Erërat e fuqishme të ditës së djeshme dhe të reshurat e borës kanë shkaktuar prishje në rrjetin e furnizimit elektrik në disa mjedise të Kosovës.

Ekipet e KEDS janë mobilizuar për të rregulluar prishjet në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga kjo kompani.

KEDS arsyetohet se e ka trashëguar rrjetin distributiv të vjetruar dhe në gjendje shumë të rëndë që fatkeqësisht nuk mund të përballojë erërat e forta, aq më shumë erërat me të cilat në këto momente po përballemi.

Zyrtarë të KEDS-it premtojnë se projektet investuese që janë ndërmarrë deri më tani dhe do të intensifikohen edhe më shumë në të ardhmen. Ata thonë se kjo punë është përshpejtuar më qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore me energji elektrike për qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës në bazë të planit strategjik të investimeve.

Në këtë komunikatë KEDS nuk harron të kërkojë ndjesë nga konsumatorët për të cilët furnizimi me energji elektrike ka qenë i pamundur, ndërsa i lë me shpresë se ndërprerje të tilla do të minimizohen ose do të eliminohen fare.