Mozaiku i Elbasanit, në gjendjen që është katandisur, i ngjan një varri të hapur, mbi të cilin kanë mbirë hithra e barishte të të gjitha llojeve. Afro dy vjet më parë, në qendër të qytetit të Elbasanit, fare rastësisht do të zbuloheshin themelet e një mozaiku të lashtë. Specialistë të arkeologjisë do ta vlerësonin si një ndër zbulimet më me vlerë, ndërsa kreu i bashkisë do të ndihmonte me fonde jo të pakta për gërmimin dhe nxjerrjen në pah të pasurive të tij, mbuluar prej shekujsh. I gjendur në mes të monumentit të Aqif Pashë Elbasanit dhe Rrapit të Bezistanit, mozaiku i ngjan një grope të madhe që mbushet me ujë e baltë sa herë që bie shi, apo shërben si një kosh i madh plehrash në mes të qytetit. Punimet janë bllokuar që prej afro një viti dhe jo vetëm që nuk po dalin më në pah vlera të tjera arkeologjike të fshehura në shekuj, por po prishen dhe konturet e objekteve që kanë dalë në pah nga faza e parë e gërmimeve. Pak prej atyre objekte historike që u nxorën prej andej me qëllimin që të vendoseshin kur të përfundonte gërmimi, “flenë” në oborrin e muzeut etnografik. Ideja e shumë arkeologëve vendas dhe të huaj për të hartuar një master-plan për evidentimin e vlerave arkeologjike të Elbasanit, ku do të përfshiheshin gërmime arkeologjike, brenda dhe përreth kastrumit romak, si dhe në zonën e pazarit të vjetër, tashmë kanë mbetur vetëm si një ëndërr. “është problem alarmant dhe mungesa e fondeve dhe kontradiktave për kompetenca në mungesë të një ligji rregullues mes tri institucioneve ka bërë që mozaiku i këtij qyteti të shkatërrohet plotësisht pa shpresa të thellimit të punimeve për të”, ka pohuar drejtori i Muzeut Etnografik, Kreshnik Belegu.
Gjatë gërmimeve të para, një grup arkeologësh të rinj, duke i hedhur fshesën e fundit mozaikut të zbuluar, ka zbuluar dy varre në thellësinë mbi tre metra. Në fakt, ka qenë në prag të përfundimit sondazhi arkeologjik i kryer në bazilikën e Skampis–it në qytetin e Elbasanit, ku pikërisht në cepin jugor të bazilikës janë zbuluar dy varre që sipas specialistëve i përkasin shekullit të pestë, dhe bazilikës palokristiane të Naosit. Vetë specialisti, Ylli Cerova, do të ndiqte për shumë kohë punimet për gërmimin e bazilikës, dhe do të shpjegonte në prill të vitit 2008 se bazilika e zbuluar në qytetin e Elbasanit është me përmasat më të mëdha të vendit tonë. Kjo bazilikë, sipas pohimeve të tij në atë kohë, ishte e ngjashme me katedralen e zbuluar para disa vitesh në Mallakastër. Nga studimet paraprake tregohet se bazilika ka përmasa të mëdha dhe aktualisht është zbuluar një pjesë e Naosit dhe e Nefit jugor. Sipas Cerovës, muri që kufizon Nefin jugor është i zbukuruar me afresk i cili ruhet mirë. Po sipas specialistëve, mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, e cila tregon që bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të gjashtë, ose në fillimin e shekullit të shtatë të erës sonë. Aktualisht sot është mbuluar gjithçka. Zbulimi i këtij monumenti dy vjet më parë u realizua në sajë të një bashkëpunimi midis Bashkisë së Elbasanit, Muzeut Etnografik, Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Por për fat të keq këto institucione, tashmë në mungesë të një ligji që mund të bashkërendonte punën mes tyre, kanë bërë që mozaiku i Elbasanit të mbetet në mëshirë të fatit. Mozaiku i vjetër në formën e një kuadrati me përmasa 5 metra me 5, përmban elemente dyngjyrëshe. Mozaiku dyshohet të jetë i shekullit të katërt, të gjashtë ose i Mesjetës së hershme. Mozaiku doli në dritë pas një pune dyjavore të specialistëve të arkeologjisë. Arkeologët morën shkas për kërkime pas disa dokumenteve arkivore të zbuluara në muzeun e trashëgimisë kulturore të Elbasanit.
#