E shkuara dhe e tashmja kanë afër nëntë javë që janë shtruar këmbëkryq në skenën e “Perform Fest”, në festivalin më të ri për fëmijë, të producentes Zana Çela. Yjet e njohur të muzikës shqiptare, kanë plot nëntë javë që janë ngjitur në të njëjtën skenë me fëmijët, të cilët duket se i kanë të gjitha premisat për t’u bërë po aq të famshëm. Yjet kanë rrëfyer historinë e tyre të suksesit, rrugën e gjatë që u është dashur të bëjnë për të arritur këtu ku janë sot. Ata kanë kënduar këngët e fëmijërisë së tyre bashkë me fëmijët... duke i bërë këta të fundit të ndiejnë emocionet e vërteta jo vetëm të garës mes tyre, por edhe të një spektakli ku krah tyre shfaqet si me magji, modestisht, e madhja Inva Mula, Irma Libohova, Frederik Ndoci, Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Jonida Maliqi, Mariza Ikonomi. Në javën e nëntë, në këtë të shtunë që kaloi ishte dhe Bojken Lako, që dha gjykimet e vlerësimet e tij, krah profesor Robert Radojës, i cili njihet tashmë si promovuesi i talenteve të reja, në çdo kohë. Ka qenë ai që ka promovuar shumë vjet më parë ata që sot ngjiten si VIP-a në skenë e është pikërisht ai që zgjedh dhe ata që do të jenë VIP-at e të nesërmes, që tashmë po fabrikohen në këtë produksion të ri të Zana Çelës. Ku surprizat kanë qenë të shumta.


Babai, kompozitori i këngëve të mia të fëmijërisë


Direkt nga Teatri i Operas i Barcelonës zbriti në skenën e “Perform Fest”, në javën e tetë të garës në këtë festival fëmijësh edh sopranoja tashmë me famë ndërkombëtare Inva Mula. “Vij në këtë festival e ftuar nga mikja ime Zana Çela, ftesat dhe produksionet e së cilës nuk do t’i refuzoja kurrë, pasi ne kemi kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën bashkë, me një miqësi të pandarë, dhe veç kësaj produksionet e Zanës gjithmonë janë tepër profesionale. Ndiej një detyrim të kujtoj bashkë me këta fëmijë gjithçka të bukur që kemi përjetuar kur ishim fëmijë, në skenat e festivaleve dhe me një emocion të veçantë do të lë në Perform - Fest, këngët më të bukura të repertorit tim kur isha fëmijë. Do të këndoj të gjitha këngët e mia që kam pas interpretuar kur isha fëmijë, që në moshën 6-vjeçare, të gjitha këto këngë janë kompozuar nga babai im. Më duket shumë interesant ky spektakël, i cili jo vetëm pasuron repertorin e fëmijëve me këngë të reja, por ky dualizim mes brezave krijon mundësinë që repertori i këngës për fëmijë të mbetet i paharruar.” Kështu është shprehur Inva Mula para se të ngjitej në atë skenë, ku jo vetëm iu dha shumë emocione fëmijëve por u emocionua shumë edhe vetë. E jo vetëm kur në ekran u shfaq e gjithë e fëmijëria e saj, apo dhe kur këndoi edhe një herë si në kohët kur ishte e vogël, por edhe në një tjetër moment interesant të asaj nate, kur shpalli dy çmime shumë të rëndësishme, që ajo vetë do t’i jepte në emër të fondacionit të saj “Hi Classic”.


“Hi Classic”, çmim 10 mijë euro për artistët e karrierës


Dy nga figurat më të shquara të artit shqiptar, artistja e teatrit dhe kinematografisë, Drita Pelinku dhe dirigjenti Rifat Teqja, u nderuan me “Çmimin e Karrierës”. “Duhet të mësohemi t’i vlerësojmë artistët tanë të traditës, që dhanë kontribut të shquar në ndriçimin e artit shqiptar” - është shprehur Inva Mula për këto çmime, të cilat shoqërohen për secilin artist me një vlerë prej 10 000 Euro. Vetëm një javë më pas, siç u bë e ditur dhe në javën e nëntë të “Perform Fest”, këto çmime iu dorëzuan dy artistëve nga producentja Zana Çela, pasi Inva Mula zgjodhi pikërisht festivalin më të ri të fëmijëve, pra “Perform - Fest” për të nderuar dhe respektuar këto dy figura të shquara. Të dy artistët, mes emocioneve të forta, kanë falenderuar Inva Mulën, që u bëri surprizën më të bukur në një moment të vështirë të moshës dhe jetës së tyre. “Kurrë më parë nuk kam marrë vlerësim material - është shprehur artistja e madhe Drita Pelinku - Inva është engjëll dhe artiste njëkohësisht” . Ndërsa dirigjenti i shquar Rifat Teqja, nga emocionet e moshës e pati të pamundur të shprehej me fjalë, veçse me lot.