Nga Express më 30 qershor 2011 në ora 21:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk e ka ndërmend të futet në një debat televiziv me Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, sepse “ka punë tjera për të bërë” dhe se debatet politike i zhvillon në nivel tjetër.



Zëvendëskryeministri Kuçi të mërkurën i është përgjigjur Mustafës për akuzat e përditshme lidhur me ndikimin e Qeverisë dhe PDK’së përmes SHIK’ut, duke e ftuar liderin e LDK’së që të përballet në debat televiziv për të gjitha çështjet.



Megjithëkëtë, Isa Mustafa ka thënë se ka punë më të mençura sesa t’i përgjigjet një ftese të tillë.



“Jo, nuk e kam asnjë arsye që të futem në debat me zotin Kuçi. Unë kam punë tjera që janë më të rëndësishme për mua, në qoftë se është fjala për ndonjë debat, i cili duhet të zhvillohet në fushën politike, atëherë dihet që me kë duhet ta bëj debatin”, ka thënë Mustafa.



Lideri opozitar ka thënë se nuk është momenti për debat televiziv me zyrtarët e PDK’së.



“Jo, nuk po flas për nivelin, por po flas për interesimin tim, sepse kam shumë punë më të rëndësishme që të bëj tash sesa të dal në debate, sepse Kosova ka nevojë për punë tjera në këto momente”, është shprehur ai.