Bajram Peçi

Bajram Peçi


Tingëllon mëse ironike, që trojet nga ka marrë emrin kontinenti i vjetër janë pak a shumë këto vënde të Ballkanit, që qendrojnë sot jashtë këtij organizmi politiko-ekonomik, të quajtur Bashkim Europian. Kështu e ka zanafillën termi Europë! Kërkuesit e etimologjisë së emrit Europa, ndonëse thonë që nuk është e sigurtë, japin gjithsesi dy versione: i pari buron nga mitet greke, ajo e perëndeshës Europa, e rrëmbyer nga Zeusi. Grekët thonë se ka kuptimin e “syrit të gjerë”, (i gjerë-eurus dhe p- “sy”), interpretim ky që duket disi i detyruar. Por të tjerë, që qendrojnë larg megallomanisë greke, thonë se rrjedh nga fjala semite ereb-perëndim, me të cilën fenikasit 600 vjet para erës sonë tregonin tokat në veri të Egjeut e të gjitha vendet në perëndim të Sirisë, ku ata jetonin.


As grekët dhe as romakët nuk e njihnin dhe nuk e përdornin këtë emër. Hartat e para që janë shfaqur me këtë term e vendosin në perëndim të Dardaneleve, në veri të Egjeut Lindor e që përshkon tokat trako-maqedone-ilire. Sa sipër, sa për kureshti, për të përkëdhelur veten, se quheshim europianë para europianëve. Këtu ka qenë i përdorur ky term, deri kur filluan dyndjet sllave e barbare dhe deri kur del në Gali Karli i Madh.


Që ngelëm të fundit, nuk është se nuk e dimë arsyen, pse? Kur Anglia dhe Franca, Gjermania dhe Austria, Italia dhe Spanja ishin perandori, ndërsa Hollanda dhe Belgjika ishin kolonizatore, Ballkani ndodhej nën shtypjen ushtarake turke. Ishin Europa dhe Rusia ato që u dhanë pavarësinë nga Turqia popujve të krishterë, duke iu vënë në krye Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë edhe nga një mbret gjerman.


Tokat e Shqipërisë dhe Maqedonisë mbetën deri në shkatërrimin e Perandorisë Otomane si territor i okupuar. Në Kongresin e Berlinit kancelari Bismark nuk do jepte as eshtrat e një grenadieri pomeranez për shpëtimin e tyre. Më pas, dy luftra botërore shkatërruese për të dy popujt dhe, së fundi, ndarja me vizore e me laps të kuq prej Çurçillit dhe Stalinit të kahjes politike ku do ngujoheshim.


Reagimet e para, për rekomandimet e anëtarsimeve të reja në BE, patjetër që do vinin nga shtypi, ku ato gjermane dhe fjalimi i presidentit francez, do zinin vend qendror. Janë pa peshë…, është afërsisht përcaktimi skeptik gjerman, referuar ekonomisë, dhe Macron që tha, pak a shumë, se nuk beson që ndonjë nga vëndet që ka marrë rekomandimin do jetë anëtare e BE-së në vitin 2025.


Dhe gjasat janë të shumta që qershori ta japë si fillim këtë mohim. Jo unë, por besoj se shumë të tjerë nuk duhet të habiten pse edhe mund të refuzohemi në qershor, pse mund të refuzohemi të jemi pjesë e familjes politike dhe ekonomike të Europës. Ajo që duhet të na habisë është gëzimi që


do përshkojë në ato çaste Lulzim Bashën dhe ithtarët e tij që shteti narkotrafik u refuzua falë ndihmesës së palodhur të njeriut pa atdhe. Dhe ky qendrim buron përpos se nga të qenët në pushtet të kundërshtarëve të tij politik, Partisë Socialiste.


Vjet në këtë kohë, në prill, ky njeri nga çadra deklaronte se Vetingun nuk do ta miratojnë sepse është krijesë e Sorosit. Sivjet është tërë kohën i zënë me lobingun për gjetjen e kundërshtarve të Shqipërisë dhe furnizimin e tyre me argumentet kundër Noriegës dhe shtetit të narkotrafikut.


Ndërsa Vetingu ka marrë rrugë dhe po shërben si përvojë pozitive për forcimin e shtetit të dobët dhe pozitave të vendit, otomani Lulzim përgatit festën e asaj që ky do ta quajë fitore të tij. Në rrethanat kur kënaqësia që do i japë dështimi i samitit të Bullgarisë, (se ska si ndodh ndryshe pas prononcimit të parakohshëm të Macron) pavarësisht përpjekjeve të miqve tanë, luzma e sharjeve dhe topat e baltës po përgatiten të hidhen në fund qershori.


Ashtu si princi trashëgimtar otoman, që shkon drejt fronit, puna e parë që duhej të bënte ishte vrasja e vëllezërve, kështu dhe ky lindor fillimisht hoqi qafe rivalët e mundshëm për ti marrë në parti postin dhuratë. I nënvlerësuar parreshtur në partinë ku mban postin e kryetarit, ankimet dhe shpifjet ndaj partisë që ka fituar në kutinë e votimit pushtetin, do shihen si e vetmja mundësi për të forcuar pozitat.


Në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, natyrisht, që të dyja së bashku, jemi ekonomikisht të papërfillshme dhe nuk është se gazeta e Frankfurtit ka bërë ndonjë zbulim.


Por, a nuk ishin dhe janë të tilla edhe tre vendet e Detit Balltik? Pamëdyshje që po! Të gjithë e dinë se janë jo vetëm pa peshë ekonomike për të ndikuar në Europë, por janë dhe të brishta për shkaqe gjeopolitike, me Rusinë në lindje e madje edhe në perëndim të tyre. Pra, pranimi në BE ishte më së shumti, politik. Në rastin e shqiptarve ka ngurrim të përligjur prej opinioneve të përgatitura në këto 25 vjet të karikaturës demokratike.


Serbia e lau me gjak ish Jugusllavinë, ushtroi dhe kreu genocid e krime të përbindshme ndaj shqiptarve, boshnjakve e kroatëve, por kjo se pengoi të merrte rekomandimin para Shqipërisë dhe viktimave të saj. Intuita e popullit shqiptar, në shtetin amë, në Republikën e Kosovës, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndonëse i është mirënjohëse Europës e popujve të saj për ndihmën që i ka dhënë, në tavolinat e punës, në automjete, në lokale biznesi e shërbimi, i shtyn të mbajnë gjerësisht flamurin amerikan.


Është një besim. Është kjo një shenjë mirënjohjeje, që nis nga qendrimi në Konferencen e paqes, deri te pavarësia e Kosovës, pa pushtetin e të cilës pak gjasa do kish që ky popull i vuajtur të fitonte lirinë vetëm me ndihmën europiane. Besnikëria ndaj amerikës është shndërruar në bindje të patundur, sepse i kemi tashmë aleat të qendrueshëm dhe shqiptarët ju kanë dhënë e do ju japin parreshtur prova të besnikërisë.


Do kalojë samiti i Sofies, ku do lobojmë, do vijë qershori përseri me lobime, mund edhe të mos e kalojmë këtë fazë të parë, por betejat për tju afruar vlerave europiane do vazhdojnë. Do ketë që do gëzohen pse su pranuam, por shumica nuk do hidhërohet, përkundrazi, do i përshtatet kërkesave në rritje, do shtojë energjitë për rritjen e të mirave të ardhshme, do rrisë durimin.


Në këtë fazë ku ndodhet shoqëria jonë, opozita duhet ta kuptojë se duhet të bëhet e dobishme për shoqërinë. Ndryshe, shoqëria shqiptare, ky dhe brezat e ardhshëm që do vijnë, nuk do tjua harrojë.


25 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)