Nga Mero Baze


Bisedimet shqiptaro-greke në ishullin e Kretës kanë rritur një pritshmëri jo reale për atë çfarë mund të arrijnë, për shkak të klimës së pastabilizuar, e cila ka dominuar raportet mes dy vendet vitet e fundit.


Shumë media shqiptare kanë raportuar për arritje të disa marrëveshjeve, mes tyre dhe ajo për kufirin detar, çfarë nuk është reale.


Nuk është reale, jo se nuk mund të zgjidhet, por është nga ato çështje që peshon më shumë se sa një takim dhe përpjekje për ta zgjidhur atë me bisedime.


Së paku, disa çështje që janë me peshë historike në raportet mes dy vendeve, siç është Ligji i Luftës, kufiri detar apo problemi çam, nuk mund të gjejnë kurrsesi zgjidhje në Kretë. E rëndësishme është që aty të diskutohet pa komplekse për to dhe të ngrihen mekanizma që të mbahen hapur për debate në të ardhmen.


Ajo që është thelbësore në raportet shqiptaro-greke, është që temat me peshë historike në raportet mes dy vendeve, të mos mbysin problemet jetike mes dy vendeve, që nuk kanë lidhje me historinë. Integrimi i shqiptarëve në Greqi, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha, eleminimi i axhendave rezervë nacionaliste dhe etnike që kthejnë në pikën zero raportet mes dy vendeve, të eleminohen.


Çështjet me peshë historike, si Ligji i Luftës apo kufiri detar, nuk kanë pritur Kretën të zgjidhen pasi nuk janë çështje që janë krijuar pak kohë para takimit të Kretës. Zgjuarsia është që të vendoset një raport propocionalisht i drejtë, mes problemeve reale mes Shqipërisë e Greqisë dhe problemeve historike.


Shqipëria ka jetike integrimin e saj në Europë dhe marrjen e negociatave, dhe Greqia, së bashku me Italinë, duhet të kthehet në aleatin kryesor tonin në rrugën drejt BE-së, pasi janë dy fqinjë që përballen me problemet tona.


Raportet katër vjeçare të qeverisë Rama me Greqinë, kanë qenë shpesh sipërfaqësore dhe emocionale, që janë përdorur për konsum të brendshëm nga të dy palët.


Rama i ka përdorur këto raporte shpesh si timonier, herë për të mbajtur një shumicë e herë për të marrë vetëm timonin, duke luajtur me faktorët e brendshëm, pro dhe antigrekë, ndërsa Greqia e zhytur në krizën e saj, me një klasë të re politike të panjohur për Edi Ramën, thjesht e ka pasur një bezdi më shumë marrjen me Shqipërinë dhe e ka lënë në dorë të çdokujt që ka pas nge të hedhë nga një gur matanë kufirit.


Tirana zyrtare duhet të jetë serioze me Greqinë dhe faktorët realë politik në Greqi. Rënia e partive të vjetra politike, sidomos e PASOK, e ka gjetur të papërgatitur Tiranën për aleanca të reja politike me Athinën, dhe ky është një minus i madh në raportet mes dy vendeve. Cipras dhe e majta radikale greke, e përzier në një qeveri laramane, po ashtu ka qëndruar larg Tiranës dhe afër sherrxhinjëve me të, pasi nuk ka aleatë realë në Tiranë. Dhe kjo e ka bërë banale raportin mes dy vendeve.


Ditmir Bushati nuk mund të zhbëjë në Kretë problemet historike mes dy vendeve, por duhet ti japë siguri Athinës se Tirana është serioze në konsiderimin e tyre si çështje të zgjidhshme.


Ndaj mos prisni që Kreta të rregullojë historinë tonë më Greqinë, por të shpresojmë të prishë syrin e keq në raportet grindavece mes dy vendeve, që na bën joseriozë si dy fqinj ballkanas dhe më shumë joseriozë si fqinjë të ardhshëm europianë.