Ish kreu i sigurimit shtetëror serb, gjenerali Momir Stojanoviç ka këshilluar tifozët e Partizanit të mos shkojnë në Shkup për ndeshjen e kthimit kundër Shkëndijës së Tetovës, në rrethin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Ai frikësohet nga ekseset dhe thotë se do të ishte çmenduri nëse ata udhëtojnë për në Maqedoni. Por, krerët e klubit nga Beogradi dhe tifozët e tyre Grobari kanë paralajmëruar se do të shkojnë në Shkup.


Nga Express më 24 qershor 2011 në ora 11:30

Ndeshja mes Partizanit të Beogradit dhe Shkëndijës së Tetovës ka zgjuar vëmendjen kryesore nga duelet e rrethit të parë të kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve. Përveç betejës së fortë në fushë, takimi do të ngjallë rivalitet të ashpër edhe në tribuna mes grupeve të tifozëve Grobari dhe Ballistat.



Mirëpo, në opinionin e gjerë është përhapur edhe frika se ndeshja mund të tensionohet tej mase për faktin se takohen një skuadër serbe me atë shqiptare.



Ish kreu i sigurimit shtetëror serb, gjenerali Momir Stojanoviç ka këshilluar tifozët e Partizanit të mos shkojnë në Shkup, ku Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen si nikoqire në duelin e kthimit.



“Nëse do të isha në vend të Partizanit, nuk do të ftoja tifozët në Shkup. Partizani mundet në këtë udhëtim edhe pa ta. Shikoni, policia në Maqedoni është multietnike, andaj nuk do të mbajë rendin ashtu siç pritet prej tyre. Tifozët e Shkëndijës duan të promovojnë idenë e Shqipërisë së madhe dhe ky është një rast ideal për ta. Do të ishte çmenduri e tifozëve serbë nëse shkojnë në mënyrë të organizuar në Shkup. Nuk do t’i këshilloja të bëjnë një gjë të tillë. Do të vijnë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia Perëndimore. Do të jetë rrezik i madh dhe nëse ndodh ndonjë incident, Partizani do të përjashtohet nga Evropa. Policia serbe mund të parandalojë udhëtimin e organizuar të tifozëve të Partizanit, por atë individual nuk mundet”, tha Stojanoviç për ueb faqen Alo.rs.



Ai dyshon se mijëra tifozë të Shkëndijës do të vijnë në Beograd për ndeshjen e parë.



“Sinqerisht dyshoj se në Beograd do të shohim mijëra tifozë të Shkëndijës. Përveç nëse ndonjë parti politike organizohet për të provokuar dhe krijuar ndonjë incident. Mendoj se policia jonë do të mbajë situatën nën kontroll dhe i mundshëm mund të jetë vetëm ndonjë ekses i vogël, por nga ana e tifozëve të Partizanit”, u shpreh ai.



Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Darko Grubor, ka thënë se skenari nga Mostari – ku Partizani u përjashtua nga Kupa UEFA pas incidenteve në tribuna në ndeshjen me Zrinjskin - nuk mund të përsëritet.



“Skenari i Mostarit është i pamundur për shumë arsye. Siç e dini, në atë kohë ekzistonte një konflikt mes tifozëve të Partizanit dhe kryesisë. Sot nuk është ashtu. Tifozët tanë sigurisht se do të shkojnë në Shkup, ndërsa në stadium do të jenë edhe një numër i madh i tifozëve tanë që jetojnë në Maqedoni. Ne si klub do të bëjmë shpërndarjen e biletave, andaj do ta dimë se kush prej tifozëve tanë do të udhëtojë për ndeshjen me Shkëndijën”, tha Grubor.



Rreth ardhjes së tifozëve të Shkëndijës në Beograd, ai shtoi:



“Sa na përket neve, ata janë të mirëseardhur. Do të bëjmë gjithçka që ata të jenë të sigurt në Beograd, ndërsa policia jonë ka përvojë në organizimin e këtij lloji të ndeshjeve, andaj besoj se nuk do të ketë kurrfarë incidenti. Në përgjithësi, kjo ndeshje për ne nuk ka bagazh politik, por përballje sportive, takim i dy kampionëve nga dy shtete mike”.




Grobari: Do të vijmë në Shkup



“E përcjellim Partizanin në të gjitha ndeshjet, pa marr parasysh sa është ‘i nxehtë’ terreni mysafir. Pas vetes kemi një përvojë të hidhur në Mostar nga ndeshja me Zrinjskin, kur organizatorët bënë shumë lëshime, por shpresojmë se ashtu nuk do të jetë kësaj radhe. Sa i përket Grobarëve, dua t’u përkujtoj të gjithëve se çdo veprim i keq i yni shkon në dëm të klubit, pa marr parasysh a bëhet fjalë për ne që vijmë nga Beogradi ose tifozët nga Maqedonia. Sigurisht do të ketë provokime, por duhet t’i kapërdijmë dhe të përmbahemi nga reagimi. Nga ana tjetër, për ndeshjen në Beograd garantojmë që sikur deri më tani do të kalojë në mënyrën më të mirë”, tha një prej udhëheqësve të tifozëve të Partizanit, Grobari.