Kastriot Myftaraj nuk tërhiqet nga deklaratat e tij edhe pas padisë për shpifje të Rajmonda Bulkut. “Sa për faktet, ato i keni në shkrimin tim. Zonja Bulku nuk hedh poshtë asnjë prej tyre, ndonëse i quan të pavërteta. Zonja Kadare ka treguar shumë vetëmohim, saqë nuk ka arsye përse të shpërblejë me një mohim njerëz që kanë shpërdoruar besimin e saj”




Intervistoi: Habjon Hasani



Kastriot Myftaraj nuk tërhiqet nga deklarimet e tij publike se shkrimtari i njohur, Ismail Kadare ka pasur një lidhje me aktoren Rajmonda Bulku, edhe pas padisë për shpifje. Pas pohimit të tij se Bulku duhej të padiste Helena Kadarenë, Myftaraj shpjegon në këtë intervistë për “MAPO”-n se faktet ndodhen në shkrimin e tij dhe se aktorja e njohur nuk ka hedhur poshtë asnjërin prej tyre, por vetëm i ka quajtur të pavërteta. Myftaraj ngulmon se metodologjinë për të arritur në ato përfundime mbi historitë rozë të shkrimtarit e ka huazuar nga Helena Kadare dhe se beson se ajo nuk do të rrëzojë versionin e tij. “Zonja Kadare ka treguar shumë vetëmohim, saqë nuk ka arsye përse të shpërblejë me një mohim njerëz që kanë shpërdoruar besimin e saj”, - thotë Myftaraj, duke iu referuar në këtë rast aktores Bulku, me të cilën do të përballet në gjykatë.


Zoti Myftaraj, pas padisë për shpifje në emrin tuaj, jeni shprehur se në fakt, zonja Bulku në gjyq duhet të hidhte Helena Kadarenë. Por në librin e zonjës Kadare nuk figuron në asnjë moment i lakuar emri i zonjës Bulku, referencën e emrit të saj e keni bërë ju për herë të parë. A jeni në gjendje të ofroni fakte të mjaftueshme për të vërtetuar deklaratat tuaja dhe cilat janë ato?


Zonja Kadare na ka thënë se pas emrave të personazheve femra të Ismail Kadaresë qëndronin emrat e dashnoreve të tij. Pra, Zonja Kadare na ka dhënë dekoderin e veprës së Kadaresë. Ky dekoder duhet përdorur në veprën e Kadaresë. Ajo vetë e përdor në disa raste. Unë thjesht e përdora në disa raste të tjera. Sa për faktet, ato i keni në shkrimin tim. Zonja Bulku nuk hedh poshtë asnjë prej tyre, ndonëse i quan të pavërteta.


Por ju arrini në përfundime të tilla, edhe pse bashkëshortja e shkrimtarit Ismail Kadare e ka shmangur një gjë të tillë…


Zonja Kadare e ka hedhur librin në qarkullim, kështu që tashmë leximi i tij mund të konsiderohet konsultim. Unë nuk kam vjedhur dorëshkrimin e zonjës Kadare dhe ta përmend atë, pa u botuar prej saj.


Sikur nesër Helena Kadare të dalë e të pohojë versionin e zonjës Bulku dhe të rrëzojë pretendimet tuaja, si do të përgjigjeshit ju?


Zonja Kadare do ta ketë të pamundur që të mohojë produktin e metodologjisë që na ofroi ajo me librin e saj. Por Zonja Kadare nuk do ta bëjë këtë dhe unë e mirëkuptoj. Zonja Kadare ka treguar shumë vetëmohim, saqë nuk ka arsye përse të shpërblejë me një mohim njerëz që kanë shpërdoruar besimin e saj.


Në romane, autorët shpesh përdorin referenca ndaj personave realë, por duke u shtuar elemente imagjinate ngjarjeve dhe rrethanave. Si keni arritur ju të dalloni se ku përfundon realiteti dhe nis imagjinata e autorit, pa u konsultuar me autorët?


Në rastet thoni ju, autorët vendosin një shënim në libra, ku thuhet se ngjashmëria me persona realë është e rastit. Ismail Kadare ka zgjedhur që të mos e bëjë këtë.


Për të kuptuar sa qëndron në këmbë teoria juaj, mund të analizojmë rastin e Ani Wilms, të cilin ju e keni përmendur në shkrim. Në vitin 2007, zonja Wilms ka shpjeguar se në librin "Pritje të bukura", ku ajo aludonte një lidhje të saj me Kadarenë, gjithçka ishte një "fiction" për ta bërë sa më pikant romanin e saj dhe për këtë gjë kishte rënë dakord me vetë Kadarenë. Duket se vetë zonja Ani Wilms e ka sqaruar këtë pjesë, apo jo?


Në artikullin tim thuhet se në një libër të Kadaresë ka një personazh me emrin Wilms. Sipas metodologjisë së zonjës Kadare, duhet të jemi të vëmendshëm në këto raste.




Padia e Rajmonda Bulkut për Myftarajn



E nderuara Gjykatë! Gazeta e përditshme “SOT”, në numrin e saj të datës 01 nëntor 2011, ka botuar një shkrim të Kastriot Myftarajt me titull “Cilët janë emrat e dashnoreve të Ismailit, që Helena i përmend në librin e saj, përse i rrëfen tani”. Midis të tjerash, në shkrim thuhet: “Në romanin ‘E penguara’, të botuar në 2009-ën, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza, e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur, Rajmonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Ndërkohë, Rajmonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St., i cili ka shkruar romanin ‘Dimri i suferinës së madhe’, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë ‘Dimri i vetmisë së madhe’, njihet me një vajzë të re me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e Arteve në Tiranë. Në këtë kohë, Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë me emrin Linda B., e cila është e internuar…Më pas, në emisionin ‘Zonë e Lirë’ në Tv KLAN, më datën 04.11.2011, Kastriot Myftaraj i ftuar në këtë emision pikërisht lidhur me shkrimin e botuar në gazetën ‘SOT’, i ka ripohuar dhe ka këmbëngulur në ato që kishte botuar tri ditë më parë në këtë gazetë”.


E nderuar Gjykatë! Të gjithë këto thënie të botuara në gazetën “SOT” dhe të pohuara prej Kastriot Myftarajt disa ditë më vonë në një emision televiziv janë të pavërteta dhe synojnë të cenojnë nderin dhe personalitetin tim. Unë, kërkuesja, jam e martuar që prej vitit 1979 me Fatos Pashkon, kemi dy fëmijë të rritur, Jozel, 31 vjeç dhe Hega, 28 vjeçe. Kam punuar shumë vite në Teatrin Kombëtar si aktore dhe aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, angazhimet e mia si aktore dhe aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë nuk kanë lënë asnjëherë mënjanë impenjimet e mia bashkëshortore dhe si nënë, ndaj këto marrëdhënie nuk janë lëkundur asnjëherë gjatë këtyre viteve. Hamendësimet dalin nga një mendje e sëmurë, si ajo e të akuzuarit Kastriot Myftaraj, e botuar nga e përditshmja “SOT”, që janë shpifje të kryera prej tyre botërisht në dëmin tim, pasi lidhjet që përpiqen të krijojnë të akuzuarit me atë shkrim nuk kanë të bëjnë fare as me jetën time si aktore dhe as me jetën time intime. Thëniet e mësipërme, për të cilat edhe të akuzuarit e dinë mirë që nuk janë të vërteta, janë bërë me qëllim për të cenuar, midis të tjerash edhe nderin e personalitetin tim, duke konsumuar kështu të gjitha elementet e kundërvajtjes penale të shpifjes, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.


Për këtë shkak, kërkojmë gjykimin e personit juridik gazeta “SOT” dhe të shtetasit Kastriot Myftaraj për kundërvajtjen penale të shpifjes, e kryer botërisht në dëmin tim, Rajmonda Bulku, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.


Në pritje të caktimit të seancës gjyqësore, me respekt Rajmonda Bulku.