Tiranë - Në Ditën kombëtare të Drejtësisë, ministri Nasip Naço bëri përgjegjës Presidentin e Republikës për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe KLD-së, që sipas tij ka penguar kryerjen e reformave dhe ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar.

Në një takim me gazetarët, ministri i Drejtësisë tha se reformat po pengohen me qëllim që sistemi të mbahet në gjendjen që është.

Sipas tij, dy janë përgjegjësit për këtë situatë të krijuar në sistemin e Drejtësisë: Presidenti i Republikës si kreu i KLD-së dhe vetë Këshilli, i cili sipas ministrit, nuk ka marrë vendimet e duhura për një sërë çështjesh të rëndësishme.
"Presidenti ka manifestuar garanci në qëndrimin e institucionit, por, për mendimin tim, në rastin e propozimeve për ndryshime nga mazhoranca, nuk ka qenë edhe aq pozitiv", tha Naço duke iu referuar propozimeve të bëra në kuadër të reformimit të sistemit. Ministri Naço tha se Presidenti nuk ka patur vullnetin as të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

"Ka gjithmonë ankimime për të qëndruar në këtë gjendje reformat në sistemin e drejtësisë", tha numri një i Drejtësisë.
Një tjetër çështje për të cilën ministri bën përgjegjës Presidentin dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë lidhet me pasuritë e pajustifikuara të gjyqtarëve. Sipas tij, ndaj këtyre gjyqtarëve po tregohet neglizhencë, duke bërë që askush prej tyre të mos ndëshkohet. "Ne do të ushtrojmë kontrolle, edhe pse do të na akuzojnë se po ushtrojmë presione politike. Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kontrollet e veta i bën periferike dhe për ata me pasuri miliona euro nuk ka marrë asnjë masë. Sigurisht, do të ushtroj të gjitha kompetencat që më jep ligji dhe Kushtetuta", - tha Naço duke paralajmëruar kontrolle për të gjithë gjyqtarët e akuzuar për korrupsion.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ministri Naço tha se Presidenti i Republikës po pengon emërimin e nënkryetarit të KLD-së, ndonëse ka detyrimin ligjor për të emëruar një nga kandidaturat e propozuara nga Kuvendi. Në reformën në drejtësi, Naço përmendi si pjesë të rëndësishme ndryshimin e sistemit të emërimit të anëtarëve të KLD-së. Zgjedhja e tyre sipas tij bëhej duke lobuar, në mënyrë jotransparente gjyqtarët përpara se të zhvillohej procesi i zgjedhjes.

Naço akuzoi KLD-në se nuk ka pranuar në shumë raste edhe transferimin e gjyqtarëve pjesëtarë të së njëjtës familje. Po ashtu, Naço tha se KLD-ja për një kohë të gjatë ka mbajtur peng emërimin e 21 kryetarëve të gjykatave në të gjithë vendin. Duke i mbajtur ata të komanduar ose deleguar, duke i përdorur ata për problemet personale të anëtarëve të KLD-së. Nga ana tjetër, sipas tij, KLD-ja ka mbajtur peng emërimin e magjistratëve në gjykata.

Sa u përket ndëshkimeve dhe hetimeve të gjyqtarëve, Naço përmendi si fatkeqësi faktin se janë proceduar penalisht vetëm dy gjyqtarë. Sipas tij, gjatë kësaj kohe Ministria e Drejtësisë kishte dërguar 27 procedime disiplinore në KLD për gjyqtarë të ndryshëm. I pyetur nëse në një shekull ekzistencë të Ministrisë së Drejtësisë, në çfarë kohe do të donte ta drejtonte këtë ministri, Naço tha se është në vitin e duhur: "Jemi në kohën e duhur për ta reformuar të gjithë sistemin, sepse jemi në kohën që do të bëhemi anëtarë të BE-së.

Këtë kohë nuk do doja ta ndërroja me asnjë kohë tjetër". Naço theksoi se ai bashkë me stafin që e mbështet, do të mbaheshin mend për kalimin në Parlament dhe rishikimin e një sërë ligjesh dhe kodesh, të cilat ishin të domosdoshme dhe gjetën miratim me propozimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë aktuale.

I pyetur nga mediat se si do të zgjidhet ngërçi me KLD-në për emërimin e zv/kryetarit të këtij institucioni, ministri Naço tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe se propozimi i tij duhet të shqyrtohet nga kreu i KLD-së, i cili ende nuk e ka miratuar. "Ata që bëhen pengesë për reformat në drejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë në kohë qeverisjen e tyre. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në denoncimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar, siç kemi bërë së fundmi, por ka ende raste të tjera dhe ky është vetëm fillimi", theksoi z. Naço. /Mapo/