Nga Marjana BULKU


Thonë që është binjak me varfërinë , ia zbulon plagët e fshehta dhe ato gangrenë që tashmë Dibrës por edhe gjithë Shqipërisë i dolën sheshit përtej vrimash imoraliteti jo vetëm politik, ku u zbuluan fajësitë e pozitës por edhe ca mëkate jo të vogla të opozitës 2015 si dhe raporteve qe krijojne te dyja keto ne arenen e politikes shqiptare.


Mos vdis opozitë! Më vjen natyrshëm kjo pasthirrmë si një lutje shekullore, si një thirrje për ndihmë. Ai vend që është i të gjithëve por pronë e pakkujt ka shumë nevojë për ty.Ai vend ku varfëria shtohet , ku problemet intensifikohen e ku dhuna buron nga cdo anë e duke u performuar frikshëm në familje shoqëri e politikë, pret rilindjen tënde.

Mos vdis opozitë, edhe pse asfiksuar , corientuar,sulmuar, mohuar.Diktatura e gjatë nuk bëri kurrë autokritikë dhe pushteti i padrejtë ”të gjithë në pozitë kundra cdo lloj opozite ” hodhi rrënjë të thella ndër ne.

Mos vdis opozitë, dëgjoji mendjet e kthjellëta edhe pse shpesh herë i injorove,përcmove, , mbase jo me shpirt sepse politika nuk qenkërka më art i zgjidhjes sic e konsideronte Bismark, por terreni ku parimet janë zëvendesuar nga shifra e synimet në interesa e për rrjedhojë vizionet janë të paqarta. Po ti mos vdis! Për shpirtrat e atyre që Shqipërinë e deshën demokratike e sot nuk jetojnë më, për ëndrrat e rilindasve që i kushtuan vepra që lindin kombet përmes dhimbjesh me pendë e me mend.


Mos vdis sepse për ty ka nevojë E DREJTA që sapo iu miratua një shteg në parlamentin e ndotur.Historia jonë ka shumë nevojë për ty opozitë, atë nuk e shkruajnë vetëm ”luanët”,por edhe viktimat.Opozita, vlera jonë e munguar,e mohuar, e cunguar, e përcudnuar në shekuj nuk duhet të vdesë sepse ajo fisnikëron një komb, mban gjallë një të vërtetë, shëron një të drejtë,, ndricon një shpresë.

Mos vdis Opozitë!Ti nuk je forca e kamzhikut, por ajo e logjikës që gjithmonë triumfon, edhe pas kalvaresh të vuajtjes, të mundimit.Pa ty vdesin edhe shumë të vërteta të bukura, të trishta, të pastra , të turbullta por që ndricojnë botën tonë shqiptare.Ti je gjithmonë alternativa tjetër kur shpresa ka humbur , kur shtigjet janë mbyllur, kur tuneli s’ka dritë.Ti je zëri që duhet të flasë me të kundërtën kakofoni plot zhurma realiteti, je zëri i vlerave, veprave e fjalëve që frymëzojnë. Varfëria nuk përkund vetëm krimin dhe imoralitetin por edhe fisnikëri e vyrtyte që as blihen as shiten, nxiti e rriti pra, bëji krah këto dy të fundit e bashkëudhëtarë në shtegëtimin tënd në formë V -je.Bëji opozitë të keqes , bëji opozitë padrejtësisë, dhunës, drogës këtij trendi që përmbyt jetën , bëji opozitë vjedhjes, imoralitetit e gjithckaje që kërcënon të mirën. Janë kaq shumë misione që nuk u kryen ,presin, u lanë në mes,sepse … janë shumë Sepse vetëm pas një Përseje.


Mos vdis Opozitë. Ti je ëndrra e mijëra emigrantëve politikë, ekonomikë që nuk të jetuan dot aty edhe pse shumë të deshën, u burgosën për ty, u internuan për ty, u pushkatuan për ty, guxuan për ty. Ti je zëri që nuk duhet të mbytet nga thirrjet me grushta ” Fitore dhe urra” ti je zëri që duhet dëgjuar dhe respektuar sepse ti je zëri i munguar, gjithmonë i mohuar.


Mos vdis Opozitë, por kujdes nga të padrejtët, ata të vdesin edhe ty, pak nga pak si trupin që nuk e vdes vec paushqimi ,pamjekimi, por edhe heshtja e mosrënkimi nën agoni ku askush s’e ndjen dhembjen që s’bzan.


Mos vdis Opozitë!

Për ata që besuan tek ti, për ata që punuan për ty, edhe për ata që u zhgënjyen nga ”brishtësia ”jote, për ata që e pësuan nga gabimet e tua dhe për ata që BESOJNË tek ti, mos vdis! Behu zeri i atyre qe s’flasin dot!