Reagon bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor Oerd Bylykbashi



“Në qoftë se ne sot do ta kishim kodin të dekretuar, brenda pak ditësh do të kishim dhe dekretin për përcaktimin e datës së zgjedhjeve dhe të kishim mundësi të fillonim me procedurat e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe menjëherë, me fillimin e muajit janar ndoshta KQZ do të kishte marrë vendimin përkatës për numrin e mandateve”



TIRANE - Partia Demokratike gjykon se mosdekretimi i Kodit të ri Zgjedhor nga Presidenti, shkakton probleme për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Eksperti i Partisë Demokratike në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, Oerd Bylykbashi thekson se me mos dekretimin e ligjit zgjedhor, është frenuar formatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithashtu duhet të kishte filluar puna për strukturën zgjedhore dhe përcaktimin e numrit të deputetëve nëpër qarqe. “Kthimi i Kodit Zgjedhor në parlament krijon vështirësi sepse me dekretimin e tij ishin lidhur një sërë procesesh teknike-juridike të cilat ishin të nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve. Në qoftë se ne sot do ta kishim Kodin të dekretuar, brenda pak ditësh do të kishim dhe dekretin për përcaktimin e datës së zgjedhjeve dhe të kishim mundësi të fillonim me procedurat e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe menjëherë, me fillimin e muajit janar ndoshta KQZ do të kishte marrë vendimin përkatës për numrin e mandateve”, tha Bylykbashi. Ai mohon më tej zërat që flasin për një shtyrje të afatit të zgjedhjeve. “Kjo mundësi nuk ekziston. Kushtetuta përcakton që zgjedhjet duhet të zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit dhe kjo periudhë zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit është periudha që shkon që prej datës 15 mars deri në datën 30 qershor”, u shpreh më tej eksperti i Partisë Demokratike. Në përfundim, bashkëhartuesi i kodit të ri Zgjedhor, komenton edhe vendimin e presidentit për të mos dekretuar Kodin Zgjedhor me pretendimin se krijon përplasje kushtetuese në përcaktimin e datës së zgjedhjeve. “Motivacioni bazohet tek problemet teknike, te fakti që përcaktohet një periudhë 9- mujore nga fundi i mandatit për dekretimin e datës së zgjedhjeve dhe se kjo periudhë 9-mujore nuk mund të aplikohet për periudhën zgjedhore që i bie periudha 15 mars - 30 qershor. Presidenti i Republikës bën një lidhje mes këtyre dy momenteve, por faktikisht asnjëra nga këto nuk qëndron”, tha më tej Bylykbashi.

...