17/08/2010 Opozita dhe pronarët pro Presidentit të Republikës për rishqyrtim të ligjit


Mazhoranca justifikon rregullimet. Sula: Synohet mbushja e boshllëqeve ligjore


Ndryshimet më të fundit që mazhoranca parashikoi për ligjin e pronave dhe të kthyera nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për rishqyrtim në Parlament, ka çelur një tjetër debat mes palëve politike dhe atyre të prekura nga ky ligj. Mosdekretimin nga kreu i shtetit i projektit që i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Kthimit të Pronave të rishikojë vendimet e këtyre komisioneve, të drejtë që me ligjin në fuqi e kanë gjykatat, e ka përkrahur shoqata e pronarëve dhe opozita. Ndërkohë që mazhoranca duket e vendosur të rivotojë të njëjtin draft. Sipas Presidentit të Republikës, përcaktimet në të cenojnë parimin e sigurisë juridike të pronës. Sekretari i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, gjatë një prononcimi për BBC tha se vendimi i Presidentit Topi është një hap në drejtimin e duhur. “Vendimet e komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë tituj ekzekutivë të barasvlershëm me vendimet e gjykatës dhe nuk mund të anulohen me anë të një procedure administrative. Synimi i ligjit të miratuar me votat e mazhorancës ka të bëjë me një prapaskenë tjetër që lidhet me gjykatën e Strasburgut, ku parashikohen të shkojnë me mijëra ankimime nga pronarët shqiptarë, për arsye se politika shqiptare ka dështuar totalisht në të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave”, -thekson Toro në prononcimin e tij. Edhe deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, e ka kundërshtuar fort këtë iniciative të mazhorancës duke e cilësuar vendimin e Presidentit si më të drejtin e marrë prej tij. “Ky ligj është hedhur katër herë poshtë nga Gjykata Kushtetuese si ligj në kundërshtim me Kushtetutën, çka sipas saj tregon se kjo mazhorancë nuk tregon vëmendjen e duhur për të miratuar një ligj që t’u shërbejë pronarëve të vërtetë, pronarëve të ligjshëm që të sjellë siguri juridike e më pas siguri për investitorët vendas e të huaj”, - tha Hysi për BBC-në. Ndërsa mazhoranca përmes deputetit të saj, anëtar i Komisioni të Ligjeve, Dashnor Sula respekton vendimet e Presidentit të Republikës. “Është e drejta e tij të kthejë ligje. Me këtë ligj mazhoranca ka synuar të mbushë boshllëqet ligjore që i ka sugjeruar edhe Gjykata Kushtetuese”, - tha ai. Debati mes palëve për këtë çështje është i padëshiruar për palët, kur tashmë ato kanë të hapur prej më shumë se një vit debatin për transparencën e zgjedhjeve, duke lënë në krizë politike jetën parlamentare të vendit. Pavarësisht kësaj, më shumë se një debat mes dy blloqeve politike, mungesa e firmës së kreut të shtetit do të vijojë një konflikt të vazhdueshëm mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës që e ka zgjedhur. Pak ditë më parë kreu u shtetit refuzoi të dekretonte ligjin nr. 10308, datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.


Mosdekretimi


Presidenti i Republikës Bamir Topi ka kthyer për rishqyrtim në Parlament një ligj mjaft të debatuar për kthimin dhe kompensimin e pronave. Arsyeja e kthimit i këtij ligji është se ai bie ndesh me Kushtetutën e vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtën e pronës.


Ligji


Sipas draftit të padekretuar, AKKP i jepet e drejta e rishikimit të vendimeve të dhëna ndër vite nga komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për më tepër edhe t’i shfuqizojë ato, duke i hequr pronarit mundësinë e të gëzuarit të pronës së tij i qetë dhe sigurt.