14/05/2005  Dje, Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen për mbështetjen e projektit për krijimin e Qendrës së Restaurimit dhe Konservimit të Monumenteve të Kulturës.


Pas shumë debateve dhe një mungese të gjatë të specialistëve që merren me restaurimin e Monumenteve, më në fund ky vendim do t’u hapë rrugë trajnimit të specialistëve. “Ky vendim synon krijimin e një qendre për trajnimin e specialistëve të Restaurimit dhe Konservimit të Monumenteve të Kulturës, nëpërmjet një projekti të përbashkët ndërmjet Këshillit të Ministrave, përfaqësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe UNESCO”, thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave. Kjo do të arrihet nëpërmjet një asistence dhe bashkëveprimi ndërmjet Institutit te Monumenteve të Kulturës, Institucion Qendror në varësi të MKRS-së dhe UNESCO-s, me qëllim kualifikimin shkencor të specialistëve që merren me restaurimin dhe konservimin e monumenteve të kulturës. Pra, qëllimi kryesor, projekti të paraqitur nga UNESCO, është rritja e kapaciteteve dhe e aftësisë tekniko-kualifikuese të punonjësve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe drejtorive rajonale të monumenteve në varësi të tij.


Po dje, nga Këshilli i Ministrave është miratuar edhe vendimi për fazën e tretë të modernizimit të arkivave në bashkëpunim me qeverinë e konfederatës zvicerane.


Marrëveshja ka për qëllim krijimin e infrastrukturës institucionale për shërbimet arkivore në nivel rajonal e qendror, si dhe krijimin e një rrjeti arkivor në të gjithë vendin. Marrëveshja finalizon fazën e tretë të projektit me një fond grant prej 1.050.000 CHF.