Bëhet gjithmonë e më qesharake kjo punë e Fatos Nanos. Prej disa ditësh inbox-et e gazetarëve bombardohen me e-maile nga një personazh qesharak, i quajtur Arian Galdini, një person i vetëquajtur i pari dalazots dhe që u acarua kur Antena brenda Familjes bëri një ironi të vogël me të. Tani Galdini ka nisur një njoftim ku thotë se Fatos Nano do nisë një lëvizje të re, të quajtur Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve.


Sipas njoftimit, shumë socialistë e opozitarë u mobilizuan nga një letër e hapur e Fatos Nanos sot dhe u bashkuan me të në këtë lëvizje. Veçse nuk u gjet asnjë socialist e asnjë opozitar tjetër përveç Galdinit për të marrë përsipër këtë lëvizje. Të paktën kjo lëvizje po u jep ushqim TV Klanit dhe mediave të Berishës.


Sot në 12 qershor 2012 në 21 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, menjëherë pas thirrjes që Fatos Nano u bëri socialistëve dhe popullit të majtë, shumë socialistë e opozitarë të ndershëm nga çdo cep i Shqipërisë, të zgjedhur lokalë e qendrorë, përfaqësues të strukturave të PS i janë përgjigjur kësaj thirrjeje dhe i kanë shprehur zotit Fatos Nano mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të plotë e të pakursyer. Të inkurajuar e të nxitur nga numri i madh i mbështetësve nga Veriu në Jug, ne një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste, të shoqërisë civile, intelektualë dhe akademikë, të rinj e të reja, së bashku me z. Fatos Nano vendosëm që të krijojmë një grup koordinimi të lëvizjes sonë të re. Lëvizja e re e sapokrijuar është vendosur që të quhet: Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve.


Koordinatori i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve u vendos që të jetë z. Arian Galdini, i cili vjen nga radhët e shoqërisë civile. Qëllimi i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve është përbashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013, thuhet në njoftim.


Njëkohësisht kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013, vijon njoftimi.