikombëtare, dhe të gjitha këto, shtuar këtu edhe punën e keqe në krye të ekzekutivit dhe mosdhënien e pronave, bënë që ky personazh të urrehet dhe të humbasë shansin për të qenë kryetar i rizgjedhur. E ndiej si detyrim që të sqaroj se unë nuk kam asnjë lidhje me mendësinë Bollano dhe nuk jam në krizë identiteti si ai. Unë kërkoj votën e himarjotëve për ta zhvilluar atë vend të lënë në pikë të hallit, dhe jo për të bërë politikë apo thirrje antishqiptare dhe kurrsesi për të shkelur ligjet e shtetit tim. Akoma më absurde është insinuata sikur Partia Socialiste, e cila më ka zgjedhur mua si kandidat për kryetar Bashkie në Himarë, paska bërë një pakt të fshehtë me PBDNJ-në, që unë të jem një kandidat kukull dhe në mënyrë të fshehtë, ata së bashku me mua të punojnë për Bollanon! Ky është totalisht një keqinformim, sepse nëse ka një pikë ku biem dakord që të tre kandidatët për kryetar Bashkie në Himarë, është ajo se ne duhet të luftojmë që të heqim nga ai vend të paaftin Bollano. Më pas, secili, natyrisht, lufton që të marrë sa më shumë vota për vete.  Ai vetë nuk guxon të dalë e të bëjë një fushatë të hapur, por në cilësinë e kryetarit të OMONIA-s bën takime me dropullitë dhe banorë të Vurgut, të cilët nuk janë votuesit e Himarës. Dy ditë më parë ai bëri një takim me dropullitë e banorë të Vurgut në Athinë, ku himarjotët nuk pranuan të ishin prezentë. Bollano e pati shansin për të bërë diçka për këtë qytet dhe nuk e bëri. Të mbështesësh atë individ hapur ose në fshehtësi, do të thotë të mos jesh normal nga trutë. Përsa i përket marrëdhënies time me kryetarin e PBDNJ-një, Vangjel Dule, ju them se nuk kam asnjë lloj kompleksi ndaj tij, as ndonjë veneracion që ti bëj lajka në takime me votuesit. Ai është kryetari i një partie dhe unë e respektoj njësoj si çdo kryetar tjetër partie të këtij vendi, po asgjë më shumë. Natyrisht, nuk kam ndonjë problem edhe ta takoj, se nuk e besoj se ka ndonjë gjë të keqe, por deri tani nuk e kam takuar.

Ju thoni në shkrimin tuaj se mua nuk më prezantoi kryetari i partisë time, zoti Edi Rama, por dërgoi të tjerë, duke nënkuptuar se ai nuk po i jep rëndësi kandidatit të tij në Himarë. Nuk është e vërtetë. Edi Rama ndjek me shumë interes punën që unë së bashku me strukturat po bëjmë këtu dhe po ju them se në mitingun përmbyllës të fushatës ai do të jetë prezent në Himarë. Së fundi, dua tju tërheq vëmendjen për një fakt që mbase ju tingëllon çuditshëm; himarjotët janë njerëz të qetë dhe në traditën e tyre nuk ekziston gjuha e denigrimit dhe fyerjeve të tjetrit, e aq më pak gjuha e dhunës. Kjo vlen edhe në raste fushatash, kur dihet se situata jo rrallë acarohet për arsye të preferencave dhe mbështetjeve të caktuara. Kjo fushatë zgjedhore ka qenë shumë e dhunshme dhe nganjëherë edhe është përgjakur në disa qytete të vendit. Këto janë episode që nuk nderojnë asnjë forcë politike, mbi të gjitha, nuk u shërbejnë aspak votuesve. Nëse ju nuk e gjeni këtë gjuhë urrejtjeje dhe këto sjellje në Himarë, dhe në rastin konkret te personi im, Jorgo Goro, kjo nuk duhet të përkthehet pavendosmëri apo bërje palë me kundërshtarin në heshtje. Unë personalisht preferoj të flas me qetësi për programin tim, por dhe himarjotët preferojnë të dëgjojnë në qetësi. Nuk ka nevojë të bësh luftë muskujsh, aq më pak në rastin tim, kur mbështetem nga një forcë politike si PS, e cila kam bindjen që falë programit të saj, do të fitojë jo vetëm në Himarë, por në të gjithë Shqipërinë.