Ditën e mërkurë nis muaji i Shenjtë i Ramazanit. Ky muaj është më i rëndësishmi në kalendarin Islam dhe për të gjithë myslimanët.

Për këtë arsye, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Seli Muça, duke uruar nisjen e këtij muaji, është shprehur "muaji i Ramazanit është një muaj i madhëruar, që e ka bekuar Perëndia, dhe nesër në vendin tonë dhe në të gjitha vendet islamike fillon agjërimi i muajit të Ramazanit".



Kreu i KMSH-së u shpreh më tej se "Muaji i Ramazanit duhet të mbahet nga të gjithë myslimanët dhe myslimanet në të gjithë botën pasi është një muaj i madhëruar sepse na afron të gjithëve sa më pranë Allahut dhe Perëndisë".



Ramazani është muaji i nëntë i vitit sipas kalendarit të HIXHRETIT. Ajo që e dallon këtë muaj, është agjërimi, të cilin e kryejnë të gjithë besimtarët e botës islame. Në përfundim të këtij muaji, më shumë se një miliard myslimanë në botë festojnë festën e Eid al-Fitr (Bajramin e Madh). Agjërimin njerëzit e kanë praktikuar që në kohët e lashtësisë. Muslimanët e kanë të ligjëruar në Kuran agjërimin.