Në Gjirokastër vapa ka nisur që në orët e para të mëngjesit. Gurët e saj të njohur zbardhëllejnë nga dielli i fortë. Ne rrimë e presim për do kohë në lagjen e poshtme. Kemi lënë takim me një kryetar komune dhe këto lloj takimesh sikur na vënë ca në siklet. Gjuha, e ecura, veshja, qëndrimi i kryetarëve sikur janë ca larg prej tonave. Megjithatë sikletin e parë e kalojmë menjëherë. Një burrë i qeshur, me ecje e veshje sportive na përshëndet përzemërsisht: "Mirdita, unë jam Shkëlqim Guçe, kryetari i Komunës së Picarit. Më thanë se interesoheni për fshatin tonë". Kishim pritur një kryetar hijerëndë dhe me kostum, por kemi bërë shumë shpejt miqësi me një shok të vërtetë dhe artist. Më shumë se për punët e komunës "Çimit", sikurse kemi nisur ta thërrasim shumë shpejt, i pëlqen të flasë për muzikën, për këngën polifonike, për botimet dhe për jetën artistike. Ai është edhe drejtues i një grupi shumë të suksesshëm folklorik që e kanë quajtur "Gurra e Picarit". Çimi dhe shokët e tij të komunës do të na ndihmojnë teksa do të ecim përgjatë historisë e së sotmes së fshatit të tyre me goxha emër. Brenda pak minutash i kapërcejmë ato 18 kilometra që ndajnë Gjirokastrën nga Picari dhe befas zhytemi në mes të gjelbërimit në anë të Gurrës së fshatit. Rruga është e asfaltuar deri në qendër.



Si t‘i shpëtojmë rrepet?!



Pleqtë e Picarit mblidhen përditë në të njëjtin vend, në hijen e një rrapi të madh, te lokali i Çobo Haskajt. Ndërsa pleqtë flasin për politikë, Çobo sillet vërdallë i shqetësuar. "Ka ca kohë - na thotë - që u ka rënë një sëmundje e rëndë rrepeve. Ne kemi rrepe shumë të lashtë. Kanë qenë dikur krenaria e fshatit. Tani po thahen në mënyrë të pashmangshme. Ndërsa pleqtë vazhdojnë muhabetin e tyre të gjatë e të patrazuar, Çobua se ç‘bën në anë të rrapit. "I kam hapur një gropë dhe i hedh pleh e ilaç - vazhdon të tregojë njësoj sikur të flasë për një njeri të sëmurë - ky i imi më ngjan se shpëtoi, porse të tjerët kanë mbaruar me kohë". Gjethet e reja të rrapit që i fryn era, duket sikur i gëzohen kujdesit të të mirit Çobo.



Një copë herë bëjmë edhe ne muhabet me të moshuarit e fshatit. Biseda shkon që nga hallet e sotme të të gjithë//////// fshrave - largimi i të rinjve sidomos - e deri te Çelo Picari dhe Shefqet Peçi, dy emrat më të njohur të Picarit. Mes tyre njohim edhe një tjetër Çelo. Ky është një plak i gjatë që flet më pak se të tjerët, njësoj si dikur kapedani që mbante emrin e tij. Krejt afër rrapit të Çobos lartësohet një monument i bronztë. Ky i kushtohet një tjetër Çeloje, Çelo Asllani, dëshmor i Luftës së Dytë, fort i njohur dhe i nderuar këtyre anëve. "Me sa duket, këtu duhet ta kesh emrin Çelo që të bëhesh i njohur", bën shaka me pleqtë njëri prej nesh. Në valën e shakave dhe hokave njihemi edhe me një personazh tjetër. Xha Asllan Thana nuk para dëgjon mirë nga veshët. Ka qenë centralist i postës së fshatit. Kohë më parë, një rrufe shkarkoi drejt e në antenën e tij, ndërsa centralisti po punonte me kufje. Që atëherë, xha Asllani i mëson bisedat nga leximi i buzëve të njerëzve.



Pleqtë vazhdojnë hokat e tyre nën hijen e rrapit të përtërirë. Ne ndalojmë një copë herë përbri një lapidari tjetër. Është prej mermeri të zi. Në të shkruhet: Picariotëve që ëndrrat e tyre i vranë në emigrim. Plagë dheu i huaj. Melhem djepi juaj. Shumë djem të fshatit janë larguar për në kurbet. Disa nuk u kthyen më kurrë. Neve na duket sikur befas kemi dëgjuar ndonjë nga ato këngët e trishtuara polifonike që këndojnë burrat e "Gurrës së Picarit".



Kapedan Çelua i Picarit



Çelo Picari ka lindur 208 e vjet më parë në Picarin e vjetër, i cili tashmë është një grumbull rrënojash hijerënda, e megjithatë kujtimi i tij është i gjallë, jo vetëm se këtu takon disa Çelo njëherësh, por të gjithë që takuam thuajse e kishin bindje: Ah po, keni ardhur për Çelo Picarin!



Emri i vërtetë i Çelos së vjetër ishte Xhelil Bega. Ishte djali i Mehmetit dhe Xhikos, të dy fshatarë të varfër të këtyre anëve. I vogël ishte bari me dhentë. Shkathtësia dhe zgjuarsia e tij duket se i ka bërë përshtypje ndonjë kapedani që kalonte këtyre anëve, kështu që Xhelili, tani Çelo për të gjithë, përfundoi shumë shpejt në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Këtu u rrit, u formua si luftëtar dhe i shërbeu Aliut deri sa ky u vra në 1822. Picariotëve ua ka ënda të thonë se Çelua i tyre ishte më i hedhuri nga të gjithë ata që stërviteshin në oborrin e Aliut, madje më i fortë se edhe vetë Marko Boçari i famshëm. "Marko Boçari suliot/ Qan e të këput me lot/ Se me Çelon se del dot/ Është djalë picariot…", këndojnë ata ende kur nisin e marrin një këngë të qëmotshme. Që në Kurvelesh e kanë zakon t‘u këndojnë me lavde trimave të tyre kjo nuk është një gjë e re, por me sa duket, ky Çelua duhet të ketë qenë një individ fort i zgjuar. Peripecitë që ka kaluar në jetën e tij të gjatë e provojnë këtë më së miri.



Në nëntorin e 1828, gjashtë vjet pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, Çelo Picari ishte në krah të Zylyftar Podës, Tafil Buzit dhe të tjerëve që vendosën të ngrenë Jugun e Shqipërisë në kryengritje kundër reformave që njihen si të "Tanzimatit". Kryengritja mori përhapje të madhe, ajo ishte e lidhur edhe me kryengritësit e Revolucionit Grek. Porta e Lartë e pa punën pisk. Kishte rrezik që Jugu shqiptar të shkëputej përfundimisht nga zotërimet perandorake. Sadrazemi Mehmet Reshit Pasha njihej për dinakërinë e tij. Ai u ofroi krerëve të pabindur shqiptarë një amnisti të përgjithshme, e cila do të shoqërohej edhe me shumë favore. Një festë e madhe do të organizohej në Manastir në prani të vetë sulltanit. Çelo Picari ishte ndër ata që e kuptuan se pas gjithë kësaj vinte era gjak. Tre vjet më parë, në 1827, ai i ishte lutur, madje e kishte shoqëruar gjatë një mikun e tij Ismail Bej Vlorën, që të mos i përgjigjej ftesës së valiut të Janinës. Miku nuk e dëgjoi dhe u vra pas festës. Që në atë kohë aftësia e mosbesimit ndaj këtyre ftesave duket se ka qenë ngulitur fort te Çelo Picari.



Më 26 gusht 1830, krerët e mashtruar shqiptarë, të veshur me teshat e tyre plot ngjyra e gajtanë hynë në kazermën madhështore të Manastirit. Duhet t‘i ketë marrë sytë luksi i paparë që u ka dalë para syve. Me një shenjë të kryeministrit (sadrazemit) 500 burra, krerë nga më të njohurit e Shqipërisë së Jugut, u shkuan në shpatë. Mes të masakruarve ishin edhe Asllan Kuca dhe Veliko Jaçe. I pari kurveleshas dhe mik i Çelos, i dyti djali i xhaxhait, gati vëllam i Çelos.



Çelo bashkë me të vëllanë e Asllan Kucos i vunë zjarrin një //////////agjejej të //////aninës dhe rrëmben kokat e prera të dy njerëzve të tyre, të cilat u varrosën në Picar. Osmanët u tërbuan dhe nisën reprezaljet. Premtimet e grekëve për ndihmën/////// u mbërritën kurrë. Çelo Picari u bë sërish i "urtë": i ofron paqe sulltanit, në këmbim të një vendi pune të sigurt. Jetoi ca kohë si mbikëqyrës i kufirit greko-turk në Thesali, por duke pasur gjithnjë mosbesimin e osmanëve, të cilët e dinin fort mirë se kishte plane të tjera dhe se bashkëpunonte me revolucionarët grekë. Një ftesë-kurth iu përsërit sërish. Kësaj here duhej të shkonte në Stamboll "për të folur për atë punën e nizamëve". Çelo, si gjithnjë mosbesues, në fillim nuk pranon, por bindet pasi del "shahit" (garant) vetë kreu i fesë myslimane Sheh-Ul Islami. Këtë herë ishte mashtruar vërtet. Në fillim e burgosin, pastaj e internojnë në Anadoll, në Konja.



Pas gjashtë vjetësh internimi, në 1844, kthehet në Picar. Lidhet me Zenel Gjolekën, një nga trimat e rinj të Kurveleshit dhe me të vjetrit Tafil Buzi e Rrapo Hekali. Sërish hidhen në kryengritje. Sërish marrin një ftesë-kurth. Kësaj here Çelo pranon të shkojë. Instinkti i mosbesimit, me sa duket, kishte nisur t‘i dobësohej. Përfundon sërish në Konja, në internim dhe pas do kohësh lirohet me kusht, që të mos kthehej më as në Picarin e tij dhe asgjëkundi tjetër në Kurvelesh. Jetoi në Janinë disa kohë dhe mori pjesë në luftën greko-turke të 1854. Vdiq në Athinë në 1880. Kishte kaluar 79 vite, më shumë se gjysmën e të cilave me shpatë në dorë duke u ruajtur nga pusitë. Dy djemtë e tij më të mëdhenj, Ibrahimi dhe Iliazi, vazhduan të jetojnë në Picar.



Në korrikun e 1924, kur Eqrem bej Vlorën dhe kushëririn e tij Avni bej Delvina, të arrestuar nga forcat e revolucionit fanolist, i nisën në këmbë nga Vlora në Tiranë, ata takuan në Fier Xhevdet Çelon, stërnipin e Çelo Picarit. Të dyja palët janë kujtuar për miqësinë që kishte lidhur stërgjyshërit Çelo Picari dhe Ismail bej Vlorën. Ishte pikërisht ky i fundit që nuk ia kishte dëgjuar fjalën Çelos dhe që u vra me të pabesë në Janinë në 1827. "Xhevdet Çeo pra, ishte mik i vjetër i shtëpisë tonë - shkruan Eqrem beu në kujtimet e tij - ne u pritëm dhe u sajdisëm më së miri në komandën e xhandarmërisë dhe të nesërmen vazhduam rrugën me makinë, a thua se ishim të ftuar nderi". Miqësia mes familjeve të vjetra do të vazhdonte edhe për pak kohë.



Te xha Halili



Halil Bilaj është 76 vjeç. Prej katër vjetësh është krejt i verbër. Glaukoma ia ka marrë dritën e syve. Tani del fare pak nga shtëpia e tij, jo shumë larg qendrës së Picarit. Te porta e oborrit të tij, të stërmbushur me trëndafila na pret nënë Gjylso, bashkëshortja e tij. Gjylso po nder jorganët e porsalarë në rrethimin e oborrit. "Nëno, na e la shëndenë dimri", i themi që nga larg. "Do vijë shpejt prapë, mos u bëni merak djema", përgjigjet ajo duke na dalë përpara te pragu i portës. Xha Halili është ulur jashtë me radion dhe me një televizor të vogël para tij, nga ku vijnë lajmet e gumëzhitshme. "Nuk kam se ç‘të bëj më tani. Me këtë hall që më gjeti vetëm dëgjoj lajmet. Më mungon leximi shumë. Më mirë të kisha humbur dy këmbët se sa dritën e syve. Ç‘t‘i bësh? Kështu e paska pasur kjo jetë", plaku flet ngadalë duke rrotulluar kokën që të dallojë zërin e gjithë secilit. Që poshtë në Gjirokastër, por edhe në bisedën me miqtë e tij të mbledhur te rrapi i Çobos e kishim dëgjuar emrin e tij. "Duhet të shkoni e se s‘bën te Halili. Ai është marrë jetë e mot me shtëpitë e kulturës, me muzeun, me librat. Ai i di këto histori", kishin këmbëngulur të gjithë. Tani ja ku e kemi përballë me syzet e errëta, që i mbulojnë trishtimin e syve që nuk shohin.



Me xha Halilin hyjmë në një fushë tjetër të historisë së Picarit, në Luftën e Dytë Botërore. Picari është vendlindja e njërit prej emrave më të njohur të Luftës, Shefqet Peçit, gjeneral, Hero i Popullit. Ai pat lindur këtu në 1906. Fshatarët thonë se pat marrë pjesë edhe në Luftën e Vlorës, kur ishte vetëm 14 vjeç. Kjo mund të jetë vërtet e çuditshme, porse janë gjëra që ndodhin në një fshat që e do akoma djalin e vet. Shefqet Peçi në fillim qe ushtarak, më pas komunist, partizan, komandant i Brigadës V dhe pas Çlirimit njëri nga njerëzit më të pushtetshëm të regjimit. Vdiq në burg në 1995, pas një greve urie.



Picari e ka vuajtur fort Luftën. Bashkë me xha Halilin rrimë e kujtojmë do gjëra që më parë i kemi hasur ndër libra. Në tetor 1943, gjermanët sulmuan këto anë. Asokohe formacion më i fortë partizan ishte ai që mbante emrin "Asim Zeneli". Pikërisht diku mes Picarit dhe fshatit të afërt Shtëpëz është zhvilluar një betejë e përgjakshme. "Humbjet e armikut ishin 23 të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur", shkruhet në një botim zyrtar të periudhës së komunizmit. Nuk ka asnjë fjalë për humbjet e partizanëve apo të popullsisë civile.



Në janar të 1994, krahina është përfshirë sërish nga flakët e luftës. Brigada V partizane është angazhuar në luftime të fuqishme me gjermanët. Qëllimi i gjermanëve ishte asgjësimi i plotë i partizanëve. Lufta ka vazhduar për disa ditë me radhë. Partinët, ndonëse me humbje të rënda, kanë arritur të dalin në zona të lira, ku gjermanët e kishin të vështirë të arrinin.



Xha Halili i kujton të gjithë këto luftime. "Isha i vogël, por erën e tymit dhe gjëmimet e luftës i mbaj mend mirë. Gjatë luftës italo-greke ne fshiheshim në shpellat këndej rrotull. Këtu kalonte fronti mes italianëve dhe grekëve. Deri vonë, andej nga 1957, kanë qenë ende copa leckash nga uniforma e të vrarëve në majë të rrepeve", na thotë.



Historia e tij personale është ca e veçantë. Ne i lutemi të na kujtojë disa gjëra. "Kam lindur këtu, në Picar, në 1933 - nis të flasë ngadalë - isha fëmija i dytë në familje. Babai im ishte taksidar. Kur kam qenë vetëm 5 vjeç na kanë transferuar në Shkodër. Nga ky qytet nuk mbaj mend shumë gjëra. Vetëm më shfaqet herë pas here një pus i madh që ishte në qendër të oborrit të mbushur me pemë. Pas pak kohe jemi transferuar sërish. Këtë herë në Lezhë. Këtu na u shtua edhe një motër tjetër. Në 1939, si u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste, babai vendosi të kthehej këtu, në fshat.



Në fakt, im atë, Bilal Hajdari-Bilaj, më shumë se unë ka pasur një histori të ngatërruar. Gjatë Luftës së Parë Botërore, në 1914, im atë u arrestua nga grekët, të cilët e morën për ta vrarë. Nuk dihet se si shpëtoi dhe përfundoi në një kamp në Itali. Asokohe i gjithë Kurveleshi u dogj nga lufta dhe të gjithë vanë refugjatë në ullishtat e Vlorës. Babai u kthye në 1918. Kishte miqësi me Myfid bej Libohovën, i cili e caktoi me punë në Jalë, në bregdet. Në 1924, ishte taksidar në Vlorë dhe kështu vazhdoi historia sikurse iu thashë më parë.



Gjatë Luftës nuk mbajti ndonjë anë. Ishte vërtet mik me Memo Meton, Mustafa Matohitin dhe ndonjë komunist tjetër, por nuk u angazhua politikisht. Në shtatorin e 1943 kapitulloi Italia. Vjen një shok e i thotë tim eti se duhet të shkojë në Gjirokastër të marrë pagat e prapambetura. Kështu bëri. Nuk dihet se si përfundoi në Gërhot, ku ishin disa shokë të tij dhe Hysni Lepenica i Ballit Kombëtar. E gjithë puna ishte se kujt do t‘i dorëzoheshin trupat dhe armatimet italiane, partizanëve apo ballistëve? Ka plasur batareja. Qëlluan italianët. U vra Hysni Lepenica dhe shumë të tjerë, mes të cilëve edhe im atë. Kur është vrarë ka pasur me vete 27 napolona floriri. Ishte rroga për të cilën kishte marrë rrugën atë ditë në Gjirokastër".



Xha Halili është themeluesi i Shtëpisë së Kulturës së Picarit. "E kam nisur me një radio me vajguri në 1958 dhe arritëm të kemi grupin tonë folklorik të dëgjuar në të gjithë Shqipërinë. Kur kam ikur në pension e kam lënë bibliotekën me 9 mijë tituj. Tani nuk e di nëse keni qenë andej nga ajo që ka qenë Shtëpia e Kulturës". Këtë e kishim parë kur bisedonim me pleqtë në sheshin e fshatit. Është një godinë e braktisur. Goxha e madhe duhet të ketë qenë dikur. Me mure të fortë dhe me salla të mëdha. "I kam bërë të tëra përpjekjet për vënien e saj në gjendje funksionale - na thotë Çimi, kryetari - një herë ishim fare afër marrjes së fondeve, por ia ndryshuan destinacionin. Në këtë pikë kërkojmë ndihmë nga pushteti më lart. Është një turp i vërtetë që një objekt i tillë të rrijë si gërmadhë mu në mes të fshatit".







Një poet del nga mësimi



Murat Memallaj është mësues, por para kësaj është poet, humorist, publicist. Zërin e tij të njohur e dëgjojmë teksa bëhemi gati të ndahemi me miqtë e Picarit. Sapo ka dalë nga mësimi. Murati na lutet të qëndrojmë edhe ca dhe trishtohet kur merr vesh se e kemi ndarë mendjen për udhë. "Mirë atëherë - na thotë - hidhini një sy këtyre botimeve të mia". Murati është origjinal, krejt origjinal njësoj si muhabeti që bëhet poshtë rrapit të Çobos dhe mbase ca më tepër. Ja një nga poezitë e tij që ai e quan "me theks të mprehtë social". Poezia është shkëputur nga vëllimi "S‘e fsheh dot ///////////bregën jo mor, jo…", i cili përbëhet nga 20 faqe në format të vogël: Sa herë shqipua u zu ngushtë/ I rënduan rëndë nënën/ Ai thirri "Djem përpara/ I bini! I q… t‘ëmën/ Oh, ç‘na lodhi rruga e gjatë…/ Prapë se lëshuam zemrën/ Rruga, tashmë, na mori frymën/ Po s‘ka gjë: "Ç‘i q… t‘ëmën!/ "Ç‘do me thënë ç‘i q… t‘ëmën?/ Pyeti shqipon një e huaj/ Shqipua me ç‘i q… t‘ëmën shkon një vit e gjashtë muaj/ Dhe ra bota në mendime/ Shqipua rron me ç‘i q… t‘ëmën/ Ndaj nuk pyetka për mërgime/ Detit, malit i q… nënën!/ Dhe bota e mori vesh/ Shqipua rron me ç‘i q… t‘ëmën…".



Me vargjet e Muratit në dorë ndahemi me miqtë e Picarit. "Të na vini prapë. Kemi ende gjëra për të parë e për të folur", na përsërisin teksa makina jonë ka hyrë sërish në "tunelin" e gjelbër në anë të Gurrës.