muharremi

Disa ditë më parë, me rastin e një mitingu para popullit, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçaj, deklaroi se forca e tij kishte 20 vjet që i lutej Muharem Ramës për ta kandiduar dhe ai mezi kishte pranuar së fundi. Të thuhej kjo shprehje p.sh. në Suedi, Norvegji, etj, do të dukej gjëja më normale. Po ne jetojmë në Shqipëri. Këtu kandidatët nuk janë rastësisht "socialistë". Këtu "socialistë" janë të gjithë ata që janë bijtë e bijat e sekretarëve të partisë, hetuesve e oficerëve të Sigurimit të Shtetit, oficerëve e nënoficerëve të ushtrisë, aparatçikët e komiteteve të partisë, të komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve, etj, etj. Pra shtrati gjenetik është ai që përcakton kandidatët e Partisë Socialiste. Bijtë dhe bijat e "gjeneratës tjetër", janë rritur në një mjedis familjar që kishte në qendër Enverin e Ramizin, që urrejtjen ndaj "armikut të klasës" e kishte si bukë e si ujë ushqimin e përditshëm. Në këtë "habitat" janë rritur të gjithë pinjollët të cilët panë te Partia Socialiste, gjurmën e sigurt të Partisë së Punës. Dhe rasti e solli që kandidatët 20 vjeçarë të fjetur të dalin tanimë hapur. Nuk ka nevojë që ata "kokulurit" për 20 vjet që "nuk janë me asnjë", që nuk "merren me politikë", të pëshpëritin këto fjalë sepse koha i thërret. Dhe si për forcë zakoni, Partia Socialiste zgjodhi në Peshkopi pikërisht nga rrënjët e vjetra. Ajo kandidoi pikërisht djalin e Qamil Ramës për kryetar bashkie. Çfarë ka qenë ky Qamili do pyesni ju? E thjeshtë fare, sekretar i dytë i Komitetit të Partisë së Punës në Peshkopi. Po çfarë ka qenë Komiteti i Partisë së Punës për ata që nuk e dinë? Ka qenë struktura kriminale e Partisë së Punës e cila drejtonte gjithë terrorizmin e vet kundër kundërshtarëve politikë. Ka qenë udhëheqësja e organeve të diktaturës, organi që miratonte goditjen, arrestimet, internimet, etj.

Besoni ju se Muharemi ka mbyllur veshët nga bisedat që ka dëgjuar në shtëpi dhe ka qëndruar "i pavarur". Vështirë të jetë kjo. Përveçse u fut në politikë në emër të kushtrimit të të parëve, ai po provon se qëllimi i jetës së tij është të bëjë atë që nuk bëri dot babai, të bëhet sekretar i parë në bashkinë e Peshkopisë. Kjo është edhe aspirata më e madhe që Rama i vogël i Melanit të Peshkopisë ka marrë përpara Ramës së madh të partisë. Si dje Qamili dhe Kristaqi, edhe sot punojnë Muharemi dhe Edi.