Ridvan dibraDrama bashkëkohore "Na, të birtë e shekullit të ri" e autorit Ridvan Dibra, vihet për herë të parë, nga një trupë nga Shqipëria, pas vënies në skenë nga trupa e teatrit të Mitrovicës në vitin 2011. Fituese e çmimit të tretë në konkursin kombëtar " Katerina Josipi " Prishtinë 2011, fituese e çmimit të dytë në një konkurs të dramës shqipe ne Paris, EURODRAM , përkthyer në frëngjisht dhe shfaqur në "Teatre de lecture" në Paris, dhjetor 2011, drama do të realizohet sipas vizionit të regjisores Alma Hoti, interpretuar nga Ligoraq Riza, Cubi Metka, Gentjan Zenelaj.

Kjo pjesë trajton mirëfilli problemet e jetës sonë të përditshme dhe sëmundjet sociale të shoqërisë sonë, në këtë periudhë të gjatë tranzicioni, si ambicia e theksuar për karrierë, egoizmi vetjak deri në dëlir, hipokrizia, tendenca e tjetërsimit të personalitetit, mungesa e identitetit, humbja e parimeve dhe vlerave bazë të familjes së shëndoshë. Flet dhe për një nga plagët më të dhimbshme te shoqërisë sonë, atë të moskrijimit të familjes, mungesës së kohës, pamundësisë së përkushtimit dhe kujdesit ndaj njerëzve më të dashur, duke vënë në plan të parë realizimet individuale dhe të mirat materiale.

Në dramë, kemi tri personazhe, një çift, burrë dhe grua dhe babanë e burrit . Babai, një veteran lufte, dikur njeri i vlerësuar, intelektual, tashmë në pension ka një sëmundje mjaft të rrallë, që i referohet një gjendje të fjetur, apatie totale të trurit, duke e bërë të pandërgjegjshëm dhe të pamundur për t'u kujdesur për veten. Kjo sëmundje e tij kthehet në ankthin dhe dramën e çiftit, pasi që të dy janë detyruar të izolohen nga jeta e tyre profesionale dhe private për t'iu përkushtuar të moshuarit. Burri është regjisor teatri, që aspiron të ketë një karrierë të ndritur dhe të kalojë kufijtë e skenave shqiptare, gruaja është lektore universiteti, studiuese e Migjenit, në përgatitje për doktoraturë, gjithashtu shumë ambicioze dhe në kërkim të një karriere të suksesshme me çdo kusht. Sëmundja e babait demaskon deri në pikat më kritike të dy personazhet, duke vënë në skaner personalitetet e tyre, hipokrizinë, marrëdhënien e krisur në çift dhe mungesën e një dashurie të pastër dhe të sinqertë. Të dy vihen në një udhëkryq zgjedhjeje mes karrierës, kujdesit ndaj babait dhe të ardhmes së familjes së tyre.