Objekte muzeale që kanë të bëjnë me ecurinë e shtetit shqiptar, por që janë jashtë vëmendjes dhe syrit të publikut, do të bëhen të njohura në vazhdimësi. Rruga për publikimin e tyre do të vijë menjëherë pas nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.


Për ti paraprirë kësaj nisme Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave organizuan ekspozitën Vula të institucioneve të shtetit shqiptar. Në fund të ceremonisë, dy drejtorët përkatës Dr. Dorian Koçi dhe Dr. Ardit Bido nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit, i cili i paraprin nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në një kohë sa më të afërt.


Duke qenë se të dy institucionet kanë në themel të tyre memorien historike, Muzeu Kombëtar hap siparin e bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit jo vetëm për të publikuar objekte muzeale të panjohura, por dhe për organizime të tjera ekspozitash, konferencash shkencore e pse jo dhe të një botimi të përbashkët, tha në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr.Dorian Koçi. Sipas tij, historia e administratës së shtetit shqiptar dhe vetë vulat e përdorura në kohë të ndryshme kanë të bëjnë me momente kyçe të historisë, prandaj dhe ekspozimi i tyre merr vlerë të veçantë.


71 vulat e prezantuara në këtë ekspozitë janë pjesë e Fondit Koleksion Vulash (nr. 776). Të gjitha vulat kanë qenë funksionale në kohën e tyre, ndërsa sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Qysh prej Traité de Documentation të Paul Otlet (Traktat i dokumentimit, 1934) koncepti i dokumentit në komunitetin shkencor ka ndryshuar. Duke përdorur të njëjtin koncept të dokumentit, sjellim në këtë ekspozitë jo dokumentin klasik, në format letre të shkruar me dorë apo makinë shkrimi, por objektin si dokument që dëshmon dhe dokumenton veprimtarinë njerëzore.


Arkivi i Shtetit e ka bazën e tij tek letrat dhe dokumentet, ndaj dhe objektet muzeale janë lënë disi mënjanë. Por memorandumi i bashkëpunimit me Muzeun Historik Kombëtar do të bëjë të mundur që këto objekte të rëndësishme të mos jenë më të fshehura, por të bëhen të njohura për publikun, tha në fjalën e tij Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr. Ardit Bido.


Ekspozita Vula të institucioneve të shtetit shqiptar është punë e kuratorëve të Muzeut Historik Kombëtar dhe Sektorit të Promovimit dhe Komunikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Ekspozita është konceptuar në disa vitrina. Vulat janë ndarë sipas rendit kronologjik dhe tematik, në alternim me njëri-tjetrin. Vitrina e parë përmban vula të institucioneve fillestare të shtetit shqiptar (vitet 1912 – 1928), duke filluar me vulën Socheria e mesimit schipe bere – 16 decem Bucurest 1881. Vitrina e dytë përmban vula të viteve të Shqipërisë Mbretërore, 1928 – 1929. Vitrina e tretë përmban vula të periudhës së pushtimit fashist, 1939-1943, ndërsa vitrina e katërt përmban vula të periudhës 1944 – 1976. Gjithashtu, në ekspozitë paraqiten vula të shoqërive patriotike dhe bamirëse, të institucioneve të trojeve shqiptare si Filati, Ulqini dhe Fushë Kosova (periudha 1939-1943), vula të ambasadave shqiptare nëpër vende të ndryshme, si edhe vula të komuniteteve fetare. Ekspozita mbyllet me vula të disa prej shoqërive tregtare të kohës. Ekspozita Vula të institucioneve të shtetit shqiptar do të qëndrojë i hapur për publikun deri në datën 6 tetor 2017.


26 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)