Shkëlqim Muça, duket se do të jetë trajneri
i ardhshëm i Dinamos. Nuk bëhet
fjalë për hipoteza, por për tratativa
konkrete që po zhvillohen mes drejtuesve të
kampionëve në fuqi të vendit dhe ish-lojtarit
të njohur dhe më pas trajnerit të Tiranës. Madje,
ai konsiderohet si një nga kandidatët më
të fortë në garën për të marrë stolin e bluve.
Një gjë të tillë e konfirmojnë burime të besueshme
pranë klubit të Dinamos, por edhe
pranë presidentit të këtij klubi, Besnik Sula.
Ky burim shkon edhe më tej, kur nënvizon se
Muça do të mund të vazhdojë punë, që ditën
e hënë. "Shkëlqim Muça pritet të nisë punë që
të hënën, nënvizoi burimi në fjalë, kjo është
gjë thuajse tërësisht e mbaruar". Megjithatë,
vetë presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj,
duhet të tregohet më i përmbajtur dhe nuk
preferon të zbulojë emrin e pasardhësit në
Daliç në stolin e skuadrës së tij. I kontaktuar
dje, ai pohoi se "Kam 3-4 kandidatura dhe për
momentin nuk mund t‘ju them se kush do të
jetë trajneri i ri". Fjalët e tij lënë të kuptohet se
ende s‘e ka ndarë mendjen. Gjithsesi, burimet
pranë tij theksojnë se Sulaj ka kërkuar më
shumë informacione rreth Shkëlqim Muçës,
në të kaluarën e këtij të fundit, disa herë si
trajner i Tiranës. Një tjetër emër i njohur, me
një të kaluar të lavdishme bardheblu, është
edhe Mirel Josa, i shkarkuar vetëm pak ditë
më parë nga Elbasani. Madje, Mireli e ka
shprehur edhe vetë dëshirën për të drejtuar
kampionët në fuqi të Shqipërisë. Ndërkohë
që ish-trajneri kroat, Zlatko Daliç, është larguar
vetëm dje nga Shqipëria. Këtë e ka bërë
rreth orës 15.00, pasi është përshëndetur me
lojtarët dhe drejtuesit e Dinamos, u nis dje
në orën 15.00 për në vendin e tij.