Shpeshherë nëpër seancat parlamentare, mënyra se si zhvillohet situata apo se si shkon debati, më bën të shkruaj edhe poezi”. Kështu shprehet deputeti-dramaturg Namik Dokle në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ndërsa ironizon politikën tonë. Gjatë rrëfimit për librin e tij më të fundit “Shën Maria e Beratit”, botuar nga “Toena”, kur vjen puna tek politika dhe teatri që ajo luan para nesh, ai thotë se zgjedhja e presidentit duket si një lloj teatri, sepse politika është teatër. “Problemi është se çfarë kërkon për këtë teatrin tonë politik, aktorë të fuqishëm, të talentuar, të mençur, të cilët do të mbajnë mbi supet e tyre të gjithë zhvillimin e dramës? Në shumë raste nuk kërkon aktorë të fuqishëm për teatrin politik, por krakerë-duartrokitësit e paguar të një teatri” , - deklaron deputeti i Partisë Socialiste. Në këtë këndvështrim Dokle e sheh të pamundur të frymëzohet nga ky proces për të shkruar ndonjë vepër. Duket se nënkupton mungesë serioziteti në këtë proces kur shprehet se nuk është i prirur për të shkruar komedi. Rinia, politika, ironizmi i saj, teatri që shfaqet para nesh përmblidhen në intervistën ku Dokle rrëfen mbi letrarin dhe politikanin që gjenden brenda tij.
Riktheheni para publikut me një botim prej katër dramash. Janë shkruar në kohë të ndryshme e për kohë të ndryshme. Çfarë synoni përmes tyre? Dëshira ime ka qenë që pavarësisht se subjektet janë marrë nga kohë të ndryshme, dhe janë shkruar në kohë të ndryshme, të kenë vulën e kohës në të cilën janë botuar. Dy prej dramave i kam shkruar vitet e fundit, 2009-2010, por që kanë marrë formën që kanë aktualisht gjatë vitit 2011, sepse i kam redaktuar, rishikuar. Nga ana tjetër jam marrë edhe me “Vitin e qenit” dhe “Shën Maria e Beratit”, ndërsa kam përfshirë edhe një monodramë që ka qenë përfshirë edhe në vëllimin e parë, por është vënë edhe në skenë, ka marrë pjesë në festivale të ndryshme si në Pejë dhe në Maqedoni. Suksesin më të madh e ka pasur në Maqedoni, ku nga 12 teatro të Europës, ajo dramë u vlerësua me çmim të parë, dhe Orgocka që luante rolin e saj mori titullin “Aktor i Europës”.
Pjesa e fundit e librit, “Tullumbacja fryn vetveten” është shkruar në vitin 1972, por deri më sot ka mbetur dorëshkrim... Pse?
As e dërgova për botim, as nuk ia dhashë ndonjë regjisori për ta vënë në skenë. Duke e lexuar tani mendova se dyzet vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në themel, por aspak zakoni i vjetër i zyrtarëve... fjalë, fjalë, fjalë...zvarritje, zvarritje... Një njeri që merret me letrat rrëmon gjithmonë në letrat e tij dhe kështu e botova. Duke e lexuar pas 40 vitesh kuptova se shqetësimi që kam pasur mbi llafazanërinë e politikës, llafazanërinë e organizimit të shoqërisë është njësoj. S’kemi pësuar ndonjë ndryshim të madh, ka fjalë e zvarritje. Ka një subjekt të thjeshtë, por tregon se si këto të thjeshtat zvarriten me ditë, javë e muaj, diskutojmë parime, përvoja, kur zgjidhja është shumë praktike. Ne jemi një popull shumë praktik dhe gjen gjithnjë zgjidhjet e duhura për gjërat e nevojshme. Ndërkohë, burokracitë shtetërore e politike i shtyjnë këto zgjidhje.
Duket tejet aktuale kjo që thoni ju, nëse kemi parasysh se muajt e fundit e sidomos ditët e fundit, politika shqiptare ia ka kushtuar krejt vëmendjen zgjedhjes së Presidentit, kur mbase edhe në këtë rast zgjidhja mund të ishte më e thjeshtë, apo jo?
Merre me mend se aq diskutime po bëhen sa i është lënë hapësirë edhe emisionit të Çanit. Pjesa më serioze e librit janë “Shën Maria e Beratit” dhe “Viti i qenit”. Kjo e fundit është një përcjellje e përjetimit të kohës kur isha student. Me ato pak mundësi që kishim ndiqnim zhvillimet politike rreth nesh dhe na kanë pas bërë përshtypje demonstratat e studentëve në perëndim e sidomos në Francë. Ne për kushtet në të cilat jetonim nuk mund të bënim ndonjë gjë të madhe, por s’mund të qëndronim indiferentë. Që atëherë mbaj mend atë që një nga personazhet e thotë në dramë se fundi i një regjimi fillon atëherë kur fillojnë të qarkullojnë për të barcaleta. Fillon me talljet e studentëve, që edhe pse shaka përfundojnë me tragjedi. Drama fillon si një farsë dhe përfundon në tragjedi për ata që tallen. Ndërkohë që regjimi hoqi nga gjykata të drejtën e pasjes së një avokati, studentët e juridikut organizojnë gjyqin e një qeni me avokat.
Ju përmendët edhe emisionin e Çanit, aty jeni edhe ju kandidat për President?
Emisioni i Çanit është “Zonë e lirë” dhe ka gjithë të drejtën për të bërë atë që bën, por jo të gjithë duhet ta marrin seriozisht atë që Çani bën me shaka.
Cilën prej dramave keni shkruar me më shumë pasion?
“Shën Maria e Beratit” sepse çdo gjë e mirë e këtij populli ka ardhur me sakrifica të mëdha, madje edhe me drama të përgjakshme. Falë njerëzve të shquar e bijve të këtij populli kemi mundur të ruajmë identitetin tonë, tiparet e njerëzve që e duan vendin, historinë e traditat e tij.
A ka më sot bij të tillë kombi?
Patjetër! Një komb si i yni kurrë nuk ka mbetur as nuk mund të mbetet pa bijë të tillë, pavarësisht se në kohë të ndryshme edhe mund të mbeten në hije, por jo për fajin e tyre.
Dy prej dramave i keni shkruar së fundmi, ndërsa dy të tjerat i keni ripunuar së fundmi. Kush e sundon tjetrin, letrari politikanin apo e kundërta?
Nuk mund të bëj një dallim, por një shkrimtar i mirë ashtu si edhe një politikan i mirë, është kur priret drejt së mirës. Përgjithësisht shkrimtarët janë të prirur, gjë që nuk ndodh me politikanin. Ai që është në mes të të dyjave, dëmtohet në letërsi, sepse letërsia është xheloze dhe do përkushtim total, sepse nuk i thua dot gjërat siç i mendon dhe siç duhen thënë.
Diku-diku ironizoni edhe politikën. Si e keni ndarë kohën mes letrarit dhe politikanit?
Politikani ironizohet në shumë raste në atë libër, madje-madje politika zyrtare ironizohet në të katra, qoftë edhe “Shën Maria e Beratit” që zë fill në të thyer të Mesjetës. Unë jo vetëm në Parlament, diçka e brendshme më shtyn që jo vetëm të jem kritik, por dhe ironik ndaj politikës.
E ironizoni në Parlament, në drama, apo ka edhe ndonjë zhanër tjetër ku e shprehni këtë?
Po ju them një sekret. Shpeshherë nëpër seancat parlamentare, për mënyrën se si zhvillohet situata apo se si shkon debati, shkruaj edhe poezi.
Janë poezi apo bejte?
Janë mes poezisë dhe bejtes. Varet nga momenti i frymëzimit, ka raste që dalin bejte, ka raste që dalin poezi të mirëfillta.
Mendoni t’i botoni këto?
Jo nuk kam ndërmend ta bëj këtë. Por, ku i dihet mund të ndërroj edhe mendje. Nga kjo pikëpamje një politikan kur shkruan letërsi, përjetimet e tij në politikë me dashje apo pa dashje i shpërfaq edhe në letërsi.
A jeni ndikuar nga ngjarjet e momenteve të punës për të shkruar, ose nga kolegët?
Po. Ka elementë të kësaj natyre, është një proces i mistershëm dhe i çuditshëm ai i të shkruarit. Në laboratorin e letërsisë hyjnë të gjitha, si në një reaksion kimik.
Ju i keni ndjekur të gjitha proceset e zgjedhjes së presidentëve në Shqipëri. A do të jenë këto procese dhe debatet që i shoqërojnë subjekti i një drame për ju, nëse kemi parasysh se herë-herë duken si teatër këto shfaqje politike?
Duket si një lloj teatri, sepse politika është teatër. Problemi është se çfarë kërkon për këtë teatrin tonë politik, aktorë të fuqishëm, të talentuar, të mençur, të cilët do të mbajnë mbi supet e tyre të gjithë zhvillimin e dramës? Nëse do ta bënim këtë, do të bënim mirë. Kam përshtypjen se gabimi dhe faji i politikës në shumë raste, është se nuk kërkon aktorë të fuqishëm për teatrin politik, por krakerë për teatrin e vet. Krakerët janë duartrokitësit e paguar të një teatri. Sa herë që kërkohen krakerë zgjidhja s’është pozitive. Në këtë këndvështrim nuk besoj se do të shkruaj dramë për procesin e zgjedhjes së Presidentit, sepse s’jam i prirur për të shkruar komedi. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)