Projekti
është zbuluar në bodrumin e një shtëpie private në vitin 1988

Mozaiku i Orfeut në qytetin e Durrësit i shtohet listës së monumenteve të kulturës. I zbuluar në bodrumin e një shtëpie private në vitin 1988, gjatë këtyre viteve mozaiku ka qenë thuajse i fshehtë. “Me njohjen si monument kulture, mozaiku do të bëhet i vizitueshëm për qytetarët durrsakë, për turistët e huaj dhe vendas që kalojnë nëpër Durrës”, është shprehur drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Durrës, Ermion Arapi. Ky mozaik është zbuluar në lagjen 9 të qytetit bregdetar, te Lagjja e Re. Gjatë këtyre 22 viteve, mozaiku ka qëndruar i fshehur dhe njëkohësisht i ruajtur në bodrumin e shtëpisë private, ndërsa përmes një marrëveshjeje me familjen që e mban, do të bëhet i vizitueshëm. Në librin “Durrësi” të arkeologut durrsak Afrim Hoti, thuhet se gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë vetëm një pjesë të kësaj vepre që prezanton figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Monumenti i fundit që i shtohet listës së objekteve të rëndësishme të kulturës dhe historisë, ndonëse ai është konsideruar i tillë dhe para shpalljes, është punuar me gurë kubikë polikrom në teknikën opus tasselatum. Ngjyrat që mbizotërojnë në mozaik janë e kuqja, e bardha, jeshilja dhe e zeza, por janë përdorur dhe të tjera. Sipas arkeologut Hoti ka shumë mundësi që në këtë rast figura e Orfeut të jetë paraqitur si personifikim i figurës së Krishtit. “Pasuria e figurave dhe realizimi i tij artistik na bën ta vlerësojmë këtë mozaik si punim me vlera të rralla brenda gjinisë së tij. Mozaiku duhet të jetë punuar aty nga fundi i shekullit III pas Krishtit”, thotë Hoti. Në Durrës, qytet, dhe periferitë e tij, janë zbuluar disa nga mozaikët më të bukur në vend, të cilët i përkasin periudhave të ndryshme historike. Përveç mozaikut të njohur “Bukuroshja e Durrësit” që i përket shek. IV para Krishtit dhe është ekspozuar në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë, i vizitueshëm është dhe mozaiku i Amfiteatrit, që vetëm në raste të veçanta hapet, dhe ai i bazilikës së Arapajt. Ndërkohë mozaiku i Hipokampit ose Kalit të Detit, ai i Pallatit të Sportit, mozaiku pranë depos së ujit etj., do të ngelen të konservuar, në pritje të një kohe tjetër dhe të të tjera kushteve për ekspozim.








#