Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se vendit dhe qytetarëve po u kushton shumë shtrenjtë ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kuirit me Malin e Zi. Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit Kadri Zeka, në Gjilan.


Ngecja në demarkacion, po u kushton shumë qytetarëve të Kosovës, sepse ata po mbesin të izoluar dhe në pamundësi që të lëvizin të lirë sikurse qytetarët tjerë, ka thënë Mustafa.


Kjo ngecje i kushton sovranitetit të vendit, sepse nuk mund ta konsiderojmë vendin tonë plotësisht sovran në qoftë se nuk i ka kufijtë ndërkombëtar me vendet fqinjë, theksoi tutje ai.


Kufijtë administrativë që i kishte Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë, sipas kryeministrit Mustafa, tani duhet të shndërrohen në kufij ndërkombëtar.


Përderisa më Shqipërinë dhe Maqedoninë ai tha se nuk ka asnjë problem dhe çështja është rregulluar, problem mbetet vetëm shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe me Serbinë.


Tani ka mbetur vetëm vija kufitare me Malin e Zi, që duhet të ratifikohet dhe të vazhdohet tutje me Serbinë. Por, tash kriter e kemi demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë Mustafa.


Sipas tij, qeveria po punon që ta zgjidhet çështja e ngecur e demarkacionit.


Ka vërejtje, por ato më shumë ndërlidhen me historinë, me të kaluarën dhe nuk ndërlidhen me momentin kur është shpallë pavarësia e Kosovës dhe mbi territorin në të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, ka thënë Mustafa.


Në funksion të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e demarkacionit, Mustafa ka dalë me idenë që të matet territori i Kosovës për të parë nëse marrëveshja me Malin e Zi i ka shkaktuar humbje të territorit Kosovës, siç po pretendojnë opozita dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet.


Por, kjo ide, nuk është mbështetur nga tabori opozitar.


Po ashtu, Mustafa ka takuar të dielën edhe homologun e tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviq në Shkodër të Shqipërisë, por nga ai takim nuk janë dhënë detaje se çka është biseduar në lidhje me shënjimin e vijës kufitare./REL/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter