Nga Moral Pozhegu [email protected] më 25 mars 2011 në ora 11:04
Pas shumë e shumë përpjekjesh, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka arritur tia sigurojë përfaqësueses së Kosovës një ndeshje miqësore. Shtëpia e futbollit kosovar e ka përdorur Planin B. Pra, do të jetë kampioni i Maqedonisë, Renova, ekipi i cili do ta vizitojë Kosovën të dielën për ta zhvilluar një ndeshje miqësore në datën që është caktuar e lirë nga FIFA.
Në fakt, udhëheqësit e futbollit kosovar arritën marrëveshje me drejtuesit e Renovës në momentet e fundit, pasi dështoi miqësorja me Bursasporin, të cilin nuk e lejoi të vinte në Kosovë Federata e Futbollit e Turqisë.
Natyrisht, anulimi i ndeshjes me kampionin turk ka qenë zhgënjyes për udhëheqësit e futbollit kosovar, por edhe për selektorin Albert Bunjaki, i cili i kishte bërë të gjitha përgatitjet për këtë sfidë.
I kam përcjellë tri ndeshje të Bursasporit, e kam studiuar dhe jam njoftuar me cilësitë e këtij ekipi, tha në një konferencë për shtyp Bunjaki, i cili e kishte bërë gati edhe listën e përfaqësueses për ndeshje me ekipin turk.
Sidoqoftë, ai është pajtuar me realitetin dhe tash po mendon për sfidën që e pret ekipin e tij. Renovën nuk e njoh mirë, por është kampion i Maqedonisë dhe pjesëmarrës në garat evropiane. Gjithashtu ka edhe lojtarë përfaqësues, vijoi ai.
Për Bunjakin, grumbullimi i përfaqësueses është më i rëndësishëm sesa ndeshja me Renovën, e cila është pjesë e këtij procesi. Ai shpreson që ekipet ta shfaqin një lojë të pëlqyeshme, për ti kënaqur shikuesit që e vizitojnë të dielën stadiumin e Prishtinës.
Edhe pse spekulohej se selektori i ka anashkaluar lojtarët që luajnë në Superligë, kjo nuk ka ndodhur. Ngase në listën prej 20 futbollistësh janë përfshirë edhe 4 futbollistë nga kampionati kosovar, plus 6 talentë deri 18 vjeç, të cilët do të jenë vetëm pjesë e grumbullimit.
Bunjaki ka zbuluar edhe vështirësitë me të cilat është përballur gjatë grumbullimit të futbollistëve. Ai arriti me sukses ti sjellë në Prishtinë lojtarët nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Zvicra e Shqipëria, por i kanë mbetur merak edhe disa të tjerë, të cilët nuk do ti ketë në dispozicion.
I kam ftuar Astrit Ajdareviçin dhe Shpëtim Hasanin, por ata nuk i lëshoi klubi i tyre. Pastaj që një kohë të gjatë po përpiqem ta ftoj edhe Mërgim Mavrajn, por edhe në rastin e tij po kemi problem me udhëheqësit e klubit, vazhdoi Bunjaki i cili ka ftuar për herë të parë në përfaqësuese Faton Toskin, Ardian Gashin e Ilir Nallbanin.
Ai e la mundësinë e hapur që në të ardhmen, kur të jenë ndeshjet më të rëndësishme, në përfaqësuese ti ftojë edhe veteranët e futbollit kosovar, Shefki Kuqi e Milaim Rama.
Futbollistët e ftuar kanë zbarkuar të enjten në Prishtinë, ndërsa ushtrimet e para do ti zhvillojnë në stadiumin e KEK-ut. Ata do të stërvitin edhe të shtunën, kurse të dielën paradite do ta kenë stërvitjen e fundit, të lehtë, para ndeshjes që do ta zhvillojnë pas disa orësh, më saktësisht duke filluar nga ora 15 00.
Sokoli: Jemi në shërbim të përfaqësueses
Pasi u kontaktuan nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), udhëheqësit e Renovës, më saktësisht vëllezërit shqiptarë Idrizi, e pranuan me sukses këtë ftesë. Ata morën leje nga Federata e Futbollit e Maqedonisë për ta nderuar përfaqësuesen e Kosovës.
Për këtë, trajneri i Renovës, Bylbyl Sokoli, është mirënjohës ndaj pronarëve të Renovës.
Trajneri kosovar ndihet mirë që ekipi i tij do të jetë në shërbim të përfaqësueses së Kosovës, pasi kjo e fundit dështoi të luante me Bursasporin.
I falënderoj ata që e mundësuan zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Ne vijmë të prezantohemi si kampion i Maqedonisë. Në ekip kemi pesë futbollistë nga Kosova: Kushtrim Mushicën, Faruk Statovcin, Genc Hysenin, Fisnik Gashin dhe Ymer Xhaferin. Do të jemi në shërbim të Kosovës, theksoi Sokoli.
- Kam njohuri për ekipin e Kosovës, i cili është për çdo respekt. Ne do të mundohemi të prezantohemi denjësisht, të shfaqim një lojë të kënaqshme, rezultati është në plan të dytë, vazhdoi ai.
Lista e përfaqësueses:
1. Etrit Berisha (Kalmar)
2. Anel Raskaj (Halmstad)
3. Arsian Gashi (Helsingborg)
4. Valdet Rama (Orebro)
5. Kushtrim Lushtaku (Orebro)
6. Kujtim Balaj (Halmstad)
7. Avni Pepe (Start IK)
8. Enis Alushi (Paderborn)
9. Shqipron Skeraj (pa klub)
10. Faton Toski (Bochum)
11. Shqipon Bektashi (Freiburg)
12. Alban Rama (Aue)
13. Kristian Nushi (St Gallen)
14. Dardan Rexhepi (Akademia e Juventusit)
15. Ilir Nallbani (Vllaznia)
16. Liridon Kukaj (Vllaznia)
17. Fisnik Papuçi (Hysi)
18. Ilir Berisha (Prishtina)
19. Mentor Zhdrella (Hysi)
20. Valmir Bytyqi (Besa)
6 lojtarë të rinj (16-18 vjeç)
21. Berat Ahmeti (Prishtina)
22. Enis Gavazaj (Liria)
23. Leart Emini (Trepça)
24. Argjend Mustafa (Prishtina)
25. Gentrit Begolli (Prishtina)
26 Veton Shabani (Trepça)