20/04/2012  Fatos Nano, vetëshpallet kandidaturë për presidencën e ardhshme


Ish-kreu socialist, Fatos Nano, gjatë një interviste të dhënë dje për gazetarin Sokol Balla, në emisionin “Top Story”, shprehu hapur ambicien e tij për të qenë kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Me një gjuhë të moderuar Nano u mundua ta paraqiste veten si një kandidaturë konsensuale, kur tha se po mundohet të jetë kandidaturë e të gjitha palëve


Top Story – Zoti Nano, mirë se erdhët në “Top Story”. Riktheheni pas një kohe të gjatë pa folur, ndonëse ju jeni në gjendje të flisni edhe me heshjen tuaj.


Fatos Nano: Unë besoj se ka gjithmonë një kohë për të folur, duhet të ketë, është e dobishme gjithashtu të ketë edhe një kohë për të dëgjuar ose për të folur nëpërmjet heshjes. Të gjithë kemi nevojë, veçanërisht në debate që ju i sollët në një sintezë të një pjese të historisë politike që na bashkon. Ka shumë nevojë për reflektim, për të menduar përpara se të ushqejmë konfliktet me emocione të tepruara.


Top Story: Pavarësisht kundërshtisë që aksionet tuaja politike kanë prodhuar ndër vite, është fakt se prodhimi juaj ka qenë gjithmonë pozitiv, si në 2005-n, që ishin zgjedhjet e vetme të pakontensuara dhe ju ishit humbës i atyre zgjedhjeve. I dhatë vendit stabilitet me Presidentin në 2007, ndonëse fituat shumë armiq mes radhëve tuaja. Por, pa u zgjatur më gjatë, po ju shtrojmë që në fillim një pyetje konkrete. A do të jeni ju kandidat për të pasuar Bamir Topin në rolin e Presidentit të Republikës?


Fatos Nano: Duket sikur po hyjmë në një temë, por kjo është një pyetje për të dalë nga tema. Me një batutë, dua të them që nuk jam kandidat, nuk jam kandidati më i rëndësishëm për Shqipërinë në 2012, pasi vetë Shqipëria është kandidate edhe është shumë e rëndësishme të fitojë statusin e merituar dhe të vonuar për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian në procesin që ka nisur. Më lejoni të them me vërtetësi që si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm, kam bërë një ofertë, kam ofruar dijet dhe përvojën time, aftësitë dhe kapacitetet, për të shërbyer që klima e sotme politike të ndryshojë, që marrëdhëniet midis politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe nxitëse për të kryer detyrat e tyre ndaj qytetarëve dhe publikut. Pra, jam ofruar duke kontaktuar të gjitha palët, kam bërë të qartë që jam i gatshëm për të konkurruar në garën e sivjetshme. Ndërkaq, ky është vetëm fillimi dhe jam këtu për të deklaruar hapur, nëpërmjet jush, si për konceptin, frymën dhe vizionin për të cilën e bëj këtë ofertë dhe të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë dhe produketet që do sigurojë.


Top Story: Megjithatë, në bazë të Kushtetutës, duhet që një parti tiu kandidojë. Çfarë do të tentoni ndryshe nga 2007 kur në një farë mënyre u vetëkandiduat edhe atëherë?


Fatos Nano: E dobishme dhe shpesh e mangët në politikën shqiptare është zgjerimi i hapësirës për dialog, negocim, mbi bazën e të cilit, edhe palët të njohin me njëra-tjetrën, natyrisht të njohin personalitetet që ofrohen dhe janë të disponueshëm për tu zgjedhur me funksione të rëndësishme, të cilat pa dyshim kërkojnë mirëkuptim, filtrim nga ana e politikës. Në raport me shfaqjen ose pamjen tradicionale të garave dhe të fushatave që jemi mësuar me të kaluarën, unë këtë herë, meqenëse publiku më njeh, kam preferuar të negocioj, të paraqes më afër në faktorët politikë të rëndësishëm konceptin dhe vizionin tim, duke krijuar kështu një proces që do ti shërbente vendit dhe jo mua. Një proces të rivendosjes së besimit mes politikës dhe institucioneve, të prishur në disa raste mjaft kritike dhe jo thjesht në atmosferën mjaft simbolike të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët, por sidomos në pragun e takimeve të rëndësishme dhe vlerësuese të institucioneve euroatlantike që ndjekin statusin tonë. Top Story: Përpara se tiu pyes për përmbajtjen e ofertës, është me interes të publikut të dijë se me cilët faktorë politikë keni kontaktuar ose do të kontaktoni? Cila është formula e re që kandidatura juaj do të futet në Kuvend?


Fatos Nano: Vlerësimi i palëve, duket se në këtë çështje nuk kanë kontradikta me njëra-tjetrën, që vendit i duhet një proces sa më transparent, mundësisht sa më konsensual, një proces, që nëpërmjet procedurës për të seleksionuar zgjedhjen më të mirë i shërben vendit, të shërbejë gjithashtu për të rizgjedhur palët në njohje më të thellë të angazhimeve ndaj atdheut dhe zhvillimeve të demokracisë, ekonomisë dhe jetës shoqërore në referencë të BE-së. Duhet të rifitojmë besimin që mund të punohet së bashku, pa lënë pozitat e konkurrencës në gara elektorale dhe të rikthejmë besimin tek axhenda më gjithëpërfshirëse në dobi të përparësive, integrimit apo të kurimit të plagëve të tranzicionit apo konflikteve politike që e sqarojnë atë.


Top Story: Kur flisni për qëndrime të caktuara politike, i referoheni 2009-s kur parashikuat humbjen e së majtës në zgjedhje?


Fatos Nano: Unë skam bërë ndonjëherë rolin e Kasandrës, pasi nuk kam aftësi mbinjerëzore apo mitologjike, por natyrisht, unë jam profesionist politik, bëj vlerësime objektive, ashtu siç kam vlerësuar ndoshta si një prej kritikëve më të rreptë të PS, fenomenet e mosveprimit me nismën e duhur politike, moskuptimit të principeve dhe koncepteve të reja demokratike në fazat e parë të transformimit të saj në një anëtare të Internacionales Socialiste, ashtu siç kam qenë nxitës dhe promovues i vlerave të reja, karrierave në bazë të meritës, ashtu siç bëra edhe në 2009-n kur pashë shfaqje të kthimit pas, që nuk ndihmonin në rritjen e aftësive konkurruese të partisë sime të vjetër, por asnjëherë ish-parti.


Top Story: Pra, Partia Socialiste vazhdon të jetë partia juaj?


Fatos Nano: Unë mbetem i kthjellët edhe në komunikimin me publikun, për të vlerësuar se partitë. Në një përvojë shtetare, Partia Socialiste ka drejtuar për tetë vjet në shërbim të vendit, por nuk mund të vihet një parti politike mbi Shqipërinë dhe prandaj mund të kritikohet më lehtë një parti politike, një lider politik, se sa kombi dhe vendi i tërë. E këtu po i referohem spektikëve të pandreqshëm që mendojnë se ky vend nuk do të bëhet.


Top Story: Në këtë poltronë, tre javë më parë Edi Rama, duke krahuar zhvillimet aktuale në Shqipëri, pavarësisht sensit kritik ndaj jush, ju komplimentoi për qeverisjen deri në 2005. Por, pas shtatë vitesh e gjysmë, e njihni zyrtarisht si lider të opozitës dhe a keni pasur kontakte më të?


Fatos Nano: Unë besoj se smë takon mua të njoh apo të mosnjohë titullarët apo liderët e partive të zgjedhura nga familja përkatëse, edhe kur nga kjo familje kam dalë vetë, kështu që nuk besoj se mund ti dorëzoheshim së bashku kaq kollaj emocioneve personale. Këtu po flasim me publikun, po trajtojmë nevojën e shërbimeve më standarde publike dhe unë gjithmonë jam përpjekur e ja kam dalë mbanë, që të mposht emocionet personale në gjykimin e nismave politike.


Top Story: Kur flisni për domosdoshmërinë e përmbajtjes së emocioneve të ndryshme, i referoheni të shkuarës suaj politike dhe konfliktit publik që keni pasur me zotin Rama?


Fatos Nano: Ka pasur reagime emocionale, të gjithë jemi stërvitur duke u rritur, duke u ballafaquar. Nuk besoj se dikush nga ne sot është në një situatë tjetër me më shumë avantazhe. Dikush ka mbaruar ndonjë shkollë standarde perëndimore për profesionin e politikanit, për shembull në politikën moderne janë disa rafshe, nuk kualifikohesh dot pa përvojën e debatit, konkurrimit dhe ballafaqimit të alternativave me elektoratin. Por, sidoqoftë, më lejoni të mbyll këtë arsyetim duke thënë se po, kur kam drejtuar PS dhe mjaft rrugë institucionale, e kam mirëpritur Edi Ramën si pjesëtar të qeverisë që kisha në 1998. E kam mbështetur si drejtues të qeverisë së Tiranës që nga viti 2000 dhe e kam mbështetur e nxitur që kur mori teserën për të kontribuar në forume dhe pavarësisht se rrugët, shumë transparante për publikun, janë kryqëzuar me njëri-tjetrën, skanë qenë ndonjëherë të mbyllura dhe si pjesë të axhendës së paraqitjes së ofertës sime me liderët legjitim, do të takoj edhe Edi Ramën krahës të tjerëve, kjo pa dyshim.


Top Story: Përveç paraqitjes së platformës, çfarë do ti kërkoni konkretisht Edi Ramës, që të firmosë një listë me 20 deputetë, tiu nxjerrë si kandidat i Partisë Socialiste apo tiu mbështesë si kandidat mbi palët siç ju cilësoi tre javë më parë?


Fatos Nano: Unë besoj, më falni që e riktheksoj, se dobia e vendit dhe e të gjithëve është që procesi të jetë gjithëpërfshirës, të jetë i hapur për kontribute të të gjithëve, natyrisht të çdo përfaqësuesi politik dhe të jetë transparent, pra në sytë e publikut, sepse sa më konsensual të jetë kryetari i ri i shtetit, sa më e gjerë të jetë mbështetja nga Kuvendi i Shqipërisë i kandidaturës së tij, aq më i madh do të jetë efekti për integrimin dhe klimën evropiane. Nga kjo pikëpamje, duke e ritheksuar se identiti im lidhet me të majtën, vazhdoj ti kërkoj Partisë Socialiste dhe partive të tjera parlamentare, faktorëve politikë të rëndësishëm, që të konsiderojnë platformën dhe përvojën time, ta konsiderojnë në mënyrë specifike një faktor shtesë. Presidentët e derisotëm skanë pasur në CV e tyre të pasur karrierën ekzekutive si pjesë organike, ndaj unë vlerësoj se është e dobishme që kryetari i shtetit të ketë përvojë qeverisëse gjithashtu. Disa të vërteta që janë imponuar dhe Nano, me 20 e ca vjet përvojë dhe karrierë politike në shërbim të vendit dhe publikut, ka ditur gjithmonë të kultivojë dhe të nxisë një klimë mbipartizane, jo thjesht militante në dobi të partisë politike që i takon. Patjetër që do të marrë nisma që i shërbejnë qetësimit, dialogut politik dhe zgjidhjeve me konsensuse të rëndësishme të problemeve të tranzicionit.


Top Story: Meqë po flasim për PS, është e kuptueshme që tek një Nano president, ata shohin garancinë në kuadër mungese të thellë besimi, se ju do të mbikqyrni një proces më të ndershëm dhe do të bëni arbitrin e duhur në 2012-n?


Fatos Nano: Nuk është vetëm sjellja jotradicionale edhe e politikës, por për fat të keq, më shëmtuar shfaqet në fushat e futbollit që kërkojnë që arbitri të jetë gjithmonë me ta. Nuk besoj se është vetëm ky element mosbesimi ai që rrezikon procesin elektroral që ju theksuat apo që sjell konsenstime të vazhdueshme për rezultatin e zgjedhjeve. Ndoshta ju i vlerësuar zgjedhjet e 2005 sepse i vetmi që mund ti konsensonte do të isha unë, por se bëra, duke synuar të garantoj sipas rezultatit objektiv të zgjedhjeve të 2005-s një tranzicion pushteti të qetë dhe institucional. Kam dorëzuar qeverisjen me inventar dhe jam i kënaqur që pas kaq kohësh disa projekte të zhvillimit kombëtar që lamë përgjysmë janë aktive dhe sot dhe ndërkaq jam i bindur se Partia Socialiste ka maturinë e kultivuar në vite që edhe nëse do të jetë pikënisja e këtij procesi, mbështetësja për efekt identitetsh historike të përbashkëta, e ofertës sime për të shërbyer, nuk do të synonte ajo e para, pra edhe unë sdo ta lejoja të ndodhte, që të ishte edhe pikëmbërritja e procesit, një shkëmbim interesash komerciale, që edhe në raste të aparencash të një procesi konsensual, do të shkatërronte çdo bazë apo mundësi për të shërbyer në dobi të të gjithëve siç e kërkon detyra e Presidentit të Republikës si përfaqësues i unitetit kombëtar.


Top Story: Ju do ti kërkoni opozitës që tiu mbështesë fillimisht mbi palët, si një kandidaturë konsensuale?


Fatos Nano: Jo vetëm nga Partia Socialiste, këtë ofertë do tia paraqis të gjithëve dhe do të ishte e dobishme, do të bëj maksimumin e përpjekjeve që më jep mundësi përvoja, për ti sjellë të gjithë në një mendje që një proces dhe një komunikim gjithëpërfshirës në këtë rast do ti shërbente vendit dhe axhendës prioritare të tij.


Top Story: Nëse kjo nuk ndodh, nëse ju mbështesin të gjithë, e mendoni si mundësi mbështetjen vetëm nga opozita, ndonëse ky diskutim varet thelbësisht nga shifrat?


Fatos Nano: Një konsens gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kryetarit do të tregonte maturi dhe përgjegjëshmëri në total. Ka një alternativë tjetër, demokratike, që do të dëshmonte maturinë e demokracisë shqiptare, një ballafaqim kandidaturash, me vota dhe ide, por me kusht, në dobi të garës dhe jo të sfidantit, që palët të mos e shndërrojnë në kacafytjen partizane të radhës, me votat dhe veshët të jenë të hapura dhe të lira për të zgjedhur më të mirën për këtë vend.


Top Story: Në këtë rast eventual, 63 ose 64 votat e opozitës, mund ti duheshin edhe vota që Nano mund ti sigurojë i vetëm nga krahu tjetër?


Fatos Nano: Do të jem sërish në krye të ushtrisë së paqes nëse ka nevojë për ushtri. Natyrisht do të kërkoj paqeruajtës në të gjitha forcat politike. Po ti referohemi librave të shenjtë, ka një thënie që ka marrë forcën e dogmës, bekur qofshin paqeruajtësit e paqebërësit, të gjithë kemi nevojë për më shumë paqëtim e kontribute që shfaqen më saktë dhe më vitalitet, në një konkurrim të qetë dhe sa më i gjerë të jetë konsensusi për paqebërjen, aq më mirë do të arrijë jo vetë instucioni i presidentit, por të gjitha institucionet që të kryejnë misionin paqeruajtës e zhvillues që në këtë rajon është një domosdoshmëri jetike, pasi skifterët e së shkuarës janë ende në këmbë dhe besoj se ne kemi arritur në një nivel zhvillimi dhe nevoje shoqërore, ku jo vetëm qytetarët janë lodhur nga luftënxitësi, por edhe vetë grindavecët janë lodhur nga grindjet që nuk u shmangën dot.


Top Story: Pikërisht në këtë studio, një javë më parë, Zoti Meta nuk u shpreh direkt, por nuk shfaqi një entuziasëm të veçantë, lidhur me kandidatimin tuaj si presidentit. Do të takoni edhe zotin Meta, por në mungesë të aprovimit të tij, do ti gjenti gjithsesi “paqeruajtësit”, të paktën dy, brenda LSI-së?


Fatos Nano: I rikthehemi të njëjtit arsyetim, frymë visioni dhe proces gjithëpërfshirës dhe dobipriruës për vendin dhe liderat e tij politik. Nuk besoj se në epokën e ngrohjes globale do të ndiheshin kaq shpesh dhe kaq papritmas ftohjet e pjeshme. Unë dhe Ilir Meta kemi një histori të gjatë të përbashkët, tashmë 20-vjeçare që kemi ditur të bashkohemi e të ndahemi në kohën e duhur apo të gabuar. Një përvojë e tërë, natyrisht një lëndë dhe unë besoj se nga çarja e madhe partizane e politikës shqiptare që pengon dhe funksionim e dinamikën e zhvillimit, do të ishte fare e papreferueshme të kalonim në çarje e fraksionim grupesh brenda partive.