Ish- deputeti i LSI-së Përparim Spahiu ka bërë një analizë të largimit të të rinjve nga Shqipëria. Sipas tij, janë disa arsye që po i detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin dhe fajtore për këtë është qeveria. Kjo e fundit, nuk e ka fokusin tek të rinjtë dhe nuk iu jep asnjë alternativë që të frenojë largimin. Për më tepër lexoni analizën e Spahiut.


Analiza


Përgjatë viteve 2015-2018, Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, shumica janë të rinj azilkërkues ekonomik. Ka dy arsye që të largohesh nga një vend: E para nëse je përfshirë në një luftë të brendshme civile dhe e dyta nëse qeveria ka krijuar një sistem klientelist, ku përfitojnë vetëm 5 % e popullësisë.


Shqipëria hyn në kategorinë e dytë.


Sot, nëse një i ri del nga bankat e Universitetit, nuk ka asnjë mundësi punësimi. Zyrat e punës në shumicën e rasteve nuk janë funksionale, ose të gjejnë punë me paga qesharake. Ne jemi i vetmi shtet në Europë që nuk kemi Start-up për të rinjtë, për ti mbështetur ata në nisma inovatore. Dikur u premtua se do të financonin me kredi pa interes të rinjtë që hapnin biznese, por edhe kjo dështoi. Ne dërgojmë fëmijët tanë në Universitete, por asnjëherë nuk kemi statistika se për çfarë ka nevojë ky vend, për të rinj juristë, ekonomistë, dentist, mjekë, inxhinierë, arkitektë etj.


Të gjitha pasojat që po vuajnë sot të rinjtë e pashpresë, vijnë nga mungesa e një vizioni qeverisës, mungesa e incentivave për bizneset e reja, uljes së taksave, mungesa e konkurrushmërisë, çmimi i lartë i energjisë (elektrike dhe naftës). Por largimi i të rinjëve nga Shqipëria vjen edhe për shkak të rritjes së korrupsionit dhe krijimit të një administrate të paaftë. Pasojat kanë sjellë efekte negative në skemën e pensioneve dhe rënien e konsumit.


Aktualisht është prishur raporti i kontribuesve duke vështirësuar statusin social-ekonomik në kushtet e pensionit por dhe atyre që marin ndihmë ekonomike (kujtojmë që qeveria gjeti zgjidhje me largimin nga skema të gjysmës së personave në nevojë). Rënia e të ardhurave nga TVSH fakton rënien e konsumit. Kjo rënie ndikon dhe në premisat negative që krijonhen për ardhjen e investitorëve të rinj në Shqipëri.


Mos flasim pastaj për efektin e rëndë social që krijon largimi i të rinjve në ndryshimin strukturor të familjes. Po vuajmë lindshmërinë e ulët. Të rinjtë janë në gatishmërinë për të ikur dhe nuk kane rehatinë për ta ndërtuar familjen këtu. Koha nuk pret, sa më shpejt të largojmë PSIKOPATINË nga qeverisja aq më të vogla do të jenë dëmet por dhe më shpejt kthimi në binarë normaliteti i vendit!