Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për gazetën "Zëri", ka deklaruar se po bëhen përpjekje që për demarkacionin të krijojnë konsensus jo vetëm brenda koalicionit, por, siç thotë ai, në gjithë spektrin politik e qytetar.

Mustafa hapësirën e nevojshme të krijuar për debat e sheh edhe në ndihmesën, siç thotë ai, të qëndrimit të Departamentit amerikan të Shtetit, të deklaratës së presidentit Obama, si dhe në qëndrimin e drejtuesve evropianë dhe krijimin e Komisionit të ekspertëve ndërkombëtarë nga ish-presidentja Jahjaga.

Kryeministri Mustafa është i bindur se mosratifikimi i demarkacionit në Kuvend rrezikon jo vetëm lëvizjen pa viza, por edhe proceset që lidhen me sovranitetin, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.

Ai thotë se nuk mund të lejohet që tema kaq të rëndësishme për shtetin, integrimet euroatlantike dhe sovranitetin e subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit, që siç thotë ai, të keqpërdoren për përfitime elektorale.

Ai pra për demarkacionin e fajëson opozitën dhe qëndrimin e saj e konsideron kauzë për përfitime elektorale . Thotë se opozita nuk po arrin të dëshmojë se kujt i humbën mbi 8000 hektarë tokë, ndërkohë që Mustafa është i bindur që territori i Kosovës dhe i Komunës së Pejës janë të plota.

Në këtë intervistë Mustafa flet edhe për raportet që i ka Lidhja Demokratike e Kosovës me partnerin e koalicionit - partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se kanë partneritet reciprok.

"Besoj që kemi mirëkuptim reciprok dhe siç e thash edhe më herët tashmë ne kemi krijuar standard të ri të partneritetit programor-politik për interesa të shtetit, i cili nuk lidhet shumë me emra të njerëzve, por determinuar nga interesi nacional", ka thënë Mustafa.