Pasi e konsideroi politikën një lojë shahu dhe i dha urdhër deputetëve të tij të mos komentonin vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si emrin e propozuar prej tij për të marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm, kryeministri Edi Rama kërkoi paraditen e sotm një takim me Kreun e Shtetit.


Kreu i ekzekutivit ka hyrë në Presidencë në 11:30 dhe takimi me Metën ka zgjatur rreth dhe 90 minuta, teksa pritet me shumë kuriozitet rezultati i kësaj përballje në një periudhë të tensionuar për klasën politike.


Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës, thuhej në njoftim.


Nga përmbajtja e këtij mesazhi duket se Rama ka ende shpresa që ta bindi Metën për të dekretuar Lleshin, ndonëse përtej afateve kushtetuese. Përndryshe, Kryeministri ka disa opsione në dispozicion. Një prej këtyre është që ti dërgojë Metës një propozim tjetër, por burime nga mazhoranca tregojnë se kjo ka pak gjasa që të ndodhë. Një tjetër mundësi është që Parlamenti të rrëzojë dekretin presidencial të shkarkimit të Fatmir Xhafës nga detyra, duke e kthyer atë në krye të Ministrisë së Brendshme. Por ky variant, pohojnë burimet, ka pak probabilitet të ndodhë.


Mundësia më e madhe është që Kryeministri të emërojë Sandër Lleshin zv/ministër të parë, duke i dhënë atij drejtimin e dikasterit përmes delegimit të kompetencave ministrore. Kjo do të shmangte kalimin nga Meta për dektret. Rama mund edhe ta marrë vetë titullin zyrtar të ministrit të Brendshëm, ndërsa de facto ia beson drejtimin e institucionit gjeneral Lleshit.


Ndërkohë Rama kërkoi dje ruajtjen e qetësisë duke iu drejtuar deputetëve me këtë mesazh: Lutem asnjë lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren ti dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni.


Presidenti Meta dhe kryeministri Rama, dikur aleatë, tani kanë një marrëdhënie të ngrirë, e mes tyre qëndrojnë pezull shumë çështje, ku më e rëndësishmja duket të jetë emri i Sandër Lleshit, pa harruar emërimet e kreut të ri të SHISH e KLSH-së, apo edhe dhënien e plotfuqishmërisë për bisedimet me Greqinë për çështjen e detit.


4 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)