Rrustem Musa, nga radhët e PDK-së, është zgjedhur me shumicë votash për kryesues të Asamblesë së Mitrovicës, ndërsa Eroll Zekirja është zgjedhur nënkryetar nga radhët e komuniteteve.
Në seancën e parë punuese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Musa ka marrë votat edhe nga partitë opozitare, megjithëse procesi i votimit teknikisht është kontestuar nga disa kuvendarë të LDK-së dhe ORA-s, pasi në fletëvotim tek emri i kandidatit nuk është precizuar opsioni i votimit.
Ndërsa në votimin për nënkryetar, kuvendarët e LDK-së, LDD-së dhe ORA-s kanë abstenuar, me arsyetim se po bëhet shkelja e procedurave ligjore, pasi në komunën e Mitrovicës kanë thënë se nuk ka 10 për qind pjesëtarë të komuniteteve.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se kjo bëhet në bazë të ligjit, pasi në zgjedhjet e nëntorit, në listat zgjedhore, ka qenë i përfshirë i gjithë elektorati i komunës, duke përfshirë edhe pjesën veriore.