augustin_palokaj4Nga Augustin Palokaj


 


Për dy javë do të mbushen 15 vjet nga fillimi i fushatës ajrore të NATO-s për ti dhënë fund dhunës serbe në Kosovë, pastrimit etnik dhe krimeve që bënte regjimi i Slobodan Milosheviqit. Kjo ndërhyrje shënoje dhe fundin e ish-diktatorit të Serbisë dhe fundin e politikës së tij agresive në tërë territorin e ish- Jugosllavisë. Më herët NATO-ja kishte ndërhyrë në vitin 1995, ndonëse me një intensitet shumë të vogël, edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe ajo ndërhyrje e kufizuar mjaftoi që serbët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të pranojnë Marrëveshjen e Daytonit që i dha fund luftës.


Edhe pas luftës në Bosnjë-Hercegovinë NATO-ja u kujdes për vendosjen e paqes përmes një misioni të madh dhe të gjatë në këtë shtet. Edhe në Kosovë pas fundit të luftës u kujdes për vendosjen dhe ruajtjen e paqes apo, siç thuhet në zhargonin e NATO-s, krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë.


Kontributi i NATO-s ishte i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar. Është e pamundur edhe të imagjinohej se si do të dukej sot rajoni i Ballkanit sikur NATO-ja të mos kishte ndërhyrë.


Krejt ky angazhim i NATO-s nuk ka qenë aq i lehtë për shtetet anëtare të kësaj Aleance. Është dashur të shpenzohet shumë nga to. Është dashur të përballen edhe me kundërshtimet e forcave të ndryshme politike dhe një pjesë të opinionit, i cili apriori ishte kundër çfarëdo ndërhyrje. Por Ballkani në anën tjetër ndihmoi edhe në transformimin e NATO-s. Pikërisht këto ndërhyrje dëshmuan se edhe pas përfundimit të luftës së ftohtë ka nevojë për NATO-n, dhe ambicie edhe më shumë se më parë.


Këto ndërhyrje dhe suksesi në Ballkan i dhanë kuptim ekzistimit të NATO-s në kohën kur tashmë kishin filluar debatet për shpërbërjen e kësaj organizate të krijuar si rezultat i vullnetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur aleatët në Evropën Perëndimore nga invadimi i Bashkimit Sovjetik.


Pas ndërhyrjeve në Ballkan NATO-ja u transformua dhe u zgjerua. Zgjeroi jo vetëm anëtarësinë e saj nga 16 në 28 shtete, por u bë aktor global edhe përmes ndërtimit të partneriteteve të reja, që nga Evropa Lindore e deri te Koreja e Jugut, Japonia dhe disa vende arabe.


Pati edhe angazhime të reja si ajo në Afganistan apo në ruajtjen e detit Mesdhe. Sot më askush nuk flet për shpërbërjen e NATO-s, edhe pse roli i saj ka ndryshuar e me këtë edhe doktrina e veprimit.


Në Ballkan sot prania e NATO-s është shumë e vogël. Madje do të mund të thuhej edhe simbolike. Diku rreth 5.000 ushtarë në Kosovë, numër që pritet të përgjysmohen në rastin e parë të mundshëm, nuk është ndonjë barrë për Aleancën më të fuqishme të botës. Megjithëkëtë, sado e vogël të jetë prania e NATO-s ajo është e pazëvendësueshme.


Edhe sot NATO-ja mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare për shqiptarët e Kosovës ndërkohë që është bërë edhe për serbët misioni më i besueshëm pa të cilin ata nuk mund ta paramendojnë sigurinë e tyre në Kosovë. Ishte një befasi e vërtetë kur kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Serbisë kërkuan garanci pikërisht nga NATO-ja para se të pranohej marrëveshje e prillit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel.


Vërtet BE-ja është ajo e cila jep më së shumti ndihma financiare për rajonin dhe ajo e cila, përmes politikës së zgjerimit dhe mekanizmave të kësaj politike ndihmon demokratizimin në këtë rajon për ta përgatitur të integrohet një ditë në Bashkimin Evropian. Por vetëm NATO-ja është ajo e cila mund të krijojë ndjenjën e sigurisë në Ballkan. Kjo është arritur në masë të madhe në këto 20 vitet e fundit përmes politikës, të cilët e kishte përmbledhur njëri prej ish-sekretarëve të përgjithshme të NATO-s, Gorge Roberton, duke u angazhuar për më shumë Ballkan në NATO e më pak NATO në Ballkan.


Përderisa në BE motoja duhet të jetë e kundërta më shumë Evropë në Ballkan e më pak Ballkan në Evropë!, duke menduar në zgjerimin e zonës së prosperitetit evropian, vlerave dhe sundimit të ligjit në Ballkan, NATO-ja e kishte lidhur zvogëlimin e pranisë së saj në rajon me avancimin e vendeve të rajonit në procesin e integrimeve euroatlantike. Pra gjithmonë është folur për integrimet euroatlantike duke mos harruar se krahas integrimit në BE, pikërisht për ti dhënë ndjenjën e sigurisë, vendet e rajonit më parë anëtarësohen në NATO.


Kroacia e goditur rëndë nga lufta, tashmë është bërë anëtare e NATO-s. Edhe Shqipëria po ashtu dhe këto dy shtete tashmë me aleatët e tyre në NATO angazhohen në pjesë të tjera të botës. Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi janë partnere në programin e Partneritetit për paqe, një lloj statusi kandidati për ato vende që aspirojnë anëtarësimin. Mali i Zi është shumë afër për tu bërë edhe anëtar i NATO-s ndërsa Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për tu anëtarësuar po ashtu, por po mbahet e bllokuar për arsye politike.


Edhe Serbia, të cilën dikur e kishte bombarduar NATO-ja është bërë partnere e kësaj Aleance dhe ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm ushtarak. Këtë herë kanë pasur parasysh liderët e NATO-s kur kanë thënë se duan më pak NATO në Ballkan dhe më shumë Ballkan në NATO.


Me gjithë suksesin e arritur deri më tash dhe faktit të padiskutueshëm se situata e sigurisë është shumë më e mirë, ende nuk mund të thuhet se është krijuar një stabilitet i plotë në Ballkan. Sfidat nuk janë më aq shumë ushtarake sa janë politike. E NATO-ja, nuk duhet harruar, para së gjithash, është një Aleancë politike.


Për të finalizuar gjithë punën që ka bërë gjatë afro 20 vjetëve të fundit në Ballkan, që nga ndërhyrjet e para në Bosnjë-Hercegovinë e deri te detyrat që po i bën ende sot në Kosovë, Aleanca e Atlantikut të Veriut duhet të angazhohet më shumë politikisht në Ballkan.


Urgjentisht, para fundit të këtij viti, do të duhej të ftonte Maqedoninë dhe Malin e Zi në anëtarësim në NATO, të hapë Planin e veprimit për anëtarësimin (MAP) e Bosnjë-Hercegovinës dhe të ftojë Kosovën në Partneritetin për paqe (PfP). Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohej stabiliteti i qëndrueshëm në rajon.


Shtetet si Kosova, Bosnjë-Hercegovina, deri diku edhe Maqedonia, ende nuk e kanë krijuar një stabilitet të qëndrueshëm politik, as të brendshëm e as të jashtëm. Kosova nuk e ka nën kontroll një pjesë të territorit të saj, ndërsa, me gjithë disa marrëveshje të arritura në Bruksel, Serbia nuk e njeh dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.


Bosnjë-Hercegovina de facto është e ndarë. Maqedonia po ashtu ka një stabilitet të brishtë politik me potencial permanent të ngritjes së tensioneve ndëretnike. Nuk është problem vetëm pse në procesin e integrimeve në BE dhe NATO, pra në integrimet euroatlantike, këto tri shtete po vonohen shumë, por pse ato janë të bllokuara në këtë rrugë. Kosova nu