Lindje të parakohshme, zhvillim jonormal të fëmijëve, deri në probleme serioze me trurin. Këto janë disa nga efektet negative që shkakton mungesa e jodit në organizëm.

Specialistja pranë Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Merkuri, shpjegon se sa i nevojshëm është jodi në organizëm, ku mund ta gjejmë dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e tij.



Çfarë është jodi dhe pse kemi nevojë për të?





Jodi është një përbërës ushqimor i rëndësishëm, për të cilin njeriu ka nevojë çdo ditë dhe gjatë gjithë jetës. Ky është një element ushqimor mjaft i domosdoshëm, sepse nevojitet për zhvillimin dhe funksionimin normal të organeve të trupit tonë, sidomos të gjëndrës së tiroides, e cila me prodhimin e hormoneve të rritjes bën të mundur rritjen, zhvillimin dhe funksionimin normal të organeve të tjera.





Çfarë pasojash sjell në organizëm mungesa e jodit?





Një nga ndërlikimet që sjell në organizëm është ajo që në popull njihet si "gusha", që s'është gjë tjetër vçse zmadhimi i gjëndrës tiroide. Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël, e cila ndodhet në pjesën e përparme të qafës. Hormonet që prodhon tiroidja ndikojnë në funksionimin e organeve të trupit të njeriut. Por, që kjo gjëndër të punojë normalisht i nevojitet sasia e duhur e jodit.





Kur mungon jodi, kjo gjëndër përpiqet ta përballojë këtë, duke u zmadhuar për të kapur sa më tepër jod. Kështu shfaqet "gusha". "Gusha" është pasoja më e dukshme e mungesës së jodit në trupin e njeriut. Por, mungesa e jodit shkakton edhe dëmtime të tjera shumë serioze si kretinizmi.





Çfarë është kretinizmi?





Kretinizmi është forma më serioze e dëmtimeve të trurit prej mungesës së jodit. Në gjuhën e përditshme këta të sëmurë njihen si persona me prapambetje mendore. Fëmija i sëmurë nga kretinizmi nuk mund të ecë, nuk mund të flasë dhe nuk mund të mendojë normalisht.





Për sa jod kemi nevojë për të qenë të shëndetshëm?





Një njeri ka nevojë të marrë jod çdo ditë dhe gjatë gjithë jetës. Kjo arrihet nëse ne marrim së bashku me ushqimin e përditshëm 1 lugë kafeje (ose 5 gr) kripë të jodizuar, që është kripa e gjellës.





Përvç kripës së jodizuar, nga se mund të merret? Cilat ushqime përmbajnë jod?





Prodhimet e detit si peshku, midhjet, karkalecat, janë burim shumë i mirë jodi. Edhe disa fruta e perime si patatja, hurma, speci, domatja i japin trupit tonë një sasi jodi.





Është e vërtetë që ka disa ushqime që pengojnë marrjen e jodit?





Po. Disa ushqime si fasulja, lakrat, gështenjat pengojnë thithjen e jodit nga trupi ynë, duke ndihmuar në shfaqjen e sëmundjeve prej mungesës së jodit.





Pse jodi i shtohet kripës dhe nuk merret si ilaç?





Kripa është ajo që ne e përdorim çdo ditë në ushqimin tonë. Duke marrë kripën e jodizuar çdo ditë ne kemi marrë dhe jodin bashkë me të. Por, jodi është një përbërës ushqimor shumë i rëndësishëm dhe nuk është ilaç.





Për sa kohë duhet të merret jodi?





Jodi duhet të merret çdo ditë për gjithë jetën. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten, fëmijët dhe familjet tona nga sëmundjet e shkaktuara nga mungesa e jodit.





Si përdoret kripa e jodizuar?





Kripa e jodizuar përdoret njëlloj dhe në të njëjtën sasi si kripa e zakonshme në të gjitha ushqimet që ne hamë. Ajo ka të njëjtën pamje, erë dhe shije si kripa e zakonshme.

Është e vërtetë që në vendin tonë ka mungesa të jodit?





Po. Një studim i Institutit të Shëndetit Publik ka treguar se më tepër se gjysma e popullsisë shqiptare ka mungesë jodi. Çrregullimet nga mungesa e jodit janë problem për gjithë vendin tonë.





Po sasia që merret kur shkojmë në det, nuk ndikon shumë në përmirësimin e nivelit të jodit?





Sasia e jodit që marrim kur shkojmë në det është shumë e vogël dhe nuk mjafton për të plotësuar sasinë e jodit për të cilën trupi ynë ka nevojë. Studimet kanë treguar se mënyra më e mirë për të marrë jodin është nëpërmjet ushqimit.





Çfarë shkakton mungesa e jodit?



Tek gratë shtatzëna shkakton:

Dështime

Lindje të parakohshme

Fëmijë që lindin të vdekur

Fëmijë që lindin me peshë të ulët dhe me pak shanse për të jetuar

Fëmijë që lindin me deformime

Tek fëmija shkakton:

Vonesë në zhvillimin e trurit: Fëmijë me të meta mendore

Vonesë në zhvillimin e trupit: Fëmijë shtatshkurtër-xhuxh

Defekte në të folur e të dëgjuar

Paraliza



Tek fëmijët e shkollës:





Ulje të përqendrimit, vështirësi për të mësuar, ngathtësi, dobësi fizike.

Tek të rriturit shkakton:

Dobësi

Lodhje të shpejtë

Ulje e aftësisë për të punuar

Ulje të aftësisë për t'u kujdesur për familjen dhe për veten

Ulje të inteligjencës

Gushë