250px-Muharrem_Bajraktari

"Në Lumë çeta trime e Muharrem Bajraktarit me popullin bujar e luftëtar të Lumës i dha grushte të forta milicisë..." - Rezoluta e Konferencës së Pezës (16 shtator 1942)

Gjatë viteve 1935-1939 Muharrem Bajraktari pati jetuar në Francë, i përfshirë në organizatën "Bashkimi Kombëtar". Më 30 qershor 1939 ai u largua nga Franca e, si qëndroi disa kohë në Itali, në shtator 1939 mbërriti në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe nuk pranoi ofertat që iu bënë në Romë e në Tiranë nga Jakomoni, Pariani e Agostinuccio për t'u emëruar në poste të larta dhe u kthye në vendlindje, në fshatin Domaj të Lumës.

Krahinën e vet Muharremi e gjet të ndezur, sepse, si në të gjithë vendin edhe në Lumë, pushtimin fashist e kishin çmuar si kob kombëtar. Lumjanët e dinin mirë se ç'është pushtuesi, sepse jo njëherë kishin vuajtur zgjedhën e huaj (osmane, serbe, bullgare). Prandaj qenë rrekur t'i dilnin zot vatanit, por nuk patën armë. Veshur me "teshat e dekës" patën mësy komunat, nënprefekturën dhe prefekturën për t'u armatosur, por gjetën një administratë të hutuar e rezervistë të paarmatosur. Dhe, ndërsa në bregdetin shqiptar gjëmonin topat e në qiell fluturonin avionët luftarakë të armikut, në Lumë ushtonin lodrat e curlet kushtrimtare për t'i dalë zot vatanit të kërcënuar, i cili po mbulohej nga hija e zezë e robërisë...

Muharrem Bajraktari qëndroi legalisht në Lumë e gjetkë, deri në shpërthimin e konfliktit italo-jugosllav, prill 1941, përgjithësisht i pangacmuar, ndërsa i vëllai, Bajrami, ish-student i drejtësisë në Romë, u bë objekt presionesh nga agjentë të SIM-it (dr. Çirito, insp. Crigenti, tog. Orlando) për ta detyruar të hynte në shërbim të pushtuesit, në milicinë fashiste ose në federatën e fashios, por nuk u përkul edhe ky, po ashtu si i vëllai.1

Gjatë kësaj periudhe, Muharremi kontaktoi shumë ish-përkrahës, mblodhi rreth vetes njerëz të besuar që do ta mbështetnin në veprimtarinë e tij të mëvonshme, shumica e të cilëve njiheshin edhe si kundërshtarë të regjimit fashist. Ndër këta qenë edhe lumjanët që e shoqëruan, kur ai qe larguar nga Shqipëria e pat hyrë në Jugosllavi, në dhjetor 1934: Rexhep Mehmeti, Baftjar Ismaili, Xheladin Bajrami, Riza Bislimi, Zylfi Maliqi, Sef Xheladini nga Ujmishti dhe Xhumshit Shaqiri nga Morini. Në vitet 1934-1939, edhe këta kishin qëndruar në emigracion, në Jugosllavi.2 Në grupin e mbështetësve të Bajraktarit qenë edhe Dostan Bilalaj nga Bicaj, ish i burgosur gjatë periudhës së mbretërisë, bajraktari i Hasit, Mehmet Alia, Zëlfi e Qazim Bajraktari etj.

Ndërkaq, M. Bajraktari ish vënë në lidhje me Gani Kryeziun në Beograd, me të cilin, gjatë verës së vitit 1940, kishte pasur një shkëmbim letrash3 për të përgatitur një kryengritje në Shqipërinë e Veriut. Kjo kryengritje e iniciuar dhe e organizuar nga përfaqësuesit e zbulimit anglez në Beograd, do të kishte në krye një treshe të përbërë nga G. Kryeziu, A. Kupi, M. Gjinishi, të mbështetur edhe nga M. Bajraktari. Organizuesit në Beograd të kësaj kryengritjeje shpresonin se mund të gjendeshin mjete për t'i furnizuar forcat që do të vepronin në Shqipërinë Veriore, si dhe parashikonin formimin e një qeverie të përkohshme në çastin e duhur.4 Organizuesit e kryengritjes bënë përpjekje të shtinë dhe armë e municion në Shqipëri.5

Po në fund të dhjetorit 1940, SOE6 i udhëzoi njerëzit e vet në Beograd që kryengritja e menduar të mos nxitej, prandaj ajo mbeti si një veprim që nuk ka ndodhur kurrë: "The revolt that never happend".7

Sipas një të dhëne të vëllait të Muharremit,8 në pragun e konfliktit italo-jugosllav qeveria italiane i kërkoi nacionalistit lumjan që të organizonte një fuqi civile me pagesë prej 4000 vetash për të hyrë në Kosovë, por ky refuzoi. Po ashtu, Muharremi nuk pranoi të kalonte me forcat italiane që ishin të dislokuara në visin e Kukësit, në anën e majtë të Drinit, por qëndroi në vendlindjen e tij, zonë që do të okupohej përkohësisht nga ushtria jugosllave, e cila kaloi kufirin e 1913 e hyri në Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste (në Rrafshe të Lumës, në Has e në Malësi të Gjakovës).

Forcat jugosllave u futën në territorin shqiptar më 6 prill 1941, në disa drejtime. Drejt Lumës qenë nisur dy kolona: njëra, nëpërmjet Grykës së Morinit, synonte qytetin e Kukësit, ndërsa një tjetër, më e vogël, e nisur nga Dragashi, kaloi Lakun e Topojanit e Grykën e Shkallës dhe zbriti në Bicaj, pa hasur në asnjë qëndresë. Për të penguar sulmin jugosllav në drejtim të qytetit të Kukësit, një batalion italian që kryente detyrën e praparojës, qe vendosur përgjatë bregut të djathtë të lumit të Lumës, por ky, pas një qëndrese të vogël, u detyrua të tërhiqej përtej Drinit, pasi hodhi në erë urat mbi Lumë e mbi Drin.9

Si ra qyteti i Kukësit (6 prill 1941), forcat jugosllave u vendosën në vijë luftimi, gjatë bregut të djathtë të Drinit, po jo në jug të Qafës së Kolesjanit.10 Po në këto ditë, forcat jugosllave pushtuan Krumën e Tropojën.

Repartet jugosllave patën shkëmbime zjarri me ato italiane të vendosura në krahun tjetër të Drinit, ndërkohë që malësorët e Lumës kishin pasë grabitur ndërtesat qeveritare e ushtarake në Bicaj e në Kukës, ku qenë dëmtuar edhe 35 shtëpi private. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga trupat jugosllave të pushtimit qe llogaritur në 300 mijë fr. ari.11 Qenë vrarë edhe dy malësorë kuksianë (Morin, Gjinaj) e plagosur disa të tjerë.12

Gjatë këtyre ditëve, M. Bajraktari u takua dy herë me komandën e ushtrisë pushtuese serbe, e cila i kërkoi të bashkëpunonte me të. Sipas T. Kolgjinit, ai i kishte deklaruar komandantit jugosllav se "asht simpatizant i politikës angleze e si rrjedhojë ushtrinë jugosllave e konsideronte aleate".13 Por B. Bajraktari, në Promemorien e vet, thotë se i vëllai "ka mbajtur qëndrim të rezervuar me serbët, mbasi situata nuk ishte e qartë.14 Dhe më tej: "Muharremi refuzoi dhe nuk dëgjoi me u tërheqë përtej Drinit me fuqitë italiane, kështu mbet automatikisht nga ana e serbëve, megjithëse nuk kishte edhe ma të voglën lidhje me ta..."15

Ndërkaq, komanda jugosllave u përpoq të aktivizojë disa krerë lumjanë me forcat e tyre kundër italianëve, prandaj organizoi një takim me ta, por nuk gjet mbështetje. Në takim nuk pranoi të shkonte i vëllai i Muharremit, pse - siç do të deklaronte më vonë - "qëndrimi jugosllav nuk qe konform me premtimet: ishin ata serbomëdhenjtë e pakorrigjueshëm".16

Duke parë pamundësinë e qëndresës së Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve ndaj sulmit gjerman dhe dështimin e sigurt të së ashtuquajturës "kryengritje e armatosur" kundër pushtuesit italian - ka theksuar Xh. Emeri, bashkëpunëtor i Seksionit D në Beograd - M. Bajraktari nuk i hodhi njerëzit e tij në luftë të hapur, përkundrazi i mbajti larg një ndeshjeje, që do të kishte marrë dhe karakter vëllavrasës, sepse forca mercenare nga Dibra, të nxitur nga italianët, nën komandën e Halil Alisë, kishin dalë në Kala të Dodës dhe ishin nisur drejt Bicajt për të sulmuar në Rrafshe të Lumës.17

Pra, Muharremi u përpoq dhe ia doli të shpëtojë Lumën nga një gjakderdhje vëllezërish, shmangu një shesh luftimesh e plaçkitjesh, duke organizuar një besëlidhje ndërmjet krerëve të Ujmishtit, Lusnës e Kolesjanit me motivin "mos me lejue që Luma të prishet nga një fuqi jolumjane".18 Përndryshe, malësorët e këtyre fshatrave do të përlesheshin me mercenarët dibranë që kishin kaluar Veleshicën e kishin hyrë në Lumë e, kështu, do të shkaktohej gjakderdhje e madhe.

Besëlidhja e prillit 1941 midis Ujmishtit, Lusnës e Kolesjanit afroi Spahiet me Muharrem Bajraktarin dhe, paskëtaj, këta vepruan së bashku deri në shtator 1944.19 Që nga ajo kohë, M. Bajraktari qe vënë në lidhje edhe me mikun e tij në Has, Mehmet Ali Bajraktari, i cili kish ngritur në Krumë flamurin shqiptar.20 Si dështoi kryengritja e menduar dhe si u shkatërrua Jugosllavia nga forcat gjermane, Mehmet Ali Bajraktari u bashkua me çetën e Muharrem Bajraktarit.21

Qëndresa e ushtrisë jugosllave përpara sulmit gjerman vazhdoi vetëm pak ditë. Më 17 prill, përfundoi pushtimi i mbretërisë jugosllave. Ushtria e saj u shthur dhe nuk mundi të përballë presionin gjerman. Si u tubuan, pas tërheqjes, në fushën e Prizrenit, repartet e ushtrisë jugosllave iu dorëzuan pa kushte forcave gjermane.

Në mesin e prillit, forcat italiane hynë në Kosovë22 dhe, po në atë kohë, M. Bajraktari e njerëzit e tij u hodhën në ilegalisht (14 prill 1941).23 Çeta e tij, në ato ditë, përbëhej prej rreth 30 vetash. Këtë e pohon B. Bajraktari24 si dhe një dokument i kohës, i cili thotë se: "...nga komuna e qendrës Bicaj janë arratisun të kumtuem politikisht Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari (i vëllai), Zylfi Maliqi, Xhemë Ahmeti, Riza Gjana e Sabri Domi, të gjithë nga katundi Ujmisht i Lumës, si edhe Dostan Rexhepi, Hamza Rexhepi, Halit Banushi e Jusuf Dema nga Bicajt".25

Ndërkohë, autoritetet ushtarake italiane, si u vendosën në Bicaj, bënë disa përçapje që Muharrem Bajraktari të kthehej nga arratia në shtëpi. Për këtë i dërguan Xhafer Bislimin (Kukës) e Sahit Nikën, mikun e tij (Surroj), për ta bindur, por ai nuk pranoi.26 Ky qëndrim i Bajraktarit nuk qe një tekë e tij, por përfundim i bindjeve politike e morale të kristalizuara tashmë: ai qe nacionalist e antifashist i bindur. Pikëpamjet politike, bindjet e qëllimet e tij gjatë periudhës së okupacionit janë shpaluar qartë në Promemorien e të vëllaut, Bajramit, i cili ka qenë bashkëpunëtori dhe këshilltari më i afërt i tij, me horizont kulturor e me mprehtësi mendore. Prandaj të dhënat e tij janë, gjithsesi, të besueshme.27

Ja pikëpamjet e M. Bajraktarit:

a) Luftën e dytë botërore do ta fitojnë patjetër aleatët;

b) Qëndrimi në ilegalitet është një domosdoshmëri për të mos u kompromentuar me okupatorin;

c) Për të luftuar pushtuesin, duhet të fillohet me rezistencën pasive dhe, pastaj, kur armiku do të tregojë shenja dobësimi dhe nuk do të jetë në gjendje të kundërveprojë me dëm, mund të kalohet në luftë të hapur. Kjo pikëpamje nuk ka qenë vetëm e Muharrem Bajraktarit, por edhe e udhëheqësve të tjerë nacionalistë, siç tregon edhe raporti i nënkolonelit anglez, Maklin, dhe kapitenit, Xhulian Emeri, dërguar qeverisë britanike në Londër (18 qershor 1944): "Është me rëndësi fondamentale - shkruajnë oficerët britanikë - për udhëheqësit nacionalistë, të cilët përfaqësojnë rendin shoqëror ekzistues, që të mund të bëjnë operacione në atë masë, sa ata kanë mundësi në mënyrën përkatëse të mbrojnë shoqërinë e tyre kundër reprezaljeve të armikut...".28

ç) Duhet evituar në çdo mënyrë gjakderdhja midis shqiptarëve;

d) Gjatë luftës duhet bashkëpunuar me të gjithë shqiptarët e ndershëm pa dallim ideje e feje;

dh) Në mbarim të konfliktit botëror, lypsen forca të freskëta për të përballuar çdo orvatje të jugosllavëve e grekëve për rivendikime tokësore dhe për të mbështetur synimet tona për një Shqipëri me kufijtë etnikë. Por kursimi i forcave do të jetë i nevojshëm edhe për të dominuar situatat e brendshme;

e) Pas luftës duhet krijuar një qeveri koalicioni, në të cilën do të përfaqësohen forcat e ndryshme politike, pse, kështu, do të garantoheshin votimet e lira. Por, për t'u paraqitur me pretendime serioze në votime, duhet patjetër të jesh i papërlyer dhe të kesh forca të freskëta;

ë) Për mua është e domosdoshme të përzihet okupatori, por kush e bën këtë nuk më intereson - thoshte ai, - ndërsa unë do të jap një kontribut brenda mundësive të mia e në përputhje me interesat kombëtare. Nuk duhet të dalim nga lufta me të metat e vitit 1918;

f) Muharremi ishte kundër aksioneve të vogla, të cilat i quante të dëmshme, ndërsa përkrahte një kryengritje të përgjithshme, ku do të merrnin pjesë të gjitha rrymat politike, por donte patjetër pavarësinë ndaj tyre. Në një konkluzion të tillë kishin arritur edhe misionarët ushtarakë britanikë, Maklin e Emery, në qershor 1944, kur shkruanin: "Një kryengritje e përgjithshme është një përdorim më i frytshëm i forcës nacionaliste sesa një aksion në shkallë të vogël...".29

g) Muharremi ishte kundër atentateve ndaj autoriteteve etj. dhe përkrahte gjykimin me drejtësi të njerëzve të lidhur me okupatorin;

gj) Në periudhë votimesh ishte kundër hedhjes së parullave falso që shqetësojnë jetën normale, kundër propagandës dhe sabotimeve;

h) Ka qenë kundër hakmarrjes politike e private, kundër veprimeve terroriste, grabitjeve, rrahjeve etj., prandaj u përkrah dhe u mbështet nga malësorët, u furnizua me bukë e ushqime dhe u konsiderua prej tyre, gjatë gjithë kohës që qëndroi në arrati, viktimë e persekutuar nga regjimi komunist.30

Pas kapitullimit të Jugosllavisë dhe tërheqjes së ushtrisë së saj nga zona e pushtimit (Lumë, Has, Malësi e Gjakovës), milicia fashiste dhe forcat e karabinierisë u vunë në ndjekje të kundërshtarëve të regjimit për t'i ndëshkuar dhe për të paralizuar veprimtarinë politike e ushtarake të tyre. Në dosjet e korrespondencës sekrete të qeverisë fashiste dhe të organeve të zbulimit, shënohen si armiq të rrezikshëm edhe shumë krerë të Shqipërisë Veriore e Verilindore etj., si Abaz Kupi, Myslim Peza, Hysni Lepenica, Ibrahim Gjoçi, Adush Kastrati, Isuf Selmani, Kurtajt e Matit, Marka Jaku etj., që po përgatitnin një kryengritje antiokupacion dhe si kryetar i saj konsiderohej Muharrem Bajraktari: "Si kryetar i lëvizjes sinjalizohet koloneli Muharrem Bajraktari e të tjerë persona". Ky, gjatë verës së vitit 1941, kishte udhëtuar fshehtas - shkruanin dokumentet - deri nga Pogradeci, Korça, Elbasani, ku thohej se ka dhe përkrahës të tjerë.31 Në krahinën e Lumës lëvizja konsiderohej me rrënjë të thella, sepse krerët e saj mendohej se bashkëpunonin me oficerë anglezë.

Në fund të muajit korrik, karabinieria ish informuar se kish kaluar kufirin Abaz Kupi bashkë me kolonelin anglez, Cripps, etj., të cilët, pasi qenë takuar me M. Bajraktarin në Lumë, kishin shkuar në Lurë të veshur me tesha lumjanësh.32

Se veprimtaria, më saktë qëndrimi i Muharrem Bajraktarit, ish bërë shqetësues, në verën e vitit 1941, e tregon edhe një shkresë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar prefekturave Kukës, Prizren e Dibër, ku kryepushtetarët e tyre porositeshin "të mblidhnin vërtetime mbi ndodhjen ose jo brenda juridiksionit të qarkut të tyre të Abaz Kupit e Muharrem Bajraktarit me shokë. Në rast se eventualisht - u thohej - do të keni informata se mund të jenë aty, t'i shkruhet karabinierisë për t'i ndjekur këmba-këmbës e me efikasitet...".33

Në këtë kohë pat një krah lumjanësh, i cili kryengritjen kundër pushtuesit e quante të parakohshme: "Asht herët - thonte njëri prej tyre - sepse po të bajmë një kryengritje sot, vendi na shkatërrohet thellë, si në njerëz, ashtu edhe në pasuni..."34 Por - siç shkruam më sipër, atëherë Bajraktari mendonte ndryshe.

Për të penguar dhe dënuar veprimtarinë politike të M. Bajraktarit dhe për t'i pakësuar përkrahësit e tij me anë të frikës, organet e pushtimit i internuan familjen në Ballsh35 dhe iniciuan lidhjen e besës kundër tij. Dihet, gjithashtu, se, në nëntor 1941, zv. prefekti i Kukësit, N. Lafe, i kërkoi MP të Brendshme që, "në rast se ligja vonohet të dekretohet, lutemi të autorizohemi me procedue me një lidhje bese tjetër, sipas zakonit".36 Dhe përgjigja pozitive u dha menjëherë (11.XI.1941).37

Qëllimi i lidhjes së kësaj bese do të mësohet pak më vonë. Ajo synonte "me penalizue Muharrem Bajraktarin e shokët e tij", sepse: "1. Ai dëshiron shkatërrim qetësie dhe anarshi"; 2. Muharremi me të arratisunit e tjerë kërkojnë me sigurue jetesën e tyne me rrugë ilegaliteti e në dam të pasunive të hueja... 3. Me lidhjen e besës agjentët e sigurimit botuer nuk do të preokupohen me popull për të konsumue mundin e tyne duke ju dhanë drejtëpërsëdrejti me ndjekë Muharrem Bajraktarin".38

Por kundër lidhjes së besës qenë ngritur shumë zëra. Ymer Nika (Surroj), para popullit të katundit të vet, qe shprehur: "...besa quhet e prishun në qoftë se ndokush do të regjistrohet në fuqinë civile vullnetare..."39 Ndërsa ndaj mësuesit të Bicajt, Q. Hoxha, u morën masa administrative, duke e shkarkuar nga funksioni e duke e transferuar në Gjakovë, me motivacionin: "...asht kundër lidhjes së besës, s'ka lejue asnjë prej fisit të tij të marrë pjesë në komisionin e pajtimeve (besës)..., asht njeri intrigant dhe i rrezikshëm për qetësinë e rrethit të Lumës...".40 Njëherit, në banesën e nënprefektit fashist të Bicajt, Spiro Kosova, "persona të panjohur" hedhin një bombë, çka tregon se populli i Bicajt po kalonte në aksione konkrete kundër pushtuesit dhe mbështetësve të tij.41

Kur u kuptua se as mjetet politike dhe as forcat ushtarake, të milicisë e të karabinierisë lokale, nuk mund ta nënshtronin Muharrem Bajraktarin dhe t'ia shuanin apo, së pakut, t'ia voknin mllefin antiokupacion që e frymëzonte, atëherë qeveria kuislinge dhe Komanda e Lartë e ushtrisë pushtuese avancuan masat kundër tij dhe popullsisë së zonës ku vepronte ai. Për këtë situatë do të shkruante më vonë vetë Muharremi: "Fshatra të djegura, qytete të shkatërruara, gjaku i derdhur dhe mizerja e përgjithshme janë dëshmi të pakundërshtueshme të qëndresës heroike të popullit shqiptar, e këto janë përmendur kaq herë nga stacionet radiofonike të të gjithë vendeve demokratike. Kjo qëndresë bëhet aq e zjarrtë në vitin 1942, saqë Italisë iu desh të ndërmerrte një operacion ushtarak në shkallë të gjerë nën komandën e gjeneralit Votante, në Shqipërinë Veriore, dhe të gjeneralit Valerá në Shqipërinë e Jugut..."42

Gjatë periudhës prill 1941-mars 1942, Luma pothuaj mbeti "zonë e lirë", pse karabinieria, pas traumës që pësoi gjatë agresionit serb, nuk mundi të vendosë rendin e qetësinë. Për më tepër, fshatrat në jug të Qafës së Kolesjanit nuk pranonin t'u përgjigjeshin detyrimeve qytetare e shtetërore dhe strehonin pothuaj haptas pjesëtarët e çetës së M. Bajraktarit. Qenë shtuar vjedhjet, grabitjet e vrasjet në krahinë e jashtë saj, sidomos në Maqedoninë Perëndimore.43 Po, njëherit, u intensifikuan marrëdhëniet me Kosovën: çdo javë, në ditë pazari, qindra e qindra malësorë të bashkuar me karvane, zbrisnin në Prizren, në Tetovë e Gostivar për tregti, ku shitnin bagëti e furnizoheshin me drithë e prodhime artizanale.44 Jeta ekonomike, pra, qe gjallëruar, por forca e ligjit erdh duke u dobësuar, prandaj administrata e pushtuesit dhe forcat e rendit u gjendën në situatë të vështirë. Fryma antiokupacion qe rritur, sidomos në Lumë dhe në Krujë, ku vepronin nacionalistët Muharrem Bajraktari e Abaz Kupi, por edhe Jugu kish ngritur krye.

Pas disa përçapjesh që bëri qeveria dhe forcat e pushtimit për ta joshur Muharremin me ndonjë post, përfshirë edhe atë të kryeministrit, ky nuk u lakua, por i çoi fjalë kreut të qeverisë që "nëse e ndjente veten për shqiptar, nuk duhet të qëndronte edhe ai në atë karrige".45

Ndërkohë, tentativa e qeverisë për të përçarë malësorët e Lumës vazhdonte, duke i detyruar që të betoheshin sipas kanunit se nuk do të kundërshtonin masat që do të ndërmerreshin në krahinë, krerët e së cilës, në një kuvend të organizuar në Bicaj, kishin njoftuar se nuk do të lejonin që ndonjë fuqi civile e huaj të shkelë në tokën e tyre.46 Por disa prej këtyre krerëve u lëkundën pastaj dhe "u betuan", qoftë dhe formalisht.47 Tani edhe Muharremi kish hyrë në traktativa me krerë të Lurës, Reçit e Mirditës e ndonjë krye vendës që, në çastin e shpërthimit të konfliktit me forcat qeveritare, ata të kalonin në anën e tij.48

Pasi qeveria fashiste u sigurua se Cen Elezi nuk do të ndërmerrte veprime të hapta ushtarake kundër forcave bashibozuke dibrane të Halil Alisë që do të hynin në Lumë nga jugu, i drejtoi Muharrem Bajraktarit një letër kërcënuese që të mos sulmonte forcat e operacionit, nëse donte të shmangte një varg përgjegjësish e sanksionesh që mund të ndërmerreshin ndaj tij, si përgjegjësinë e vëllavrasjes, opinionin e keq të shqiptarëve e të familjes së tij, e cila do të internohej në Abisini. Me këtë letër kryeministri e njoftonte Muharremin se fuqia e operacionit që do të dërgohej në Lumë ishte rreth 2000-4000 vetë, me mundësi rritjeje, sipas shkallës së rezistencës, si dhe 100.000-1.000000 fr. ishin lëshuar për kokën e tij.49

Paralajmërimi i qeverisë, së bashku me një letër shoqëruese të zv. prefektit, iu dorëzuan Muharremit me një njeri të besuar, më 17 mars 1942, para se të hynin forcat e operacionit në Lumë. Në letrën shoqëruese të nënshkruar nga T. Kolgjini thohet edhe: "mendimi i jem asht, që mos t'i largohi popullit, i cili mund të bajë kërkim pranë qeverisë me modifikue konditat dhe efektet e jetesës, po qe se dorëzoheni! Ja kam shpjegue edhe qendrës, se, si i lumjan mue më vjen keq me ju luftue, por po sillem kundër jush, që të mundem me lehtësue mjerimin e vendit, në mënyrat që di vetë, nga shkaku se, fundi i fundit, edhe këtij vendi i detyrohemi diçka dhe gjithçka".50

Pasi i lexoi letrat, Bajraktari ia ktheu me përbuzje atij që ia pruri (Abaz Halimi - Lusën).51 Por toni i vendimit të qeverisë, në vend që t'ia dobësonte, ia kërleshi kripën Muharremit, i zgjoi kryelartësinë e malësorit dhe, i zemëruar së tepërmi për atë që ish përgatitur kundër tij, u çoi lajmës krerëve të Ujmishtit, Vilës e Kalisit për t'u tubuar në një kuvend, ku do të shqyrtohej situata e do të përcaktoheshin masat që duheshin marrë për të përballuar operacionin fashist kundër Lumës. Në vendimet që u pranuan në këtë kuvend, u përcaktuan edhe zonat e mbrojtjes dhe njerëzit që do t'i ruanin ato.52

Por, ndërkohë që merreshin këto vendime, bashibozukë nga Dibra, duke iu shmangur njerëzve të Cen Elezit në zonën e Sllovës, pa hasur ndonjë pengesë, kalojnë Veleshicën e dalin në Kala të Dodës. Ky aksion i shpejtë i dibranëve komprometoi rëndë çdo qëndresë serioze të planifikuar, prandaj Muharrem Bajraktari pezulloi planin e përgatitur edhe në sektorë të tjerë, me gjithë kundërshtimin e disa bashkëpunëtorëve të tij (Bajram Bajraktari, Dostan Rexhepi, Zëlfi Maliqi, Osman Haliti.53

Dështimi i kundëroperacionit ndaj forcave bashibozuko-qeveritare - thotë B. Bajraktari - është një njollë e zezë në historinë e krahinës së Lumës, e cila është dalluar në luftërat kundër pushtuesve të huaj, osmanë e sllavë. Shkaqet e këtij dështimi - po sipas B. Bajraktarit - janë rezultat i javashllëkut të M. Bajraktarit dhe i neglizhencës së disa bashkëpunëtorëve të tij, sidomos të atyre nga Kalisi, të cilët u vonuan në përqendrimin e forcave në lumin e Veleshicës.54 Pushka në Veleshicë do të shënonte fillimin e zjarrit në të gjithë kufijtë e Lumës, populli i së cilës, në atë periudhë, kishte një moral të lartë kombëtar dhe një urrejtje të fortë për pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij, megjithëse armiku kish grumbulluar mjaft njerëz për të shuar çdo lëvizje lokale. Për këtë qëndrim gjithsesi të lëkundshëm të Bajraktarit, ka ndikuar parimi i tij i prerë për të shmangur në çdo rast luftën civile.

Forcat ushtarako-bashibozuke që morën pjesë në operacionin kundër Lumës, hynë në këtë krahinë më 23 mars 1942. Këto përbëheshin nga 3000 vetë, shumica nga Dibra, Mirdita, Puka. Katër ditë më vonë, më 27.3.1942, në një telegram të kryeministrit dërguar prefekturave Kukës, Prizren e Peshkopi, thuhet: "Njëfarë Muharrem Bajraktari nga katundi Ujmisht i Lumës... aty kah fundi i shkurtit, e shtyni guximin e vet deri që të dalë e të bredhë lirisht nëpër Lumë e në malet e Dibrës... me qëllim trazirash, prandaj u deshën të merren masa të shpejta dhe energjike kundër tij e për këtë qëllim u dërgue në Lumë një fuqi e mjaftueshme për t'i bamë ballë çdo rase..."55

Sipas orientimit qeveritar, fuqia ushtarake hynte në krahinën "rebele" me këto synime e plane:

a) Objektivi i saj asht Muharrem Bajraktari;

b) Asnjë lumjani nuk do t'i preket gja;

c) Çdo dam që do të bahet pa dashje, do të shpërblehet;

ç) Kush do të ndihmojë fuqinë ushtarake, do të paguhet;

d) Çdo kundërshtim që mund t'u bahet forcave qeveritare, do të mbytet në gjak;

dh) Paria e Lumës do të thirret për t'u sqarue nga senator Marka Gjoni, nji gjenerali e prefektit;

e) Të gjithë veprimet e tjera do të bahen, pasi të likuidohet Bajraktari.56

Për këtë platformë dhe masat që po merreshin kundër Lumës, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi edhe prefekturat e Shkodrës e të Peshkopisë: "Muharrem Bajraktari nuk pranoi "me u dorëzue", prandaj "fuqia ushtarake po i avitet asaj krahine për ndjekjen e tij dhe të atyne që e përkrahin".57

Ndërkaq, qe porositur komandanti i batalionit të milicisë për të arrestuar shumë përkrahës të Muharremit, si Isak Kasemi, Sherif Nuredini, Zenel Osmani, Halil Mehmeti, Qazim Istrefi, Xhelil Hasani, Hadi Shabani, Baftjar Latifi..., sepse me anë të këtyre "ai nuk pushon së bami propagandë antishqiptare..."58 Po ashtu, zbulimi ushtarak italian (SIM), nëpërmjet Anxhelo Antikos, iu vu punës ta bindë Bajraktarin të dorëzohet, po nuk ia arriti qëllimit,59 ashtu siç kish dështuar edhe përpjekja e T. Kolgjinit, i cili e kish "fis nga nana e madhe.60

Forcat bashibozuke që erdhën në Lumë, në mars 1942, komandoheshin nga Gjon Marka Gjoni, Pashuk Biba, Halil Alia e Selim Kaloshi. Këta e ndanë krahinën në tri zona: Tërthorja e Dollovishti (Pashuk Biba), Tejdrinia e Rrafshja (Gjon Marka Gjoni), visi i katër bajraktarëve - Bushtricë, Kalis, Radomirë, Gryka e Çajës (Halil Alia e Selim Kaloshi).61 Në ndihmë të bashibozukëve qenë vënë edhe forca të rregullta të milicisë e të karabinierisë.

Sipas B. Bajraktarit, kreu i operacionit, Markagjoni, deshi të arrijë disa objektiva vetjake kësaj here në Lumë: ta bindë pushtuesin për "besnikëri" ndaj tij; të vejë në pah "vlerat" e veta; të fitonte respektin e lumjanëve si "oxhak i vjetër" në Veri; të afrohej me M. Bajraktarin dhe të siguronte një marrëveshje të mundshme për të ardhmen, ose ta vriste me anë të ndonjë kundërshtari "naiv", ndoshta me anë të Spahieve, të cilët nuk ranë në grackën e pushtuesit.62

Njihet një telegram,63 të cilin zv. prefekti i Kukësit ia dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë për çështjen e marrëdhënieve Spahiaj-M. Bajraktari. Në këtë dokument, pasi shpalohet shkaku i armiqësisë midis këtyre familjeve (kryengritja e 1924-ës), vijohet: "...Në bisedat që pata me Sadik Spahiun, - thotë zv. prefekti - "(ai) nuk e sheh të arsyeshme me konditat malësore që të ndjekë Bajraktarin me fuqi civile qeveritare, por është i mendimit që nipi i tij, nëntoger Tasim Shaban Spahiu, të sillet në karabinierinë e Bicajt... Me sjelljen e Tasim Spahiut në Bicaj, informatorët punojnë ma lirisht, prestigji i Bajraktarit tronditet nga armiqësia që kanë këto dy palë..." - thohet aty.

Por ky "plan djallëzor" do të dështonte, sepse, edhe kur Tasim Spahiu do të vinte nga Vlora në Lumë, ai, në vend që të vriste Muharremin "për gjak", u lidh me të dhe u bë një bashkëpunëtor i tij i ngushtë në luftën kundër pushtuesit e forcave komuniste, një akt ky me vlerë të madhe morale e atdhetare.

Në kushtet e një agresioni anti-Lumë, kreu nacionalist i krahinës u detyrua të largohej përkohësisht nga visi i tij e të strehohej në zonat përreth, përfshirë edhe Kosovën, ku, kësaj here, nuk gjeti kudo një mjedis të ngrohtë. Ishte koha kur populli kosovar po gëzonte "muajin e mjaltit" në mjedisin e ri të bashkimit me Shqipërinë, prandaj çdo fjalë kundër "rendit të ri", që solli atë realitet, binte në vesh të shurdhët. Ndërkaq, Bajraktari akuzohej në ambiente të infektuara, përfshirë dhe agjenturat e huaja, se gjoja kish shkuar në Kosovë për t'u lidhur me nacionalistin serb, armikun e betuar të shqiptarëve, gjeneralin Drazha Mihajloviç. Pëshpëritej atëherë - sipas dëshmisë së Bajram Bajraktarit - se në drejtim të Muharremit Drazhoja kish nisur një letër dhe një teneqe me flori, që i paskërka kapur karabinieria. Ishte ky vetëm një trillim mbresëlënës!64 Po, asgjëmangut, një shkresë e MPM dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave (7.8.1943) pohonte një tentativë të tillë të bërë nga shtabi i Drazhos65, megjithëse një lidhje e tillë nuk u realizua kurrë.

Itinerari i M. Bajraktarit në Kosovë qe: Kabash, Budakovë, Dushanovë, Kapej, Vërmicë.66 Por N. Bilalaj e zgjat këtë udhëtim deri në Gjilan. Gjatë kthimit - thotë ai - grupi i Muharremit, ku bënin pjesë Dostan e Hamza Rexhepi, Zëlfi e Qazim Bajraktari, Bajram Bajraktari, Mehmet Ali Bajraktari, Beq Zeneli e shumë të tjerë kaloi nëpër Ferizaj, Lipjan, Sohodoll, Rahovec, Podrimë, Gjakovë, Pejë, Has. Që prej kësaj kohe, Mehmet Alia dhe Beq Zeneli u ndanë nga Bajraktari, qëndruan në visin e tyre.67

Gjatë qëndrimit në Lumë, për afër katër muaj, forcat bashibozuke dogjën 15 shtëpi të luftëtarëve të rezistencës, midis tyre edhe kullat e M. Bajraktarit dhe të Rexhep Bilalajt, internuan 5-6 familje, ndërsa disa të tjera u larguan nga krahina për t'u shpëtuar përndjekjeve; bënë një çarmatim të sipërfaqshëm, shpesh me dhunë, pushkatuan një katundar në Belaj e plagosën Cen Sedën në Bardhoc, dëmtuan, vodhën e grabitën kafshë e bagëti të lumjanëve,68 por, mbi të gjitha, poshtëruan moralisht shumë banorë të pafajshëm, të cilët, po të organizoheshin, nuk e kishin për gjë të derdhnin "një lugë gjak". Në mjaft raste, fshatarët e dhunuar iu drejtuan qeverisë me protesta për çka bëhej mbi ta. Në njërën prej tyre shkruhej: "Fuqia civile ndodhet në katundet Ramhas, Gostil, Shtiqen, Përbreg... Këto katunde nuk janë të implikuem me Bajraktarin e, në vend që të shpërblehen, po vuejnë".69

Gjatë verës e vjeshtës së vitit 1942, çeta e Muharrem Bajraktarit, prej më shumë se 30 vetësh, ndër ta edhe Bajrami, i vëllai i Muharremit, Zenel Lita (Kalis), Myftar Ahmeti, Sef Xheladini, Murat Hani, Zëlfi Maliqi, Dostan Rexhepi (Bicaj) etj., etj.,70 gjurmohej këmba-këmbës nga milicia fashiste dhe agjentë të shërbimit të fshehtë italian. Për kapjen ose asgjësimin e tyre - thohet në një dokument të kohës - "iu dha urdhër gjeneralit Volante me formue nji detashment të posaçëm për ndjekjen e Muharrem Bajraktarit në mënyrë sistematike. Milicët e veshun që janë me batalionet e mirditasve e të pukasve janë ngarkue përsa sipër. Atyne do t'u shtohet nji kompani me 150 veta të zgjedhun... kjo kompani ka të drejtën me e kërkue kudo e kurdo Bajraktarin e me e rrethue".71

Po ashtu - siç shënuam më sipër - qeveria u përpoq ta likuidonte Bajraktarin edhe duke ngacmuar hasmëritë e vjetra.72

Që në vjeshtë të vitit 1941, forcat e karabinierisë kishin vrarë Shaban Bajraktarin, një të afërt të Muharrem Bajraktarit.73 Ky qe dëshmori i parë i çetës.

Në fund të muajit gusht 1942, forcat e milicisë (të kompanisë së ndjekjes) u ndeshën me një pjesë të çetës së Muharrem Bajraktarit në Lak të Erës (Vilë) dhe, në luftime u plagosën Hazir Maliq Bajraktari (Ujmisht) e Qazim Dalipi (Vilë). Hazir Bajraktari, me plagë në trup, kapet i gjallë, dërgohet në Kala të Dodës e, më pas, në spitalin e Prizrenit, ku i presin njërën këmbë.74

Më 23.9.1942, një kompani e milicisë fashiste u ndesh në Ujmisht me pjesëtarë të çetës së M. Bajraktarit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit midis tyre, u plagosën Bajram Bajraktari, Rexhep Tusha e Nezir Osmani, i cili u transportua në spitalin e Prizrenit, ku edhe vdiq. Nga ana e armikut mbetën të plagosur disa milicë, dy prej të cilëve vdiqën nga plagët e marra.75

Për arsye të lidhjeve miqësore me Bajraktarin, arrestohet nga forcat e milicisë, Qerim Prendi, i cili u ekzekutua pa gjyq në Kukës.76

Dokumentacioni i kohës është i mbushur me të dhëna, që dëshmojnë se çeta e M. Bajraktarit ishte bërë halë në sy për okupatorin, ajo gjurmohej në lëvizjet që bënte, kryesisht në visin e Tejdrines (Arrën, Surroj) dhe në Reç e Dardhë, Lurë e Selitë dhe jo pak herë kish rënë në përpjekje me milicët e njësiteve shëtitëse të armikut, që gërhitnin duke e ndjekur.77 Kështu, më 30 nëntor, MPM njoftonte prefekturën Kukës se M. Bajraktari ndodhej në Ujmisht ose Surroj, prandaj të ndiqej në atë zonë. Më 8 dhjetor zv. ministri i Punëve të Brendshme urdhëron prefekturën e Peshkopisë që forcat e atjeshme të bashkëvepronin me milicët e Kukësit. Në ato ditë, po ai titullar, informon n/prefekturën e Matit se kreu nacionalist i Lumës ndodhej në Lurë, ndërsa vëllai i tij, Bajrami, rrekej të takohej me Abaz Kupin në Gurrë të Madhe. Më 2 dhjetor, M. Bajraktari besohet të jetë takuar me Cen Elezin në shtëpinë e Sali Dodës në Reç, në një kohë kur disa forca të milicisë kishin rënë në përpjekje me njerëzit e Bajraktarit në Qafë të Benës. Katër ditë më vonë (6 dhjetor), një kompani milicësh e ndjek Muharremin në Ujmisht, Arrën e Surroj, po ai ish larguar në Reç dhe, kur armiku e kërkon në Reç, ai ish kthyer në Ujmisht. Sipas një telegrami të prefekturës së Kukësit dërguar MPM, M. Bajraktari, më 15 dhjetor, me 20 vetë, kish shkuar në Luf të Selitës për t'u takuar me Bazin e Canës.

Dhe korrespondenca e shënuar "urgjente" vazhdon midis Ministrisë së Punëve të Brendshme e prefekturave, ndërsa Muharrem Bajraktari gjallë se gjallë.

Qëndrimi antiokupacion, operacioni fashist në krahinën e Lumës, ndeshjet luftarake të çetës së Bajraktarit me forcat e ndjekjes të milicisë fashiste e të karabinierisë italiane, ia rritën emrin nacionalistit lumjan, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Çeta nacionaliste e tij është ndër njësitet e hershme të krijuara në Shqipëri. Në Konferencën e Pezës (16 shtator 1942), Muharremi qe thirrur, por nuk mori pjesë, pse ftesa i arriti vonë.78 Megjithatë, aktiviteti i tij antifashist dhe i tërë krahinës së Lumës u njoh dhe u vlerësua në atë tubim të rëndësishëm: "Në Lumë çeta trime e Muharrem Bajraktarit me popullin bujar e luftëtar të Lumës, i dha grushte të forta milicisë..." - thuhet në rezolucionin e konferencës.79 Për aktivitetin e tij flitet edhe në një letër të Koço Tashkos drejtuar Kominternit (vjeshtë 1942). Në të autori denoncon qëndrimin e KQ të Partisë Komuniste Shqiptare, sidomos atë ndaj Bazit të Canes e Muharrem Bajraktarit, të cilët, madje, përfaqësuesi i Kominternit i bashkon në një grup me Myslim Pezën e Myftar Kaloshin, të quajtur prej tij "grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit.80

Në atë kohë, aktiviteti antifashist i Muharrem Bajraktarit është njohur edhe në qarqet politike të Londrës. Atje thuhej se "veprimtaria kryesore antifashiste në Shqipëri udhëhiqej nga Muharrem Bajraktari".81

Tiranë, gusht 2014

1) B. Bajraktari. Promemorie. Vija politike e Muharrem Bajraktarit, 1948, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, F. DPB Kukës/sigurimi, viti 1947, d. 7, fleta 51-144 (drshkr.).

2) AQSh, fq. 251, viti 1939, d. 17, fq. 34.

3. Xh. Emeri, Sons of the Eagle; R. Hibbert, fitorja e hidhur, Tiranë, 1993, fq. 78.

4. R. Hibbert, po aty, fq. 78.

5. AQSH, F. MPB, viti 1941, d. 172. Njoftim nr. 34/9, datë 11.3.1941.

6. SOE, paraardhëse e Seksionit D (qendër e zbulimit anglez në Beograd).

7. E. Barker, British Policy in South - East Europe in the Secound World War, Bristol, p. 47.

8. B. Bajraktari, po aty, fq. 4.

9. T. Kolgjini. Përse nuk kam qenë i mendimit për një kryengritje kundër italianëve, në "Koha e jonë", Paris, gusht 1985, fq. 29.

10. po aty, fq. 29.

11) AQSH, F. MPB, viti 1941, d. 108. Shkresa nr. prot. 364/50 Kukës, 17.7.1941 e zv. prefektit R. Troqe dërguar MPB.

12) po aty.

13) T. Kolgjini, po aty.

14) B. Bajraktari, po aty, fq. 4.

15) po aty.

16) po aty.

17) Xh. Emeri, po aty.

18) B. Bajraktari, po aty.

19) po aty.

20) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 108. Shkresë e pref. së Kukësit, nr. prot. 364/46.

21) Sulmi gjerman mbi Beogradin filloi me 4 prill dhe me 9 prill 1941 motoçiklistë gjermanë hynë në Kukës.

22) Pushtimi i Mbretërisë Jugosllave nga forcat gjermane përfundoi me 17 prill 1941.

23) B. Bajraktari, po aty.

24) po aty.

25. AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 108. Shkresa nr. prot. 364/46, datë 26.4.1941. Informacion i prof. së Kukësit dërguar MPB - Tiranë.

26) B. Bajraktari, po aty, fq. 4.

27) B. Bajraktari, po aty, fq. 5.

28) R. Hibbert, po aty, fq. 380.

29) R. Hibbert, po aty, fq. 382.

30) Gjatë qëndrimit në arrati (14 prill 1941 - 26 gusht 1946) shëtitën mbarë Lumën e më gjerë, pse e njihnin mirë vendin, sidomos M. Bajraktari, B. Bajraktari, D. Rexhepi, H. Rexhepi.

31) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 535, fq. 161, Promemorie e Luogotenencës së përgjithshme për Kom. Meloni, 14.8.1941.

32) po aty

33) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 171. Telegram-shifër nr. 38/7 res, 19.7.1941.

34) T. Kolgjini, po aty, fq. 28.

35) Në Ballsh u dërguan e shoqja, Nazifja, të bijtë: Hamdiu, Esati e Genci, e bija, Liria; e kunata, Huma, me të birin Klitin shtatë muajsh (AQSh, F. 253, viti 1941, d. 87, fq. 78).

36) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 130.

37) AQSh, F. MPB, viti 1941. Tel-shifër i MPB për pref. Kukës, nr. 1912/5, rezervat, 11.XI.1941.

38) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 104. Shkresa nr. prot. 126/122, 12.3.1942.

39) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 292/1, dok. 24/31.

40) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 180. Kërkesë e zv. pref. të Kukësit, N. Lafe, dërguar MPB, nr. 125/13 res., Kukës 12.1.1942; po aty, shkresa nr. 1912/6, ex. 41, rezervat, datë 21.1.1942 e MPB dërguar PFSH; po aty, shkresë e MPB, nr. 1912/7, ex. 41, rezervat, datë 16.2.1942 dërguar pref. Kukës.

41) AQSh, F. MPB, viti 1941, d. 122.

42) Promemorie e M. Bajraktarit dërguar komisionit të Ankesës së Këshillit të Sigurimit, 10 mars 1947.

43) AQSh, F. 253, viti 1942, d. 406. Regjenti i kuesturës së Dibrës, M. Murati, njofton pref. e Dibrës dhe Drejtorinë e Përgj. të Policisë, Tiranë, 30.9.1942.

44) Duhet shënuar puna e lëvdueshme që bëri Qeveria e Tiranës në Kosovë e në viset e tjera të liruara, si hapje shkollash, botime organesh shtypi etj.

45) B. Bajraktari, po aty.

46) po aty.

47) AQSH, F. MPB, viti 1942, d. 292/1.

48) B. Bajraktari, po aty, fq. 8.

49) po aty, fq. 8.

50) AQSh, F. 642, viti 1942, d. 247, fq. 1.

51) B. Bajraktari, po aty, fq. 8.

52) po aty, fq. 8-9.

53) B. Bajraktari, po aty, fq. 8-9.

54) Po aty, fq. 8-9.

55) AQSh, F. MPB, 152/2, viti 1942, d. 169, 27.3.1942.

56) po aty.

57) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 292/1, viti 1942, dok. 7/23, 23.3.1942.

58) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 192/2. Shkresa nr. 7/35, 23.3.1942.

59) AQSh, F. MPB, viti 1942, dosja 292/1. Telegr. i zv. pref. të Kukësit nr. 24/39, datë 24.3.1942 dërguar MPB (Zyrës Politike) - Tiranë.

60) T. Kolgjini, po aty, fq. 28.

61) N. Bilali, Kujtime (drshkr.), fq. 31.

62) B. Bajraktari, po aty, fq. 9-10.

63) AQSh, F. MPB, d. 292/1, viti 1942. Telegram nr. 24/199, datë 10.5.1942.

64) B. Bajraktari, po aty; RD, 27 shtator 1998.

65) AQSh, F. MPB, viti 1943, d. 6. Shkresa nr. 481/53, datë 7.8.1943

66) B. Bajraktari, po aty, fq. 10.

67) N. Bilalaj, Kujtime (drshkr.), fq. 13.

68) Bashibozukët kishin grabitur në shtëpinë e D. Rexhepit "një penë qe, tri lopë, ndër to edhe larën e bukur".

69) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 292/1, dok. 24/160, datë 1.5.1942.

70) AQSh, F. 342, d. 295 (sipas U. Butka, "Ringjallja", fq. 268).

71) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 292/1, dok. 7/135 res.

72) B. Bajraktari, po aty, fq. 11.

73) B. Bajraktari, po aty, fq. 11; N. Bilali, po aty, fq. 6.

74) AQSh, F. MPB, viti 1942, d. 292/1, dok. 1228, datë 25.9.1942; B. Bajraktari, po aty.

75) B. Bajraktari, po aty, fq. 11.

76) AQSh, F. MPB, d. 291/1. Tel. nr. 438/151, datë 30.11.1942 etj.

77) B. Bajraktari, po aty.

78) po aty.

79) Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, Tiranë, 1994, fq. 195.

80) Politikë antikombëtare e E. Hoxhës, Tiranë, 1996, fq. 192-193.

81) FO 311/33110, R 4990/876/90, 27 korrik 1992 (sipas B.J. Fisher) mbreti Zog...