MONIKA SHOSHORI STAFA


-    SHENJAT E HARRUARA INTELEKTUALE HEBREJE NË SHQIPËRI-


Monika StafaKëto vitet e fundit, çështja e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka nisur të studiohet më seriozisht. Mirëpo çdo hap që hidhet përpara për njohjen e çështjes shoqërohet me pikëpyetje gjithfarëshe. Disa nga këto pikëpyetje shpeshherë ngjajnë më shumë si shprehje paaftësie për tu shkuar studimeve në thellësi, se si shtysa për faza të reja kërkimesh.


Dy nga pikëvështrimet sa naive aq dhe shkurajuese për të kërkuar të vërtetën janë: Në Shqipëri nuk ka pasur hebrenj të pasur, prandaj shqiptarët nuk i shihnin me zili, madje, duke i gjetur në ditë të hallit, fitonin mëshirën dhe solidaritetin e tyre. Pikëpamja tjetër është se në Shqipëri erdhën vërtet shumë hebrenj, por këta qenë të parëndësishëm, spërfaqësonin gjë, nuk ishin si Shpilman (kujtoni filmin Pianisti) apo si Norbert Jokli, për të mos bërë shumë krahasime. Kjo logjikë është përdorur për të gjetur një shpjegim pse afro 3000 hebrenj të ardhur në këtë vend nuk provokuan sjellje mospranuese ndaj tyre në popullsinë vendëse. Në të vërtetë kjo përbën një thjeshtëzim të prapësueshëm të problemit.


Mbretëresha Geraldinë, në një intervistë dhënë vetëm pak kohë para vdekjes për një dokumentar kinematografik, ka pohuar se gjatë periudhës mbretërore, shteti shqiptar i ka lëshuar një pasaportë nderi shkencëtarit hebre Albert Einstein për ti lehtësuar rrugën drejt botës së lirë. Studiues të shkencave të historisë kanë përmendur fakte të tërthorta që mund ta konfirmojnë këtë fakt. Mirëpo, edhe sikur Einstein të mos ketë ardhur kurrë në Shqipëri dhe të mos i ketë përfituar lehtësitë e këtij shteti për ti shpëtuar vdekjes së sigurt, asgjë nuk e ndryshon faktin se në këtë vend nuk erdhën vetëm hebrenj rastësorë dhe pa ndonjë interes të posaçëm për Reich-un. Dihet mirë dhe përmendet jo rrallë se Jozef Levi, i njohur edhe me emrin Pepe-Levi, një prej njerëzve më të pasur të bashkësisë hebraike europiane, ka jetuar dhe zhvilluar veprimtari në Vlorë. Po aq mirë dihet se vetë sovrani shqiptar Ahmet Zogu mbante rreth vetes intelektualë me origjinë hebraike, si mjeku i oborrit Ourinovski, reporteri i oborrit Weitzman (të njëjtin mbiemër mbante një prej ish-presidentëve të parë të Izraelit).


Po edhe sikur të mos ishin këto fakte, do të mjaftonte fakti që në Shqipëri, në vitet 1930, gjendeshin dy prej figurave më të njohura në shkallë botërore të botës hebraike: Herman Bernstein, ish-ambasador i SHBA në Shqipëri, autor i një libri të shkëlqyer për vlerat dhe virtytet shqiptare, çuditërisht ende i paçmuar zyrtarisht nga autoritetet e këtij vendi, si dhe prof. Stanislav Zuber, ai që njihet si babai i gjeologjisë botërore të naftës dhe gazit, zbuluesi i pellgut naftëmbajtës të Bakusë, zbuluesi i zonës naftëmbajtëse në trekëndëshin Kuçovë-Patos-Marinzë në Shqipëri, hartuesi i së parës hartë gjeologjike të pasurive nëntokësore të vendit tonë, themelues i të parit muze gjeologjik të Shqipërisë.


Për fat të keq, prof. Stanislav Zuber vdiq në burg më 1947, pothuajse me të njëjtat kushte torturuese si gjatë periudhës naziste, pa një aktpadi të shqiptuar zyrtarisht, i akuzuar si intelektual borgjez, që kishte braktisur Bashkimin Sovjetik të Leninit për të punuar për British-Persian Petroil Co., për më tepër që kishte fshehur nga harta e mineraleve të rralla të Shqipërisë praninë e floririt.


Deri më sot, asnjë akt mirënjohje nuk është ndërmarrë ndaj një figure të tillë, zbulimet e të cilit mund të thuhet se ende nuk janë tejkaluar, thjesht janë zgjeruar në përfytyrim. Zuber kishte një përmendore për së gjalli në Baku, ndërsa në Shqipëri, ku punoi për afro tri dekada, duke dhënë ndihmesa me vlerë botërore, nuk i njihet as emri. Çbëjmë ne për të nderuar mendjet intelektuale që shenjuan në historinë tonë zbulimin në shkencë? Si ne do të kujtohemi për emra të tillë kur vetë historia e pashkruar ende nuk i jep dritë në faqet e saj? Edhe sa kohë do të presim të tjerët të na kujtojnë çfarë duhet dhe jo, të rikujtojmë ? Historia i nënshtrohet një procesi të përhershëm rihetimi. Burimet e reja që dalin – arkivat, ditarët dhe letrat personale, kujtimet, p.sh. – marrin vlerë që interpretime të veçanta të procesit historik të rivërtetohen dhe të përmirësohen. Është përgjegjësi e çdo brezi historianësh të luftojë për të përmirësuar punën e udhëheqësve të tyre. Dhe për këta, për udhëheqësit; për historianët e brezit të afirmuar, ky proces duhet të konsiderohet një gjë krejt normale, si një haraç që një student duhet ti paguajë studiuesit më të vjetër. Puna me arkivat më mësoi se që të shkruash historinë e Shqipërisë nuk është një gjë që mund ta mbarosh brenda pak kohësh – një mësim, mendoj, që të gjithë historianët duhet ta dinë.


Ky shkrim NEVOJA E RISHKRIMIT TË HISTORISË u publikua me pare te Gazeta SHQIP.