“Pax Albanica”, botim i  shtëpisë botuese “Saras”, vlerësohet me çmimin “Ardian Klosi” në Tirana Open 1


Autori Mustafa NanoMustafa Nano është vlerësuar dje me çmimin “Ardian Klosi”, si autor i librit më të mirë të vitit në fushën e publicistikës. Libri “Pax Albanica”, botim i shtëpisë botuese “Saras”, është vlerësuar nga juria e Festivalit Tirana Open 1, si studimi më i mirë në këtë gjini, duke lënë pas libra të autorëve të tjerë të njohur si Besnik Mustafaj, Carlo Bollino, Virgjil Muçi, Preç Zogaj, etj. “Pax Albanica”, një libër që sjell një vështrim të gjatë historik mbi raportin historik të shqiptarëve me fenë, është vlerësuar nga një juri e përbërë nga Pirro Misha, Rudina Xhunga, Ardian Vehbiu dhe Bashkim Shehu. E pranishme në dorëzimin e çmimit autorit Nano, ka qenë dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. “Jam i kënaqur që ky çmim mban emrin ‘Ardian Klosi’. Për mua ai ka qenë një intelektual i rafinuar shqiptar e tepër i brishtë i cili dukej sikur s’kishte lidhje me këtë botën shqiptare, e kjo gjë më pëlqente tek ai. Finesa intelektuale dhe brishtësia humane, tipare që nuk ishin tipikisht shqiptare”, tha Nano. Më tej, ai shtoi se me librin ka ndodhur në njëfarë mënyre ajo çfarë ai ka pritur pas një pune gati titanike. “Ky është një lloj shpërblimi për gjithë atë punë që kam bërë për muaj të tërë, duke shfletuar libra, materiale që duheshin për ta ndërtuar…Por nuk është vetëm vlerësimi i librit në vetvete që të kënaq, por edhe vlerësimi në një konkurs, në rrethana ku kanë qenë në diskutim dhe libra të autorëve të tjerë…Kjo më bën ta shijoj më shumë vlerësimin”, shtoi Nano. Për Pirro Mishën, anëtar i jurisë, prurjet në fushën e publicistikës këtë vit kanë qenë mbresëlënëse. Duke folur për librat dhe autorët e tjerë që konkurronin për këtë çmim, ai ka veçuar Fabian Katin me “Formësimi i kujtesës kolektive”. Çmimi “Ardian Klosi” financohet nga rrjeti Traduki. Një vit më parë, me këtë çmim u vlerësua Ardian Vehbiu me librin “Sende që nxirrte deti”. Çmimi “Ardian Klosi” është kurorëzim i një sërë vlerësimesh që autori Nano ka marrë për këtë libër që pas daljes së tij në treg. Libri është një kontribut i vyer jo vetëm në fushën e publicistikës por edhe të historisë, pasi përmbledh në një vështrim kronologjik një raport të gjatë të marrëdhënieve që shqiptarët kanë pasur me besimin, dhe pikat kyçe të kësaj marrëdhënie. Nano shtron pyetje dhe jep përgjigje përmes mënyrës sesi studiues apo udhëtarë që kanë mbërritur në viset tona e kanë parë këtë raport të shqiptarëve. I ndarë në disa kapituj, “Pax Albanica” jep një pasqyrë të konvertimit të shqiptarëve në fenë myslimane, që sipas Nanos ka qenë një konvertim i butë, e jo me dhunë, i shoqëruar më pas me një pyetje në “Bëmë mirë apo keq që e lamë fenë e të parëve?”. Pasazhe interesante dhe të panjohura vijnë për lexuesin e shekullit XXI, për qytete si Shkodra, Elbasani, apo përpjekjet e para të iluministëve shqiptarë për të shkruar mbi besimin. “Pax Albanica” ka ngjallur dhe një debat publik me promovimet që Nano i ka bërë jo vetëm në qytetet brenda Shqipërisë por dhe në hapësirat e tjera shqiptare si Maqedoni apo Kosovë. Por ajo çfarë bën thelbin e librit dhe që shihet që në fillesat e fesë në vend, është harmonia fetare, një vlerë që shqiptarët kanë ditur ta ruajnë. Por a do të ketë një tjetër libër të ri të Nanos, pas suksesit të “Pax Albanica”? “Jam në proces reflektimi, kam një numër idesh të reja për libra të tjerë, por më duhet të gjej kohën e duhur”, thotë ai. Sot, në Festivalin e Librit dhe të Artit “Tirana Open 1″ do të ndahet çmimi “Danish Jukniu”, për artistin më të mirë pamor që merr pjesë në këtë event. Juria e këtij çmimi është e përbërë nga Edoardo Bonaspetti (Mousse Magazine), Cathryn Drake (Artforum & Frieze Magazine), dhe Michele Robecchi (Phaidon). Për këtë çmim konkurrojnë artistë të rëndësishëm, mes të cilëve është dhe Anri Sala, Olivo Barbieri, Alberto Di Fabio, Felix Gmelin, Driant Zeneli, etj. Vjet, me këtë çmim, u vlerësua artisti Armando Lulaj, i cili këtë vit prezantoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Dje, artisti i njohur i artit bashkëkohor Ardian Paci, mbajti një leksion të hapur në ambientet e Piramidës mbi estetikën në art. Ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve si pjesë e “Tirana Open” u përurua ekspozita “Këngë pa emër” e artistit Nico Vascellari, kuruar nga Pier Paolo Pancotto.


Ky shkrim Mustafa Nano: Klosi, intelektual i rafinuar shqiptar u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.