Në Stacion - Qendrën për Art Bashkëkohor në Prishtinë prezantohet mbrëmjen e së premtes ekspozita "Muzeu i Artit Amerikan" për t'i njoftuar dashamirët e artit në Kosovë më shumë për fillet dhe historikun e artit të Amerikës.

"Muzeu i Artit Amerikan" është institucion edukativ dedikuar mbledhjes, ruajtjes dhe ekspozimit të kujtimeve kryesisht për Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe programit Internacional të Ekspozitave Qarkulluese të Artit Amerikan.

Janë pikërisht këto ekspozita të MoMA, disa prej të cilave janë kuruar nga Dorothy Miller, që ndihmuan krijimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor të pasluftës në Evropën Perëndimore, identitet që bazohej në internacionalizëm, modernizëm dhe individualizëm.

Ekspozita e "Muzeut të Artit Amerikan" në Prishtinë përbëhet nga dy pjesë. Njëra pjesë lidhet me historinë e paraluftës së Dytë Botërore të Muzeut të Artit Modern kurse pjesa e dytë ndërlidhet me dy dekadat e para pas luftës dhe shfaqjen e Artit Amerikan në skenën botërore, me ekspozitat e MoMA të Artit Amerikan mes viteve 1946-1956, ekspozitën e koleksionit të Peggy Guggenheim në Bienalen e Venecias 1948 si dhe Programin Internacional të MoMA të themeluar më 1953.

Pjesë e "Muzeut të Artit Amerikan" janë edhe ekspozitat e MoMA të Artit Amerikan në Paris më 1955, në Beograd më 1956 dhe Documenta II të vitit 1959 në Kassel.

Që nga fillimet e para "Muzeu i Artit Modern" është konsideruar veçanërisht nga artdashësit amerikan si pothuajse tërësisht pro-evropian dhe në të njëjtën kohë indiferent kundrejt amerikanëve.

Në Prishtinë kjo ekspozetë mbështetet nga ERSTE Foundation, Trust for Mutual Understanding, Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës , Kancelaria Federale e Austrisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës, AMM, X-print dhe DZG.