beqjaNga Gëzim Kabashi


Receta elektronike, që qeveria ka vendosur ta shpërndajë në të gjithë vendin pas një projekti pilot në Durrës,  nuk i ka zgjidhur shqetësimet e pacientëve, për barna më të mira dhe shërbim të shpejtë. Ditët e fundit në Poliklinikën e Specialiteteve të qytetit është vërejtur një dyndje e pazakontë të sëmurësh.


Kjo është dita e dytë që pres për një vizitë te mjeku i zemrës,-thotë Mejreme Lima për BIRN. Kam dalë në 6 të mëngjesit nga shtëpia, se letrat e doktorit më duhen për të marrë ilaçet-tregon pensionistja 69-vjeçare. Thuajse të gjithë qytetarët që presin pas derës, në katin e parë të Poliklinikës kanë të njejtin hall. Mjekja e familjes i ka dërguar te specialisti, dhe ajo nuk e përgatit recetën elektronike po nuk u konsultua me të dhënat e kardiologut.  Mungesa e dritave, humbja e linjës së internetit dhe numri i kufizuar i mjekëve specialistë që duhet ti lëshojnë këto receta krijon rradhë të gjata edhe pse receta lëshohet vetëm një herë në dy muaj.


Qeveria filloi zbatimin e recetës elektronike në qarkun e Durrësit, nga 1 nëntori 2015. Sipas një njoftimi për shtyp të 19 janarit: Nëpërmjet këtij sistemi, mjeku harton dhe transmeton në mënyrë elektronike një recetë dhe po ashtu, edhe farmacisti ekzekuton në mënyrë elektronike recetën. Ky sistem i jep mundësinë FSDKSH-së të monitorojë në kohë reale dhe  të rimbursojë recetën elektronike. Gjatë këtyre dy muajve, 129 mjekë dhe 75 farmaci kanë vepruar vetëm me recetën elektronike dhe janë lëshuar 29,646 receta për 13,483 pacientë.


Kryeministri tha se ky projekt, sipas tij i sukseshëm do të zbatohet në të gjithë vendin. siç ka ndodhur me të gjithë ata pacientë në këtë territor ku është aplikuar projekti pilot i recetës elektronike, e cila në harkun e këtij viti do të shtrihet në të gjithë territorin, e kombinuar me një hap tjetër shumë të rëndësishëm, që është shërbimi falas tek mjeku i familjes, tha  Edi Rama.


Por mjekët, pacientët dhe farmacistët nuk harrojnë të nënvizojnë edhe problematikat, që mund të gjejnë zgjidhje gjatë aplikimit të tij në shkallë vendi. Një i moshuar i tha BIRN për kohën që harxhon te mjeku i lagjes sepse mungon sistemi apo energjia elektrike. Tani pres shpesh herë të rregullohet kompiuteri i doktoreshës së lagjes, që të rikthehet sistemi, siç thotë ajo-thotë xha Sabriu. Po nuk mërzitem, pasi mungesa e sistemit apo e korentit ndodh edhe kur paguajmë faturat e dritave dhe të ujit,-shton ai.


Nga ana tjetër pensionisti durrsak ndjehet i kënaqur që këtë dimër ka shkuar te mjeku më rrallë, pasi recetat elektronike tani kanë vlerë për një periudhë 2-mujore dhe jo vetëm për 30 ditë.


Për mua nuk ka ndonjë ndryshim thotë 77-vjeçari Ibrahim Malo, një pacient që kurohet për një sëmundje kronike. Si receta e parë, shkruar me dorë, edhe kjo e dyta me kompiuter sipas tij janë copa letrash. Mua më intereson të marr më shumë barna dhe më të mira se sa ato që marr tani,-shprehet i moshuari, duke shtuar se i ka zili dy shokë pensionistë, fëmijët e të cilëve janë në gjendje të mirë ekonomike dhe ua blejnë ilaçet e shtrenjta pa e marrë fare recetën.


Recetave elektronike tashmë nuk mund ti shmangesh, thotë një mjeke e familjes që kërkoi të mos i përmendej emri, sipas së cilës, të gjitha të dhënat që bashkojnë trion mjek-pacient-farmacist i gjen në çdo çast në serverin qendror IT në Tiranë. Mjafton të shkruash kodin e pacientit dhe menjëherë përfton diagnozën e tij, mjekimin e përcaktuar, kohën e lëshimit të recetës dhe ditën kur barnat merren në farmaci-thotë ajo.


Sipas mjekes ky është një lloj big brother-i, që kontrollon lehtësisht punën e mjekëve dhe të farmacistëve si dhe anën financiare dhe shmang një pjesë të madhe të abuzimeve, të cilat rëndom vëreheshin në marrëdhëniet mes mjekut dhe farmacistit, atëherë kur recetat e shkruara me dorë ishin i vetmi dokument mes palëve dhe institucioneve përgjegjëse.


Kristo Huta, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shëndetsisë, thotë për BIRN se mungesa e energjisë elektrike ishte vështirësia kryesore kur nisi të aplikohet projekti pilot në Durrës. Mjekët kanë punuar në grup, për të tejkaluar problematikat-thotë dr. Huta. Sipas tij në qytet, projekti quhet i konsoliduar, dhe të njejtën situatë kanë edhe Qendrat shëndetsore të Njësive administrative në zonat e Sukthit, Ishmit, Manzës, Rrashbullit e Katundit të Ri.


Ndërkohë E.M që administron një farmaci pranë qendrës së qytetit thotë për BIRNnë kushte anonimati se vështirësitë lidheshin fillimisht me problematikat elektronike. Fatkeqsisht specialistët e serverit qendror IT nuk zhvilluan asnjë takim për ti dëgjuar shqetësimet tona-thotë ajo.


Sipas saj kohët e fundit në farmacitë e qytetit ka patur më shumë kontrolle e gjoba. Sa herë që ndryshon lista e barnave që rimbursohen, në farmacitë tona ushtrohen inventare, gjë që ndodh edhe dy herë në vit-dëshmon farmacistja. Kjo ka bërë që numri i farmacive që kanë kontratë me shtetin për barnat e rimbursueshme të ulet. Nga të dhënat elektronike mësohet se nga 100 farmaci të tilla në fund të vitit 2015 në rajonin Durrës-Kavajë-Krujë, aktualisht funksionojnë vetëm 86 farmaci.


Pensionistët, kategoria më e madhe në numër që përfiton barna me rimbursim, në përgjithësi janë mësuar me zgjidhjen e re të recetave. Megjithëse jo fort të kënaqur me cilësinë e barnave që u ofrohen.


BIRN