Ian Paice, bateristi legjendar i "Deep Purple" për herë të parë ka dhënë leksione baterie në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve, dy-tri orë, pasi dha koncertin e tij në ambientet kompleksit "Kalvin". Ishte një nga performancat më të rralla të një artisti, i cili me dy shkopinjtë e tij si armë personale dhe me një tambur përpara, u foli dhjetëra studentëve të Akademisë dhe adhuruesve të tij, mbi specialitetin e baterisë, për të cilin ai renditet si një ndër më të mirët në botë dhe jo vetëm pse i përket "Deep Purple". I ardhur nga epoka e artë e viteve ‘70-të, e i njohur individualisht si një baterist me solo madhështore në disa prej hiteve më të famshme të grupit të tij, Ian Paice, tregoi disa prej sekreteve të mjeshtërisë së tij. Fillimisht, ai u ul përballë tamburit dhe bëri atë që vetëm ai di ta bëjë: performoi me ritme për disa minuta, derisa e nxehu keq spektatorin, duke kulmuar me shpërthimin e duartrokitjeve frenetike. Jo, tha Paice, bateria nuk janë shkopinjtë; nuk është as tamburi e pjata. Bateria është këtu dhe vuri dorën në ballë si për të thënë se mjeshtëria e ka sekretin e fshehur në tru. Por dhe në zemër, siç pohoi disa minuta më pas, duke bërë të njëjtin gjestikulacion; vënien e dorës në zemër. "Bateria nuk është libër, - tha ai. Mjeshtëria me të vjen nga të tjera rrethana dhe nga tjera drejtime". Paice tregoi se si ishte bërë baterist, duke qenë nga një fshat i humbur anglez, ku kishte vetëm tre njerëz që i binin baterisë dhe ata në një formë shumë amatore. Dhe për ta ilustruar atë që tha, ai imitoi një plak nga fshati i tij për mënyrën se si i binte baterisë. Së këndejmi, sipas shpjegimeve që dha, ai kishte mundur ta "vidhte" mjeshtërinë e të luajturit, duke zotëruar sa te një amator e sa te një profesionist, elementët e veçantë të lojës. "Nuk kam rënë pre e marrjes së një modeli, por e marrjes së disave, duke arritur të kompletohem në të gjitha drejtimet", tha Paice. E duke trajtuar sërish sekretin e mjeshtërisë, gjithnjë të ndodhur në tru e zemër, ai u shpreh se sot në botë, i bie të ballafaqohet me shumë fenomene të baterisë, siç mund të jetë dhe një fëmijë 12 vjeç, diku në botë. Por legjendari i "Deep Purple", shpotiti rëndë komercialitetin e sotëm në muzikë, që sipas tij, e ka lënë në hije instrumentin e baterisë. "Muzika nuk është kompjuter", tha ai. Dhe qëndrimin e tij e ilustroi me humbjen e cilësisë së muzikës, thelbit të saj në mrekullinë që bart. Leksionet e tij gjithsesi nuk qenë kaq moraliste. Ai mbajti dhe leksione tejet teknike, duke zbuluar mistere të mjeshtërisë në lojën e baterisë.
Pas kësaj performance në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve, Ian Paice, u zhvendos në kompleksin "Kalvin", ku performoi solo për disa orë rresht, duke e bërë kryeqytetin shqiptar të regjistrojë në memorien e tij, një nga shfaqjet më të rralla e pse, jo në rang botëror (meqenëse dhe Paice është artist i nivelit botëror). Ai Ian Paice, i cili për një brez të tërë ishte një idhull gati i paimagjinueshëm për t‘u prekur, dëgjuar e parë nga afër, mbrëmë ishte për t‘ia kthyer "borxhin" atij brezi që e adhuroi aq shumë, duke e paguar me frikë e stres në jetën undegraund të viteve ‘70. Ndërsa për brezin e tij ai lëshoi mesazhin se çdo të thotë të bësh art, jo me kompjuter, por me tru e zemër.